Mjekët bëjnë apel për kontroll të syve të fëmijëve para fillimit të shkollës

08/09/2017

Intervistë me Dr. Eneda Rustemi, mjeke okuliste

Dr. Eneda Rustemi, mjeke okuliste pranë shërbimit të Pediatrisë së Përgjithshme në QSUT “Nënë Tereza”, thekson rëndësinë e një vizite mjekësore për të gjithë fëmijët të cilët shkojnë për herë të parë në shkollë. “Na ka ndodhur në jo pak raste, që nxënësit e klasave të para, pasi kanë filluar procesin mësimor të vijnë dhe të diagnostikohen me probleme të shikimit, në disa raste edhe të rënda. Këto probleme të diagnostikuara me vonesë, nëse do të ishin kontrolluar më parë, gjatë një vizite mjekësore rutinë, do të ishin parandaluar. Ndaj edhe një herë theksoj rëndësinë e kontrollit të syve tek fëmijët e moshave parashkollore në të gjitha rrethet e vendit, jo vetëm në kryeqytet”, shprehet Dr. Rustemi.

Cilat janë problemet (anomalitë) më të shpeshta të shikimit që hasen të fëmijët?
Sëmundjet e syrit, te fëmijët mund të jenë të lindura ose të fituara. Më të shpeshta janë anomalitë e lindura. Strabizmi dhe anomalitë e refraksionit janë patologjitë më të shpeshta të shikimit, në moshat e vogla. Strabizmi është shtrembërimi i syve nga boshti qëndror i shikimit. Ai mund të jetë i lindur ose i fituar. Kur nuk është i lindur, strabizmi mund të vijë si pasojë e ndonjë traume ose temperature të lartë, që ka kaluar fëmija. Ka tipe të ndryshëm strabizmi. Eshtë konvergens, kur syri shkon brenda dhe divergens kur syri shkon jashtë. Ndërkohë kemi dhe hypertropi dhe hypotropi kur syri lëviz lart dhe poshtë.  Gjithashtu tek fëmijët e vegjël shfaqen dhe anomalitë e refraksionit, të cilat janë myopia, hipermetropia dhe astigmatizmi. Edhe këto anomali mund të jenë të lindura ose të fituara. Në bazë të difektit të boshtit të përthyerjes së rrezeve rritëse, përcaktohet se çfarë anomalie refraksioni  është. Sëmundje të tjera, por që janë më të rralla janë glaucoma, catarracta ose degjenerimet distrofike retinale  congenitale.

Cila është rëndësia e diagnostikimit të hershëm të këtyre sëmundjeve?
Sa më herët të zbulohen sëmundjet e shikimit, aq më e madhe dhe e shpejtë është mundësia e rikuperimit të anomalive të shikimit. Komplikacioni më i shpeshtë dhe më i vështirë për t’u trajtuar është ambliopia ose syri dembel.  Sa më shpejt të zbulohet që fëmija ka një sy dembel aq më e madhe është mundësia e trajtimit. Fëmija duhet të jetë më i vogël se 8 vjeç për të rikuperuar shikimin, prandaj zbulimi i hershëm çon në trajtimin sa më efikas dhe ul mundësinë e invalidizimit të syrit dhe shikimit.

Sa i rëndësishëm është kontrolli i shikimit të moshës parashkollore?

Pikërisht për të parandaluar ambliopinë, kontrolli i fëmijës, në moshën 6 vjeç është i domosdoshëm. Strabizmi është një patologji e dukshme prandaj zbulohet më shpejt, pasi prindërit e çojnë te mjeku fëmijën, sapo e vënë re që syri i fëmijës shkon shtrembër. Më i vështirë është kur fëmija nuk ka asnjë të dhënë anormale nga pamja fizike e syrit ose asnjë ankesë dhe prindërit e neglizhojnë vizitën e syve.  Raste të tilla të moskryerjes së vizitës në moshat e hershme, kur janë paraqitur te mjeku, kanë qenë të vonuara dhe nuk mund të korigjohej një ambliopi apo strabizëm i mundshëm dhe fëmija është invalidizuar. Kjo e bën shumë të rëndësishëm kontrollin rutinë të syrit, para se fëmija të shkojë në shkollë. Na ka ndodhur në jo pak raste, që nxënësit e klasave të para, pasi kanë filluar procesin mësimor të vijnë dhe të diagnostikohen me probleme të shikimit, në disa raste edhe të rënda. Këto probleme të diagnostikuara me vonesë, nëse do të ishin kontrolluar më parë gjatë një vizite mjekësore rutinë, do të ishin parandaluar. Ndaj edhe një herë theksoj, rëndësinë e kontrollit të syve tek fëmijët e moshave parashkollore në të gjitha rrethet e vendit, jo vetëm në kryeqytet.

 A mund të shmanget krijimi i defekteve të refraksionit apo parandalohet përkeqësimi i tyre?
Nuk mund të bëhet diçka konkrete për parandalimin e tyre, por mund të marrim masa që të mos kemi rritje të madhe të numrit.  Disa këshilla për këtë qëllim janë:

  • Duhet t’i krijojmë fëmijës kushte optimale studimi. Të kenë dritë të mjaftueshme në tavolinën e punës, të jetë dritë e ngrohtë dhe jo shumë e fortë. Drita duhet të bjerë mbi libër apo fletore dhe jo mbi sytë e fëmijës.
  • Të ketë kufizim ndaj ekspozimit të lojërave të ndryshme elektronike, ekranit të televizorit, tabletave apo telefonave etj.
  • Të ndjekin vizitat në mënyrë të rregullt te okulisti dhe të sigurohen që xhami i syzeve të fëmijës të jetë cilësor dhe i padëmtuar.

Apel për prindërit
Ka një protokoll mjekësor kur duhet të bëhen vizitat e fëmijës dhe duhet të ndiqet me rigorozitet nga prinderit. Kur fëmijët nuk kanë difekt të jashtëm të syrit si ptozë palpebrale, strabizëm, mikroftalmus, etj, duhet të vizitohen nga okulisti, në moshën 2,5 vjeç dhe pastaj me rradhë në moshat 5, 6, 10, 12, 16 vjeç. Secila fazë e rritjes përkon me nga një të metë refraksioni. Kur shfaqen anomalitë e përmendura më lart, fëmija duhet të çohet tek mjeku okulist menjëherë, sapo vihet re defekti. Është mjeku ai që do përcaktojë dhe trajtimin e tij, që mund të jetë konservativ ose kirurgjikal.

Posted in Lajme by admin qsut