Kemioterapia dhe rëndësia e trajtimit në kohë

27/10/2017

Këshilla për pacientet

Nga Prof.Ass. Dhurata Tarifa, mjeke onkologe
Në repartin e Kemioterapisë në spitalin Onkologjik në QSUT, pacientja vjen pasi rasti është analizuar në stafin multidisiplinar të këtij shërbimi dhe i është vendosur diagnoza. Sa më herët të kapet sëmundja aq më herët fillon edhe kurimi. Pas ciklit të tretë të trajtimit me kemioterapi, bëhet edhe rivlerësimi i gjendjes shëndetësore të pacientes me qëllim për të vendosur nëse do të vazhdohet më tej me këtë skemë mjekimi apo duhet ndryshuar. Nga eksperienca jonë, të dhënat për ecurinë e sëmundjes së kancerit të gjirit tek gratë e diagnostikuara në faza të hershme, janë më pozitive.

Për pacientet e prekura nga kanceri i gjirit ka një optimizëm vitet e fundit në drejtim të mbijetesës, kjo si rezultat i dy faktorëve më të rëndësishëm që janë: së pari, diagnoza në stade më të hershme të paraqitjes së pacienteve. Së dyti, zhvillimet e trajtimeve të personalizuara. Diagnoza më e hershme është si pasojë e dy faktorëve: rritjes së ndërgjegjësimit të grave dhe zhvillimet e imazherive që diktojnë tumoret në stade shumë të hershme. Në mbijetesën e rritur të pacienteve me kancer të gjirit, ndikon edhe zhvillimi i trajtimeve të personalizuara, të cilat përcaktohen nga të dhënat e laboratorëve morfologjikë, imunohistokimikë dhe ato molekulare, të cilat japin të dhëna prognostike mbi natyrën e tumorit dhe shkallën e agresivitetit të tij. Të gjitha këto kanë rezultuar në një ulje të vdekshmërisë me 40% krahasuar me vitet 80-90.

Çfarë është Kemioterapia?
Kemioterapia është trajtim medikamentoz sistemik i kancerit që ka për qëllim:

  • të eleminojë qelizat kanceroze që qarkullojnë me anë të gjakut
  • të reduktojë dimensionin e tumorit para interventit kirurgjikal
  • të mjekojë një kancer të avancuar
  • të qetësojë simptomat e një kanceri të caktuar.

Përpara fillimit të trajtimit me kemioterapi, pacientja, sipas diagnozës që ka, merr një informacion të detajuar rreth trajtimit të cilit do t’i nënshtrohet. Theksohet këtu, se trajtimi i specializuar kërkon një bashkëpunim shumë të ngushtë me pacienten, pasi ai ndryshon sipas rastit. Mjeku i bën të qartë pacientes efektet anësore të mundshme të terapisë të cilat mund të evidentohen ose jo, gjatë trajtimit por pacientja duhet t’i dijë. Gjithashtu sipas rastit të pacientes, mjeku rekomandon edhe dietat që duhet të ndjekë pacientja, kryesisht pas marrjes së trajtimit. Përpara marrjes së trajtimit të çdo forme, pacienti pajiset me ekzaminimet e gjakut dhe ato imazherike (mamografi, rezonancë magnetike etj) të nevojshme sipas këshillimit të mjekut specialist.

Kohëzgjatja e Kemioterapisë
Koha e marrjes së një seance kemioterapie është e ndryshme, në varësi të skemave dhe varion nga 1 orë deri 48 orë. Ndërkohë edhe intervali i marrjes së terapisë varion nga 1 javë në 28 ditë edhe kjo në varësi të skemave të ndryshme në tumorë të ndryshëm. Kohëzgjatja e këtij trajtimi mund të jetë përgjithësisht nga 4 deri në 6 muaj, periudhë gjatë të cilës kryhen nga 3-4 deri në 6-8 cikle trajtimi. Gjithsesi, trajtimi mund të ndryshojë në varësi të diagnozës, pacientit dhe llojit të mjekimit individual.

