Stafi mjekësor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të ketë mundësinë të trajnohet dhe të bashkëpunojë me Njësinë Lokale të Kujdesit Shëndetësor dhe Social Nr.5 (Azienda Unita Locale Socio Sanitaria 5, Ovestvicentino) në Vicenza, Itali, në kuadër të një projekti binjakëzimi për të dy institucionet shëndetësore.
Gjatë një vizite studimore disa ditore pranë kësaj qendre me ftesë të drejtorit Dr. Giuseppe Cenci, drejtoresha e QSUT është njohur me aktivitetin e qendrës dhe ka ndërmarrë një sërë takimesh gjatë të cilave ndër të tjera është diskutuar institucionalizimi i marrëdhënieve nëpërmjet nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi mes dy palëve.
Drejtuesit administrativë dhe mjekësorë të ULSS Nr.5 Ovest Vicentino kanë shprehur interesimin dhe gatishmërinë mbi bashkëpunimin në të ardhmen, shkëmbimin e eksperiencave, formimin profesional të mjekëve si dhe mbështetjen që kjo qendër shëndetësore do të ofrojë.