Ministrat Agani e Beqaj nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri në Shëndetësi

25/04/2014

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani dhe homologu i tij nga Republika e Shqipërisë, Ilir Beqaj, nënshkruan sot në Prishtinë Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë midis dy ministrive respektive.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi të përbashkët të ekipeve të dy ministrive, i cili u zhvillua në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, në vazhdimësinë e takimeve midis dikastereve qeveritare të dy shteteve, pas takimit të përbashkët të dy Qeverive të mbajtur kohë më parë në Prizren.

Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim që të fuqizojë bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore duke u frymëzuar në parimet e barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha pas takimit para mediave se nënshkrimi i Marrëveshjes së re të bashkëpunimit, është fillimi i konkretizimit të bashkëpunimit midis dy ministrive, me qëllim që shëndetësia e dy shteteve të unifikojë shëndetësinë në pikat kryesore të bashkëpunimit me resurset dhe mundësitë në dispozicion.

Ky është një rast unik që hap mundësi të reja bashkëpunimi konkret, rezultatet e të cilit do të mund të analizohen qysh pas tre muajve, tha Ministri Agani, duke theksuar faktin se themelimi i Komitetit të përbashkët të Monitorimit dhe Koordinimit,do ta vlerësojë progresin e arritur deri në atë kohë dhe do të përcaktojë edhe hapat e bashkëpunimit të mëtejme duke filluar me sistemin e informimit shëndetësore dhe fushat e tjera.

Ministri Ilir Beqaj tha se nënshkrimi i Marrëveshjes është një moment i rëndësishëm për ta çuar  në një stad  më të lartë bashkëpunimin midis dy vendeve në shëndetësi, me qëllimin e përmirësimit të kujdesit shëndetësor për qytetarët e dy vendeve.

“Ne kemi vendosur të harmonizojmë sistemin e informimit shëndetësor dhe e njëjta gjë do të bëhet edhe me protokollet e trajtimit mjekësor dhe çështjet e tjera, ashtu që të dy fondet e sigurimeve shëndetësore të mund të kryejnë pagesa në të dy vendet dhe të kontraktojnë shërbime”, tha Ministri Beqaj.

Ai tha se midis dy ministrive është vendosur në agjendë bashkëpunimi agresive në kuptimin pozitiv, ashtu që pas tre muajve të shkohet në veprime të tjera, ndërkohë që theksoi se nga marrëveshja banorët e zonës së Bajram Currit e Hasit në veri të Shqipërisë do të mund të marrin shërbime shëndetësore në Kosovë, ndërkohë që, Shqipëria do t’i ofrojë asistencën Kosovës në fushën e disa shërbimeve të nivelit terciar.

Ministri Agani ndërkaq, duke iu referuar perspektivës së bashkëpunimit Kosovës –Shqipëri në shëndetësi, tha se orientimi duhet të jetë që pas disa vitesh, Kosova e Shqipëria ta kenë një Strategji të përbashkët kombëtare për fushën e shëndetësisë.

Përveç takimit të dy ministrave dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së bashkëpunimit, ekipet e dy ministrive të përfaqësuara në nivele të drejtorëve ekzekutive të Agjensioneve, shërbimeve spitalore dhe inspektorateve…,  kanë zhvilluar takime për të konkretizuar fushat e bashkëpunimit reciprok midis tyre.

Realizimi i marrëveshjes së nënshkruar sot në Prishtinë do të përcillet nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit dhe Koordinimit ndërsa fushat prioritare të bashkëpunimit kanë të bëjnë me organizimin e sistemeve shëndetësore kombëtare përkatëse, mbikëqyrjen epidemiologjike dhe parandalimin e HIV/AIDS-it, monitorimin e sistemeve të alarmit epidemiologjik dhe kontrollit të pandemive, parandalimin e sëmundjeve kronike, bashkëpunimin në farmaceutikë, bashkëpunimin në mjekësinë alternative, në mjekësinë rehabilituese, trajnimin e kuadrit mjekësor, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e aparaturës mjekësore, mundësitë që kuadri mjekësor të mund të punojë në të dy shtetet, etj.

(Marrë nga faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës)

Posted in Lajme by admin qsut