Dr.Sh. M. Algen Isufi, kirurg OMF pranë Shërbimit të Kirurgjisë Maksilo – Faciale, Spitali Francez, QSUNT
Kirurgjia Ortognatike është ajo pjesë e Kirurgjisë Maxillo faciale që merret me korrigjimin e anomalive të nofullave. Vet fjala Ortognatike vjen nga greqishtja e lashtë Orto= drejtoj dhe gnathos= nofulla, drejtimi i nofullave.
Kjo kirurgji zë një vend të veçant në fushën e mjekesisë dhe kirurgjisë, së pari sepse kërkon një bashkëpunim të ngushtë midis dy specialiteteve ortodoncisë dhe kirurgjisë maxillo faciale, së dyti sepse proçesi i vendosjes së diagnozës dhe hartimit të planit të trajtimit është një ndërthurje midis artit dhe shkencës, dhe së treti kjo kirurgji nuk është vetëm një nevojë për pacientin por dhe “një dëshirë” pasi siguron jo vetem një përmirësim të funksionit por dhe estetikës faciale duke pasur një impakt të madh në aspektin psikosocial dhe jetën e pacientit.
Cilët pacientë kanë nevojë për këtë kirurgji?
Pacientët që i nënshtrohen kësaj kirurgjie janë krysisht adult, pacient që kanë përfunduar proçesin e rritjes në të cilët trajtimi ortodontik i vetëm nuk arrin të korrigjojë problemin skeletik.
Kirurgjia ortognatike aplikohet në pacientë që paraqesin:
- Dismorfizëm facial pa çrregullim të okluzionit dhe këtu ka vetëm qëllim estetik (orbitoplastika, rinoplastika si dhe genioplastika)
- Dismorfizëm dento facial me çrregullim të okluzionit dhe këtu ka qëllim estetik dhe funksional (kirurgji ortognatike në të dy nofullat)
- Çrregullime në të folur, në frymëmarrje dhe këtu ka vetëm qëllim funksional (Kirurgji ortognatike në të dyja nofullat)
Kirurgjia ortognatike në anomalite dentofaciale përdoret në :
- Defiçiencë ose mbi zhvillim në planin anteroposterior të mandibulës
- Defiçiencë ose mbi zhvillim në planin anteroposterior të maksilës
- Defiçiencë ose mbi zhvillim maksilar vertikal
- Raste që kërkojnë rotacion të kompleksit maksilomandibular
- Kafshim i hapur dhe kafshim i thellë skeletik
- Asimetri dentofaciale e rendë
- Anomali të mentumit
Kjo kirurgji kundërindikohet në :
- Të sëmurë të moshuar dhe me patologji shoqëruese
- Të sëmurë me probleme neuropsiqike
- Te sëmurë me kërkesa jo reale
- Të sëmurë jo bashkëpunues
- Të sëmurë me vese dhe higjene të keqe të gojës.
- Pacientë me patologji të rënda periodontale
- Të sëmurë me hiperplazi kondiliene në formë aktive
- Të sëmurë që kanë kryer radioterapi
- Pacientë me dismorfofobi
Sekuenca e trajtimit
Sapo një pacient diagnostikohet me një deformim dentofacial që mund të kërkoj një korrigjim kirurgjikal, një vlerësim gjithëpërfshirës nga një kirurg maxillo-facial dhe ortodontit është kryesorja. Kirurgu maksilofacial ekzaminon pacientin, rishikon të gjitha të dhënat në dispozicion dhe diskuton me pacientin dhe familjen mundësitë e trajtimit. Kirurgu e përqëndron këtë diskutim në arritjen e qëllimeve funksionale (okluzale) dhe estetike të fytyrës.
Mjeku ortodont bën grumbullimin e të dhënave standarte, ku përfshihen marrja e historisë mjekësore dhe asaj dentare, ekzaminimi ekstra dhe intraoral, marrja e masës dhe përgatitja e modeleve të studimit, fotografimi i pacientit (fytyra frontal, profil, oblik dhe intraoral), si dhe grafitë ku përfshihet grafia panoramike dhe ajo laterale. Kirurgu dhe ortodonti pastaj bashkërisht rishikojnë dhe organizojnë informacionin në dispozicion në një plan trajtimi i cili i paraqitet pacientit. Nëse pacienti bie dakord, vazhdohet me trajtimin e propozuar.
