Roli i psikologut në Spitalin onkologjik: rëndësia e trajtimit psikologjik te pacientët
Intervistë me Znj. Alketa Çoku
Psikologe pranë Shërbimit Onkologjik, QSUNT
Spitali Onkologjik ka në organikën e vet Shërbimin Psikologjik, që është pjesë mbështetëse e stafit mjekësor. Ky shërbim është i përbërë nga profesionistë me eksperiencë në fushën e psikologjisë klinike.
Në cfarë konsiston puna juaj si psikologe dhe cilat janë veshtiresitë që hasni?
Sëmundjet onkologjike janë sëmundje të gjata në kohë dhe kërkojnë shumë forcë dhe energji për t’u përballuar. Kjo bën që, përveç problematikave organike të trupit të pacientit, ai të jetë i ngarkuar dha nga ana psikologjike. Këtu roli i psikologut është themelor dhe i pashmangshëm.
Pra, ne ndjekim pacientët nga momenti i kryerjes së ekzaminimeve të para, diagnostikimin, trajtimet kirurgjikale, kimioterapeutike dhe radioterapeutike. Në secilin nga këta proçese pacienti ka gjendje të ndryshme psikologjike, nga pikpamja emocionale, konjitive dhe relacionale.
Vështirësitë janë të shumta. Nga një këndvështrim i jashtëm kemi rezistencën e pacientit për rolin e psikologut, kjo si pasojë e një kulture jo shumë të hapur me tjetrin por edhe si limit personal, mosnjohja dhe mohimi i problematikave të brendshme. Ndrojtja nga stigmatizimi, nga gjykimi i të tjerëve. Nga këndvështrimi jonë i brendshëm është ngarkesa emocionale që na vjen ne nga trajtimi i rasteve të pacientëve me patologji onkologjike. Sforcimi që bëjmë fillimisht për të rivendosur një shikim të ri ndaj psikologut duke punuar në drejtime të ndryshme, me stafin mjekësor, me pacientët dhe familjarët e tyre.
Si afrohen pacientët pranë psikologeve, a e pranojnë me lehtësi ndihmën tuaj?
Zakonisht kontaktet e para vijnë nëpërmjet stafit mjekësor, ku pacientit i rekomandohet konsulta me psikologun. Por ka raste që ata vetë e kërkojnë se janë të ndërgjegjësuar për të kërkuar ndihmë. Gjithashtu ka raste që është familjari që interesohet sepse e sheh pacientin “të mbyllur; qan shpesh; nuk është më i qeshur si më parë; etj”. Trajtimi më efikas është ai që vjen me referimin e mjekut, sepse që momentin e parë pacienti e interiorizon si proçes i kurës së tij.
A u ofrohet pacienteve mjaftueshëm ndihmë psikologjike? Po familjareve?
Sigurisht ne bëjmë pjesën tonë me profesionalitet e seriozitet. Kemi të dhëna dhe feedback nga pacientët dhe familjarët, që na shtyjnë të luftojmë në krah me ta për të arritur një rezultat sa më efikas për pacientin. Mund të bëhet më shumë apo më mirë? Patjetër.
Mbështetja ndaj familjarëve është një pjesë e rëndësishme e trajtimit psikologjik në spitalin onkologjik. Nësë familjari është në krahë të pacientit ne përpiqemi me punën tonë profesionale ta qetsojmë ,ta bindim dhe ta psikoedukojmë për një të mirë të përbashkët që është ëcuaria e shëndetshmë e pacintit.
Çfarë raporti keni me stafin mjekësor apo infermieror në Spitalin Onkologjik?
Na është dashur një punë shumë vjeçare për të ndërtuar këtë lidhje profesionale relativisht të re në vendin tonë në krahasim me profesionet mjekësore. Punojmë njëkohësisht edhe me stafin për një psikoedukim më efikas që ka reflektimin e vet tek gjendja e pacientit. Punojmë në grupe dhe individualisht për proçese të ndryshme të trajtimeve psikologjike si: delikatesa e komunikimit të diagnozës dhe trajtimeve, komunikimi dhe bashkëpunimi midis mjekëve, infermierëve për t’u koordinuar sa më mirë në këtë luftë të përbashkët. Nuk është e thjeshtë, por ka përmirsime dhe ndërgjegjësim ndër vite falë edhe durimit dhe punës tonë të heshtur dhe pa bujë.
Ju ka mbetur në mendje ndonjë histori apo episod, për të cilin keni thënë: “kam zgjedhur profesionin më të bukur që mund të bëja”?
Histori apo episode ne kemi çdo ditë në shërbimin tonë sepse çdo pacient është ndryshe nga tjetri. Çdo pacient ka të veçantat dhe problematikat e veta, dhe asnjëri nuk ngjason me tjetrin, sado që ne përpiqemi ta shikojmë tjetrin si pasqyra e jetës tonë .Por jo, nuk është asnjëherë e njëjta për askënd.
Ne do të theksojmë si kulmin e episodeve dhe historive muajin TETOR, muaj shumë i rëndësishëp për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit, gjatë të cilit zhvillojmë një shumëllojshmëri aktivitetesh dhe bashkëpunimesh të reja në favor të mirëqënies së pacientit. Bisedat në takimet e grupeve të pacientëve kanë lenë një shije të mirë te i gjithë stafi mjeksor ashtu sikurëse dhe te ne psikologet e shërbimit. Pranimi i diagnozës dhe e folura për historitë personale të çdo pacienteje kanë qënë për tu admiruar, kanë qënë për tu vlerësuar dhe për tu marë shembull për çdo pacient të ri që shkel në dyert e spitalit Onkologjik i cili diagnostikon dhe trajton me rigorozitet çdo pacient.