Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka organizuar një workshop për stafin e saj kryeinfermieror.
Workshop-i me temë “Lidershipi dhe Menaxheri në Infermieristikë. Karakteristikat e një lideri transformues dhe zhvillimet ndikuese në profesionin e infermierit”, u organizua nga Drejtoria e Performancës Spitalore, në kuadër të Edukimit në Vazhdim.
Qëllimi i këtij workshop-i ishte ndarja dhe promovimi i gjetjeve dhe praktikave të bazuara në evidenca përmes përqasjes së njohurive, standardizimit dhe vlerësimit sistematik në mjediset e praktikës klinike, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e drejtimit dhe performancës së kujdesit të ofruara në shërbimet spitalore, si dhe për të mësuar rreth zhvillimeve të reja në fushën e infermieristikës.
Drejtues të këtij Workshop-i ishin 3 lektorë dhe pjesëmarrës ishin 30 kryeinfermierë të shërbimeve të ndryshme të QSUT-së.
Gjatë workshop-it u prezantua performancë duke përdorur mjete edukative dhe burime logjistike, diskutime intensive në grup dhe improvizime, me qëllim eksplorimin në aspekte të reja dhe strategji praktike.
Ky workshop vjen si një risi e sjellë nga Sektori Infermieristik i QSUT, në kuadër të Edukimit në Vazhdim për vitin 2018 dhe nuk do të jetë i vetmi, pasi priten edhe 2 workshop-e të tjerë të këtij lloji, të cilët do të kenë në fokus krijimin e protokolleve të kujdesit infermieror dhe performancën e personelit infermieror dhe kryeinfermieror.