QSUT, Djegie-Plastika me salla të reja operacioni

19/03/2014

Manastirliu: Rriten kapacitetet kuruese, standarde europiane për pacientët

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është kryer një rikonstruksion i plotë i bllokut operator me infrastrukturat ndihmëse të tij në pavionin e Djegie-Plastikës, nëpërmjet një granti të Komisionit Europian. Në përurimin e sallave të reja merrnin pjesë, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, z. Clive Rumbold, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri , Drejtoresha e QSUT, znj. Ogerta Manastirliu, shefi i shërbimit të Djegie Plastikës, Prof. Gjergji Belba së bashku me stafin e këtij shërbimi. “Janë rreth 1 milion euro të financuara nga një grant i BE-së, që kanë mbështetur këtë projekt. Është një projekt i rëndësishëm që rrit në radhë të parë cilësinë e shërbimit për qytetarët shqiptarë”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në ceremoninë e inaugurimit. Clive Rumbold, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, theksoi se “në BE, ne vendosëm me autoritetet shqiptare se cilat janë prioritetet dhe të gjitha shtetet anëtare së bashku vendosin se ku do ta fokusojnë ndihmën që ata do të japin. Këtë e bëjmë me qëllim që Shqipëria të vijë sa më afër standardeve europiane dhe sa më pranë BE”. “Jemi të lumtur që po përmirësojnë cilësinë e qytetarëve shqiptarë”, shtoi Rumbold.

Duke folur për projektin, drejtoresha e QSUT, znj. Manastirliu theksoi se “qëllimi i realizimit të këtij projekti është rritja e kapaciteteve kuruese të pacientëve që kanë djegie të rënda si dhe aplikimi i standardeve europiane në kurimin e tyre. Vitin e kaluar në këtë shërbim janë kuruar mbi 1 mijë pacientë dhe tani me kapacitetet e reja ky numër pritet të shkojë deri 1400 pacientë, duke patur parasysh që 60 për qind e tyre janë fëmijë”. “Vlera e grantit është 950 000 euro dhe përfshihen në të rikonstruksioni i plotë i bllokut operator me infrastrukturat ndihmëse të tij, instalimi i disa aparaturave, pajisjeve dhe mobilieve mjekësore, furnizimin e një pakete barnash të domosdoshme për shërbimin dhe trajnimin e stafit ekzistues”, tha znj. Manastirliu. Kontrata e këtij Granti është nënshkruar midis QSUT dhe delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë dhe partnerë në zbatimin e saj janë: Shërbimi i Djegie-Plastikës në QSUT, Agjencia Rajonale Shëndetësore e Rajonit të Puglias, Itali dhe Reparti i Specializuar i Djegieve të Rënda të spitalit “Perrino”, Brindizi, Itali. Nëpërmjet këtij rikonstruksioni është ndërhyrë në konstruksionin mbajtës, rifiniturë dhe në të gjitha rrjetet inxhinierike të tre sallave operatore si dhe është bërë i mundur rikualifikimi i fasadës dhe hyrjes kryesore, përmirësimi në rrjetin elektrik, vendosja e një gjeneratori dhe UPS, rrjeti i gazeve mjekësorë së bashku me depozitën e oksigjenit, gjithashtu përmirësimi i rrjetit hidraulik dhe depozitave të ujit, këmbyesit të nxehtësisë në rast vendosje paneli diellor, sistemi i ventilim- kondicionimit sipas kushteve të BE për sallat e operacionit. Për inicimin e këtij granti shërbeu fluksi i madh i pacientëve me djegie të shkaktuara nga tragjedia në fshatin Gërdec ku mbetën të dëmtuar një numër i madh banorësh dhe shërbimi i Djegie-Plastikës mbajti peshën kryesore në kurimin e tyre.

Posted in Lajme by admin qsut