Fazat e trajtimit në pacientët që do ti nënshtrohen kirurgjisë ortognatike janë :
1) Ortodoncia preoperatore
2)Kirurgjia ortognatike
3) Ortodoncia Postoperatore
6) Follow Up
Ortodoncia preoperatore mund të zgjasi nga 12-24 muaj. Qëllimi kryesor i ortodoncisë preoperatore është vendosja e dhëmbëve në një pozicion korrekt me nofullën përkatëse në mënyrë që pas pozicionimit kirurgjikal të nofullave të sigurohet një okluzion optimal i dhëmbëve dhe të garantohet suksesi.
Kirurgjia ortognatike mund të kryhet në një nofull ( si përshembull Le Fort 1në maksilë ose BSSO në mandibul) ose në të dy nofullat njëkohësisht (Bimaxillar). Kjo kirurgji kryhet me anestezi gjenerale dhe kërkon kushte spitalore. Kirurgjia kryhet brenda gojës, kështu që asnjë shenjë në fytyrë nuk shfaqet. Sidoqoftë, ndonjëherë mund të kërkohen incizione të vogla jashtë gojës . Kirurgu bën prerje në kockat e nofullës dhe i zhvendos ato në pozicionin e duhur. Pasi të keni përfunduar lëvizjen e nofullës bën fiksim e tyre në pozicionin e ri me pllaka dhe vida të posaçme. Këto pllaka integrohen në strukturën e kockave me kalimin e kohës.
Shërimi fillestar i nofullës zakonisht zgjat rreth gjashtë javë pas operacionit, por shërimi i plotë mund të zgjasë deri në 12 javë.
Periudha e qëndrimit në spital pas ndërhyrjes mund të varioj nga 4-6 ditë.
Pas operacionit është e rëndësishme të zbatohen udhëzimet përsa i përket ushqyerjes, higjienës orale, shmangia e duhanit, shmangia e aktivitetit fizik të rëndë, medikamente për të kontrolluar dhimbjen. Zakonisht kthimi në punë ose shkollë bëhet 1-3 javë pas ndërhyrjes. Trajtimi ortodontik postoperator nga ortodonti fillon 4-6 javë pas kirurgjisë dhe mund të zgjasi 6-8 muaj. Pas përfundmit të trajtimit ortodontik është i rëndësishme retensioni, përdorimi i aparateve specifike nga ortodonti për të rruajtur në kohë rezultatin e trajtimit.
Këta pacient kërkojnë një ndjekje nga ortodonti dhe kirurgu OMF deri në disa vjet pas përdundimit të trajtimit.
Komplikacionet e Kirurgjisë
- Probleme në ATM
- Mos konsolidimi i kockave të nofullës
- Konsolidimi i keq i kockave
- Relapsi ( RIKTHIM I ANOMALISE)
- Dëmtim i dhëmbëve
- Mpirja ( zgjat 6-8 javë,rikthimi i plotë i ndjeshmërisë vjen pas 2 vjetësh dhe në 155 të rasteve mund të zgjasi më shume dhe të konsiderohet permanente)
- Humbje e gjakut deri në 500ml ( DO TRANSFUZION)
- Infeksion i kockave
- Cikatrice kur bëhen incizione në lekurë
- Dëmtim i minipllakave ose lëshim i vidave
Rezultatet
Korrigjimi i anomalive të nofullave nëpërmjet kirurgjisë ortognatike mund të rezultojë në:
- Pamje të ekuilibruar e fytyrës
- Përmirësimi i funksionit dentar
- Përfitimet shëndetësore nga gjumi i përmirësuar, frymëmarrja, përtypja dhe gëlltitja
- Përmirësimi në të folur
- Përmirësim i vetvlerësimit