Si kryhet Kemioterapia dhe efektet anësore të saj
Kemioterapia merret me rrugë të ndryshme si: rruga orale, intramuskulare, intravenoze apo intrakavitare në hapësirat e trupit siç është ajo e barkut.

Efektet anësore të saj grupohen në efekte anësore të përgjithshme dhe specifike. Ndër efektet anësore të përgjitshme, të cilat ndodhin pothuajse në të gjithë pacientet janë: të përzierat, të vjellat, rënia e flokëve, dëmtimi i palcës së kuqe të kockave etj. Ndërkohë efektet anësore janë specifike, në varësi të organeve dhe sistemeve që ato kanë topizëm të dëmtojnë. Përpara fillimit të trajtimit, pacientja informohet nga mjeku specialist kemioterapeut për efektet e mundshme të pritshme ose jo, që mund të ndodhin pas marrjes së trajtimit, në të gjitha format e aplikimit.

Këshillat për pacientet
Këshillat pacientes i rekomandohen nga mjeku specialist dhe duhet të themi se ato janë specifike në paciente të ndryshëm dhe varen nga dy faktorë shumë të rëndësishëm që janë: lloji i skemës së mjekimit e cila mund të jetë e thjeshtë e moderuar apo e vështirë si dhe performanca e pacientes gjatë dhe pas mjekimit, pra si reagon pacientja ndaj terapisë. Konkretisht mjeku e udhëzon pacienten për kujdesin në dietë që ajo duhet të ketë apo aktivitetin fizike që duhet të kryejë gjatë ditëve të pushimit, si edhe gjatë ditëve të terapisë dhe më pas. Këto këshilla janë të ndryshme në pacientë të ndryshëm. Pacientet që kanë performacë shumë të mira mund të vazhdojnë të bëjnë një jetë normale, të ushqehen dhe të kryejnë aktivitet fizik si çdo njeri tjetër. Ndërkohë gjatë ditëve të terapisë pacientet këshillohen të konsumojnë sa më shumë lëngje, të ushqehen me një dietë me sa më pak apo pa yndyrna shtazore, por të pasur me perime dhe frutat e stinës si dhe të kryejnë një aktivitet normal. Pacientet me një performancë jo të mirë duhet të këshillohen vazhdimisht me doktorin e tyre pasi këshillat janë shumë specifike dhe të ndikuara nga shumë faktorë, psh në varësi të mjekimit që marrin një pjesë e pacienteve këshillohen mos të ekspozohen ndaj të ftohtit apo diellit pasi ky i fundit mund të krijohen komplikacione në lëkurë. Pacientet që shfaqin probleme me veshkat, gjatë terapisë, këshillohen të konsumojnë sa më shumë lëngje. Pacientet me performancë jo të mirë nuk duhet të sforcohen fizikisht si dhe të duhet të ndjekin një dietë të shëndetshme, siç u fol më sipër.

Ecuria e kontrolleve
Edhe gjatë kryerjes së kemioterapisë është e nevojshme bërja e ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike. Konkretisht midis dy cikleve kemioterapi bëhen ekzaminimet laboratorike pra një analizë gjaku e thjeshtë, pasi ndodh një ulje e rruazave të bardha të gjakut. Ndërkohë pasi disa ciklesh, në varësi të skemës së mjekimit të pacientes, bëhen ekzaminimet vlerësuese të sëmundjes që janë markusët tumoral dhe ekzaminimet imazherike, sipas rastit. Ndërkohë pasi përfundon gjithë protokolli i terapisë, pacientja kontrollohet gjatë vitit të parë dhe të dytë pas terapisë, çdo 3-4 muaj. Gjatë vitit të tretë dhe të katërt kontorollet bëhen çdo 6 muaj dhe pas vitit të pestë, një herë në vit. Gjatë kontrolleve pacientja duhet të bëjë analiza gjaku, eko, mamografi apo rezonancë, sipas protokollit mjekësor që i kërkon mjeku kurues.

Posted in Lajme by admin qsut