KOLITI ULÇEROZ: SËMUNDJA INFLAMATORE E ZORRËS

D.SH.M. Marsela Sina, Shërbimi i Gastrohepatologjisë

 Çfarë është Koliti ulçeroz dhe cilat grupmosha janë më të rrezikuara?

Koliti ulçeroz është një sëmundje inflamatore që prek kryesisht mukozën e rektumit dhe anën e majtë të zorrës së trashë, por ndonjëherë edhe të gjithëatë. Është sëmundje kronike, me alternime të periudhave të qetësisë me ato të acarimit, të cilat karakterizohen nga heqja e barkut (diarreja) dhe gjakrrjedhja (rektorragjia).

Shfaqet kryesisht në moshat e reja dhe të mesme, më ipranishëm në zonat urbane se ato rurale. Çdo person që vuan nga koliti ulçeroz është i veçantë në mënyrën e shfaqjes së sëmundjes; shumë pacientë shfaqin forma me acarime të lehta dhe periudha të gjata qetësie, ndërsa të tjerë, rreth 10% e rasteve,shfaqin forma të rënda të sëmundjes, me komplikacione lokale dhe sistemike.

 

Shkaktarët, simptomat, diagnostikimi dhe trajtimi i Kolitit ulçeroz

Shumë studime janë kryer për të përcaktuar faktorët shkaktarë. Aktualisht mendohet që nga koliti ulçeroz preken individë gjenetikisht të predispozuar, sistemi imunitar i të cilëve nuk reagon në mënyrë efikase ndaj një faktori agresiv të jashtëm (virus, bakterie, etj.).

Shenjat klinike varen nga shkalla e inflamacionit dhe gjatësia zorrës së prekur. Nisur nga kjo e fundit, koliti ulçeroz klasifikohet nëtre forma (Figura 1):

  • Proctitis: sëmundja është e kufizuar në rektum;
  • Kolit i anës së majtë: patologjia prek edhe pjesën zbritëse të kolonit deri në fleksurën hepatike;
  • Pankolitis: kur preket thuajse gjithë gjatësia e zorrës së trashë.

 

Figura 1. Format e Kolitit Ulçeroz

 

 

 

Pavarësisht formës, periudhat e acarimit karakterizohen nga:

  • Diarreja, e cila përgjithësisht fillon në orët e para të mëngjesit, shoqërohet me mukus, gjak dhe ndjenjën e urgjencës për të shkuar në banjë.
  • Dhimbjet e barkut në formë krampesh.
  • Ndjenja e pafuqisë dhe lodhjes e cila mund të vijë si pasojë e pagjumësisë apo edhe anemisë.
  • Mungesë oreksi dhe rënie në peshë.
  • Anemi dhe ndonjëherë edhe temperaturë të lartë.

 

Është e rëndësishme që me fillimin e diarresë dhe rektorragjisë pacientët të paraqiten menjëherë pranë mjekut të familjes. Më pas pacienti i referohet mjekut gastroenterolog, i cili në bazë të shenjave klinike, të dhënave laboratorike dhe imazherike përcakton diagnozën, dhe vlerëson gravitetin e sëmundjes. Ekzaminimi më i rëndësishëm është ai endoskopik i zorrës së trashë (kolonoskopia). Kjo metodë mundëson vlerësimin e shtrirjes dhe shkallës së inflamacionit si dhe marrjen e grimcave indore (biopsi) për studim histologjik.

Trajtimi i sëmundjes ka për qëllim kryesor të dominojë periudhat e acarimit  dhe të ndihmojë në mbajtjen sa më afatgjatë të periudhave të qetësisë. Kjo nënkupton marrjen e mjekimit për periudha të gjata, mundësisht disa vjeçare. Grupet kryesore të medikamenteve që përdoren janë:aminosalicilatet (mesalazinë, sulfasalazinë); kortizonikët (prednison, prednisolon, metilprednisolon, budesonide, hidrokortizon); të cilët përdoren kryesisht gjatë periudhave të acarimit; si edhe imunosupresorët (azatioprinë).

Klasa më e re e medikamenteve janë preparatet biologjikë. Barnat Anti–TNF (infliksimab, adalimumab, golimumab) bllokojnë një proteinë të quajtur TNF (tumor necrosis factor) duke parandaluar kështu inflamacionin. Fatmirësisht, ky grup medikamentesh gjendet në vendin tonë dhe është 100% i rimbursueshëm. Vedolizumabi, është një tjetër preparat biologjik i cili ul inflamacionin duke bllokuar lëvizjen e qelizave të bardha drejt zorrës së trashë.