Asistencë nga ekspertë të OBSH për rritjen e kapaciteteve të stafit infermieror të QSUT dhe hartimin e dokumenteve strategjikë për kujdesin dhe sigurinë ndaj pacientit.

30/06/2015

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, drejtoresha e saj znj. Ogerta Manastirliu ka drejtuar punën në ekip të ekspertëve të mbështetur nga programi i zyrës së OBSH për Shqipërinë në kuadër të hartimit të dokumenteve strategjikë të spitalit si dhe hartimin e paketës së procedurave standarde të kujdesit dhe sigurisë së pacientit, rekrutimit dhe rritjes së kapaciteteve të personelit infermieror nëpërmjet Platformës së trajnimit dhe edukimit në vazhdim. Projekti dhe objektivat e tij u prezantuan gjatë tryezës së rrubullakët të zhvilluar në prani të konsulentëve të OBSH, znj. Gill Coverdale, nga Royal College of Nursing, UK, znj. Elza Lavon, nga Sheba Medical Center, Tel Hashomer, Izrael dhe z. Rui Perera, Prof. i Asociuar në Universitetin e Minhos, Shkolla e Infermierisë, Portugali, stafit drejtues menaxherial dhe kryeinfermierëve të disa prej shërbimeve mjekësore në QSUT.

 

Ky projekt fokusohet në tre drejtime kyçe që lidhen me standardizimin e procedurave të sigurisë dhe kujdesit ndaj pacientit, hartimin e standardeve për rekrutimin e personelit infermieror dhe hartimin e një platforme afatmesme të edukimit në vazhdim për kujdesjet infermierore.

 

“Ka ardhur momenti që ne të punojmë në një nivel të ri” – tha drejtoresha e QSUT znj. Ogerta Manastirliu, “është shumë e rëndësishme që të gjithë ne të jemi pjesë e këtij procesi që mbështet programin dhe objektivat tona si qëndra më e madhe spitalore në vend për unifikimin e procedurave për sektorin infermieror dhe dokumenteve strategjikë të spitalit. Këto dokumente strategjikë do të jenë një bazë e mirë për t’u përdorur edhe nga spitalet e tjera në vend.”

 

Gjatë takimit u prezantua Draft-Paketa e procedurave standarde dhe rregulloreve të brendshme për sigurinë e pacientit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” e hartuar nga stafi drejtues dhe ekspertë të QSUT, në themel të të cilës është forcimi i kujdesit dhe sigurisë së pacientit përmes praktikave më të mira infermierore. Konsulentët e OBSH do të asistojnë në vijim stafin përmes misioneve këshillimore dhe rekomandimeve për përmirësimin e këtij drafti.

 

Qëllimi final është implementimi i drejtë dhe efektiv i këtyre praktikave në shërbimet mjekësore, dimensioni i të cilave është thelbësor për përmirësimin e cilësisë dhe kujdesit ndaj pacientit në QSUT.

Posted in Lajme by admin qsut