Rifillojnë ndërhyrjet kirurgjikale në Spitalin e ri kirurgjikal “Frederik Shiroka”
Si paraqitet situata e shtrimeve dhe e operacioneve në shërbimet e kirurgjisë?
Mbas një periudhe ndërprerje, ka filluar këtë javë kirurgjia dhe operacionet e planifikuara në kirurgji dhe java e parë ka qënë kryesisht me pacient të shtruar në spital me patologji malinje, dhe javën që vjen do fillojë me ritmin e plotë kirurgjia duke ruajtur nevojën për distancim fizik dhe për kriteret që duhen plotësuar për të shmangur riskun nga Covid-19.
Sa operacione të planifikuara po kryeni në ditë dhe në javë në tre shërbimet e kirurgjisë?
Ditët e para, pra gjatë kësaj jave janë bërë rreth 7 – 8 operacione në ditë, pra nëse i marrim për 5 ditë i bie 35 – 40 operacione gjatë kësaj jave. Ndërsa gjatë javës që vjen ne kemi caktuar një numër prej 3 operacione për anëtar stafi sepse janë 4 ditë operatore keshtu që besoj se javën që vjen do vijmë në shifrat normale të kirurgjisë që ne bëjmë.
Cilat janë diagnozat më të shpeshta dhe sa është ditëqëndrimi i tyre?
Në përgjithësisht ditëqëndrimin e kemi shumë më të reduktuarnë krahasim me më përpara sidomos me futje e proçedurave laparoskopike, kështu që ne operojmë natyrisht shumë patologji malinje, të cilat e kanë ditëqëndrimin më të lartë pra shkojnë 5, 7 deri në 9 ditë ose 2 javë në varësi të ecurisë së sëmundjes. Një grup i madh janë kirurgjia e gurëve biliarë ku pikërisht për shkak të këtyre proçedurave të reja që janë futur: Kirurgjisë plaparoskopike, RBS etj., është shkurtuar shumë ditëqëndrimi, pra ditëqëndrimi në spital është 1.5 ditë. Kemi një grup tjetër të madh patologjish të tjera, që janë patologjitë proktologjitë të cilat edhe këto kanë një qëndrim të ulët 1 ditë ose 1 ditë e gjysëm. Është kërkuar në Drejtorinë e QSUNT-së blerja e një paisje të re që shpresojmë që të realizohet sa më shpejt, kjo që do të ulë akoma më shumë ditëqëndrimin sepse mund të kthehet një pjesë e këtyre operacioneve në kirurgji ditore, që të bëhen ditën dhe brënda ditës pacienti mund të largohet në shtëpi në mënyrë që të kompesojmë numrin më të ulët të shtretërve që kemi aktualisht.
A ka ndikuar në përkeqësimin e sëmundjes vonesa e operacionit tek pacientet që po operoni këto ditë?
Këto ditë, për shkak të vendimit që ishte marrë që urgjencat të bëheshin pranë Spitali të Traumës dhe kirurgjia bëhej atje. Këta janë pacientë të planifikuar të cilët janë në gjëndje normale pra nuk është se kemi ndonjë përkeqësim të situatës së tyre, sepse ato që kanë qënë patologji malinje, që kanë pasur nevojë të operohen në kohë, ndërkohe janë operuar tek spitali i traumës.
Me ardhjen e stinës së verës kur temperaturat rriten, a do të keni kufizime në numrin e operacioneve ashtu siç ndodh çdo vit?
Nuk do të ketë sepse për shkak se kemi ardhur në ambjente të reja ku është kondicionimi qëndror, ku çdo sallë është e kondicionuar, ne do vazhdojmë njësoj me të njëjtin ritëm njësoj si gjatë gjithë vitit. Ndryshe nga pavioni i vjetër ku ne nuk kishim as kondicionim dhe temperaturat ishin shumë të larta gjë që e bënte të pamundur operacionin për pacientin.
A ndjeheni të rrezikuar nga Covid 19 tani që keni rifilluar punën?
Ne jemi mësuar gjatë kësaj periudhe të bashkëjetojmë me Covid 19, duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me Covid-19. Natyrisht që ka risk por duhet të përpiqemi që të ketë risk sa më minimal dhe pikërisht kjo proçedurë që është bërë për shtrimin, për vlerësimin e pacientit shërben për të ulur riskun minimal për mjekët dhe që mos infektojmë pacientë me Covid-19.
Cili është mesazhi që doni të përcillni tek pacientët dhe të afërmit e tyre në këtë periudhë?
Për pacientët është e sigurt që ne po bëjmë dhe do të bëjmë më të mirën për ta. Ndësa për të afërmit duhet të na mirëkuptojnë që këto rregulla dhe masa anti Covid jemi të detyruar t’i zbatojmë dhe nuk mund të ketë grumbullim të madh familjarësh nëpër pavione. I ftojmë që mos të vijnë shumë as në hyrjen e spitalit sepse pastaj mund të bëhen shkak i përhapjes së kësaj sëmundjeje njëri tek tjetri .
Prof.Dr Arben Gjata
Shef Shërbimi i Kirurgjisë Digjestive