Në kuadër të Tetorit Rozë, muajit të Sensibilizimit në Luftën kundër Kancerit të Gjirit, në Spitalin Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, stafi mjekësor dhe pacientët e këtij shërbimi në aleancën e tyre për të luftuar këtë sëmundje, kanë mbjellë lule.
Mbjellja e luleve u realizua nga stafi mjekësor, mjekë, infermierë, punonjës socialë, pacientë dhe staf drejtues të QSUT. Muaji tetor në mbarë botën është muaji i sensibilimit për luftën kundër kancerit të gjirit dhe synon të ndërgjegjësojë të gjitha femrat rreth kësaj sëmundjeje dhe rëndësisë së diagnostikimit në fazat fillestare të saj.
Aktiviteti u zhvillua në oborrin e brendshëm të hollit të Spitalit Onkologjik dhe do të ndiqet nga aktivitete të tjera, që priten të zhvillohen gjatë ditëve në vazhdim.