Puna nuk ndalet. Ekipi i urologëve dhe kirurgëve vaskularë në QSUNT bëjnë mrekullinë
Në klinkën e Urologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është kryer një operacion tejet i vështirë për shkak të kompleksitetit dhe vështirësisë së lartë operatore dhe postoperatore që paraqiste gjendja shëndetësore pacientit.
Pacienti mashkull 61 vjeç u paraqit në klinikën e Urologjisë QSUNT i diagnostikuar me “Tumor renal të djathtë 5×6 cm me Tromb në venën Cava inferior stadi 2-3, trombi arrinte deri tek niveli i venave suprahepatike”, sipas klasifikimit të Klinikës MAYO, Cleveland-SHBA.
Pacienti ishte konsultuar në disa spitale jo-publike në Shqipëri dhe disa klinika jashtë shtetit (Gjermani,Greqi dhe Turqi) ku i kishin bërë të qartë se vuante nga një tumor i veshkës së djathtë me tromb në VCI stad i avancuar, tepër i vështirë për tu realizuar nga ana kirurgjikale. Spitalet jo-publike në Tiranë nuk kishin kapacitetin për të ndërmarrë një ndërhyrje të kësaj kategorie për shkak të kompleksitetit dhe vështirësisë së lartë operatore dhe postoperatore.
Për të kryer një intervent të kësaj kategorie kërkohet një ekip i përbërë nga mjekë urolog, kirurg vascular dhe anestezist të përgatitur për çdo situatë të papritur. Interventi u realizua tek sallat operatore të shërbimit të Urologjisë në QSUNT nga ekipi i përbërë nga: Dr. Aurel Janko DSHM – Drejtues i Shërbimit të Urologjisë në QSUNT urolog, Dr. Petrika Gjergo – kirurg vaskular, Dr. Amarilda Arapi anesteziste, Dr. Gjergj Karamitri, mjek urolog, Marsilda Allbani infermiere instrumentare. Kohëzgjatja e interventit ishte 4.40 minuta.
“Trajtimi i trombeve në Venën Cava Inferior është i komplikuar, sepse kemi të bëjmë me një patologji tumorale tek veshka. Duhet patur parasysh se tumoret të cilët shoqërohen me tromb në VCI janë agresive. Trajtimi i rekomanduar është Nefrektomia radikale me limfadektomi regjionale + cavoctomy me trombektomi. Pacientët me këtë kategori tumori të shoqëruar me tromb në sistemin venoz kanë rrezik të lartë për të bërë emboli pulmonare për shkak të hiperkoagulobilitetit, i cili shoqëron tumoret malinje dhe potencialitetit të embolizimit nga trombi venoz”, u shpreh D.SH.M Aurel Janko.
Trajtimi i tumoreve renale me tromb në sistemin venoz kryesisht në VCI ka filluar të kryhet në shërbimin e Urologjisë në QSUNT nga ekipi i përbërë nga urolog-kirurg vaskular prej muajit Shkurt 2016. Deri tani janë kryer 14 intervente të kësaj kategorie me vështirësi operatore dhe postoperatore në këtë shërbim.