Në QSUT “Nënë Tereza”, program mësimdhënie për fëmijët e hospitalizuar.

26/03/2014

Fëmijët që trajtohen për patologji të ndryshme në Shërbimin e Pediatrisë dhe shërbime të tjera në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, edhe pse në kushte hospitalizimi, po ndjekin programin e arsimit parashkollor si bashkëmoshatarët e tyre.

Ky program u lancua sot nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, të cilët vizituan Shërbimin e Pediatrisë Onkohematologjike, në QSUT “Nënë Tereza”. Ky program është një risi në nismat e përbashkëta të dy ministrive për të siguruar akses dhe për t’iu ardhur në ndihmë fëmijëve që trajtohen për patologji të ndryshme në Shërbimin e Pediatrisë dhe shërbime të tjera në QSUT.

Në fjalën e mbajtur për mediat e pranishme me këtë rast, Ministri Beqaj tha se “në një aktivitet që bëmë këtu, ditët e ndërrimit të viteve, midis çështjeve të tjera të shërbimit, doktoreshë Anila Godo, na kërkoi një mundësi që fëmijët, të cilët qëndrojnë për periudha shumë të gjata në spital, të mund të kishin edhe një shërbim pedagogjik.”

“Për fat të mirë edhe me ndihmën e Ministrisë së Arsimit që nga fillimi i kësaj jave për rreth 25 fëmijë që rrinë me muaj edhe gjithë vitin shkollor, nga Drejtoria Arsimore e Tiranës, janë atashuar mësuese që do t’i ndihmojnë ata të mbajnë të gjalla njohuritë që kanë marrë në shkollë, në mënyrë që kur të shërohen, të mund t’i rikthehen shkollës, pa krijuar boshllëqe në formimin e tyre arsimor”, nënvizoi Beqaj.

Ministrja Nikolla u shpreh se “sigurisht që është detyrimi ynë për të qenë sot këtu që krahas shërbimit krejt përkushtim që këto mjeke të nderuara kryejnë ndaj fëmijëve, ne të jemi pranë edhe për t’ju mundësuar atyre jo vetëm mosmbetjen mbrapa ndaj disa njohurive shkollore, por për t’ju mundësuar shkollim edhe në këto mjedise specifike siç janë spitalet”.

Gjithashtu duke folur për bashkëpunimin e ndërsjelltë ndërmjet dy ministrive, Ministrja Nikolla tha se “do të doja të falenderoja veçanërisht mjekët në këtë spital, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrin dhe t’ju garantoj gjithashtu familjarëve të këtyre vogëlushëve që ne takuam sot, që gjithnjë e më shumë ne do të jemi një mundësi e hapur në mënyrë që në këto kushte specifike ato të kenë një copëz jetë nga jeta e bashkëmoshatarëve të tyre dhe të mos ngelen pas jo vetëm me dijen, por edhe me këto mundësi. Faleminderit edhe njëherë mjekëve të nderuar për gjithçka që bënë, ne i pamë sot ata fëmijë, që edhe pse në kushte të vështira fizike, kishin etjen dhe dëshirën për të qenë pranë mësuesve, për të qenë pranë shkollës”.

Posted in Lajme by admin qsut