Rihapja e Qendrës së Konsultave Ambulatore (QKA) në QSUNT
Si paraqitet situata për konsultat e pacienteve ambulatorë nga rrethet pas lehtësimit të masave për lëvizjen e qytetarëve?
Pas lehtësimit të masave për lëvizjen e qytetarëve, ka patur një rritje graduale ditë pas dite të numrit të pacientëve që paraqiten pranë Qendrës së Konsultave Ambulatore këtu në QSUNT. Fluks më i shtuar vihet re sidomos në Shërbimet e Kardiologjisë, Gastrohepatologjisë, Nefrologjisë, si dhe Urologjisë e Kirurgjive të ndryshme, të cilat kishin ndërprerë aktivitetin gjatë periudhës së izolimit bazuar në Urdhërin e MSHMS Nr. 147, Datë 09.03.2020 “Për ndërprerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara në QSUNT”.
Mjekët, infermierët, recepsionistët dhe koordinatorët me pacientin a janë të pajisur me mjetet e duhura për ruajtjen e higjenës dhe veshjet mbrojtëse gjatë kohës që kanë kontakt me pacientët?
I gjithë personeli mjekësor dhe ai mbështetës i Qendrës së Konsultave Ambulatore është trajnuar për respektimin e procedurave mbrojtëse pas situatës së pandemisë dhe gjithashtu janë të pajisur me të gjitha materialet mbrojtëse personale (veshjet e posaçme, maskat, dorezat, dezinfektues). Objektivi ynë është ofrimi i shërbimit më të mirë për pacientët në kushte të sigurta, për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, pra për të mbrojtur jetën e tyre dhe personelit gjithashtu.
Keni afishuar rregulla të reja, postera sensibilizues për ndërgjegjësimin e pacientëve dhe familjarëve të tyre që vijnë për konsulta?
Janë marrë të gjitha masat e duhura që pacientët të ndihen më të sigurt dhe të ruajnë veten dhe personelin mjekësor gjatë marrjes së konsultës ambulatore. Në funksion të kësaj janë vendosur shënjuesit në tokë për mbajtjen e radhës duke respektuar distancimin fizik, është vendosur dezinfektant në hyrjen kryesore të QKA-së dhe janë vënë njoftimet e nevojshme ku kërkohet që secili pacient duhet të jetë i pajisur me maskë dhe doreza.
A janë bashkëpunues pacientët ambulatorë dhe familjarët e tyre për të zbatuar rregullat e vendosura për respektimin e distancimin fizik, higjenën personale, mbajtjen e maskave mbrojtese etj?
Pacientët janë të përgatitur për respektimin e masave të afishuara dhe të bëra me dije, duke kuptuar se këto masa janë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të gjithesecilit si misioni primar i QSUNT-së. Për ata pacientë, të cilët paraqesin kundërshtime lidhur me respektimin e masave mbrojtëse, koordinatorët me pacientin u shpjegojnë arsyet e domosdoshmërisë së respektimit të këtyre masave.
Duke u bazuar në Urdhërin e MSHMS nr. 159, datë 11.3.2020 “Për kufizimin e lëvizjes së pacientëve, shoqëruese dhe/ose familjarëve dhe organizimin e shërbimeve në institucionet e kujdesit shëndetësor ku kryhen vizita dhe konsulta ambulatore”, lutemi bashkëpunimin e qytetarëve që të respektojnë orarin e paraqitjes në QKA sipas planifikimit të marrë dhe mirekuptimin e pacienteve që shoqërimi nga një familjar të bëhet vetëm kur pacienti ka vështirësi në komunikim apo lëvizje. Familjarët e tjerë duhet të presin jashtë ambienteve të QKA-së.
Gjatë periudhës së izolimit shumë pacientë nuk kanë mundur të kryejnë konsultat e planifikuara, si duhet të veprojnë ata në këto raste?
Lidhur me konsultat ambulatore të planifikuara më parë, i lutemi pacientëve që të drejtohen përsëri tek mjekët specialistë në rrethe për të rivlerësuar gjendjen e tyre shëndetësore, bashkë me ekzaminimet e duhura, pasi për një vlerësim optimal të diagnozës apo gjendjes së pacientit në një qendër spitalore universitare të nivelit terciar kërkohen ekzaminime të përditësuara .
Intervistë me Znj. Rudina Gorica
Administrator Spitalor pranë PAI-it të Konsutlave