05/05/2014

Mjekët e spitaleve në QSUT, tashmë nuk mund të lëvizin drejt klinikave të tyre apo në spitale të tjera private gjatë orarit zyrtar.

Ndonëse me parë mjeku paraqitej në pavionet e QSUT-së, vetëm 3 apo 4 orë, aq sa i nevojitej për të transeferuar pacientët drejt klinikës së tij private, tani ai është prezent 7 orë e gjysmë, siç parashikohet në rregullore. “Në bashkëpunim me shërbimet mjekësore, me shefat e shërbimeve, ne jemi duke punuar, sa i përket edhe respektimit dhe disiplinës në punë. Me mbështetjen e tyre dhe me përkrahjen e tyre, sot mjekët janë në eficensë të plotë përgjatë gjithë orarit zyrtar, orarit të punës në spitalet tona”, thotë Ogerta Manastirliu, drejtore e QSUT-së.

Dhe jo vetëm gjatë javës, por mjekët janë rikthyer në QSUT edhe ditëve të shtuna, ku zakonisht më parë gjeje vetëm mjekun roje, me pretendimin se ishte ditë pushimi.

“Të shtunave, mjekët dhe shefat e shërbimeve vetë, së bashku me ekipet e tyre, dalin në punë, gjithashtu dhe duke ndjekur raste të vecanta pacientësh”, thotë Manastirliu.

Drejtorja e QSUT-së, shpjegon se gjithçka është përcaktuar në rregullore dhe nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po vënë në zbatim atë, nismë e cila ka gjetur mbështetjen e të gjithë shefave të shërbimit.

“Statuti i QSUT-së, por edhe rregulloret e dala në zbatim të tij, i përcaktojnë të gjitha masat administrative dhe jo, për sa i përket mungesave në punë. Ato janë shumë mirë të qarta dhe të shkruara. Sigurisht ne nuk do të donim që të merrnim këto masa. Në fakt nuk është se ka qenë praktikisht e nevojshme, por sigurisht pjesa e monitorimit dhe kontrollit mbetet një ndër objektivat tona të punës. Një institucion kaq i madh është i pamundur të kontrollohet nëqoftëse nuk ka një sistem elektronik të kontrollit. Nuk mund të kontrollosh me burime njerëzore, burimet njerëzore”, thotë kreu i QSUT-së. Ndonëse Manastirliu thekson se nuk është në qëllimin e saj ndëshkimi i mjekëve, duket se askush nga mjekët nuk zgjedh të ndëshkohet  me masa administrative që parashikohen apo t’u cënohet imazhi për thyrje të rregullores. Edhe pse ata paguhen më mirë në klinikat private, ku janë dypunësuar ata vlerësojnë punën në QSUT dhe askush nuk dëshiron të largohet prej saj.

(Marrë nga “Top Channel”)

Posted in Lajme by admin qsut
25/04/2014

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani dhe homologu i tij nga Republika e Shqipërisë, Ilir Beqaj, nënshkruan sot në Prishtinë Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë midis dy ministrive respektive.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi të përbashkët të ekipeve të dy ministrive, i cili u zhvillua në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, në vazhdimësinë e takimeve midis dikastereve qeveritare të dy shteteve, pas takimit të përbashkët të dy Qeverive të mbajtur kohë më parë në Prizren.

Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim që të fuqizojë bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore duke u frymëzuar në parimet e barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha pas takimit para mediave se nënshkrimi i Marrëveshjes së re të bashkëpunimit, është fillimi i konkretizimit të bashkëpunimit midis dy ministrive, me qëllim që shëndetësia e dy shteteve të unifikojë shëndetësinë në pikat kryesore të bashkëpunimit me resurset dhe mundësitë në dispozicion.

Ky është një rast unik që hap mundësi të reja bashkëpunimi konkret, rezultatet e të cilit do të mund të analizohen qysh pas tre muajve, tha Ministri Agani, duke theksuar faktin se themelimi i Komitetit të përbashkët të Monitorimit dhe Koordinimit,do ta vlerësojë progresin e arritur deri në atë kohë dhe do të përcaktojë edhe hapat e bashkëpunimit të mëtejme duke filluar me sistemin e informimit shëndetësore dhe fushat e tjera.

Ministri Ilir Beqaj tha se nënshkrimi i Marrëveshjes është një moment i rëndësishëm për ta çuar  në një stad  më të lartë bashkëpunimin midis dy vendeve në shëndetësi, me qëllimin e përmirësimit të kujdesit shëndetësor për qytetarët e dy vendeve.

“Ne kemi vendosur të harmonizojmë sistemin e informimit shëndetësor dhe e njëjta gjë do të bëhet edhe me protokollet e trajtimit mjekësor dhe çështjet e tjera, ashtu që të dy fondet e sigurimeve shëndetësore të mund të kryejnë pagesa në të dy vendet dhe të kontraktojnë shërbime”, tha Ministri Beqaj.

Ai tha se midis dy ministrive është vendosur në agjendë bashkëpunimi agresive në kuptimin pozitiv, ashtu që pas tre muajve të shkohet në veprime të tjera, ndërkohë që theksoi se nga marrëveshja banorët e zonës së Bajram Currit e Hasit në veri të Shqipërisë do të mund të marrin shërbime shëndetësore në Kosovë, ndërkohë që, Shqipëria do t’i ofrojë asistencën Kosovës në fushën e disa shërbimeve të nivelit terciar.

Ministri Agani ndërkaq, duke iu referuar perspektivës së bashkëpunimit Kosovës –Shqipëri në shëndetësi, tha se orientimi duhet të jetë që pas disa vitesh, Kosova e Shqipëria ta kenë një Strategji të përbashkët kombëtare për fushën e shëndetësisë.

Përveç takimit të dy ministrave dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së bashkëpunimit, ekipet e dy ministrive të përfaqësuara në nivele të drejtorëve ekzekutive të Agjensioneve, shërbimeve spitalore dhe inspektorateve…,  kanë zhvilluar takime për të konkretizuar fushat e bashkëpunimit reciprok midis tyre.

Realizimi i marrëveshjes së nënshkruar sot në Prishtinë do të përcillet nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit dhe Koordinimit ndërsa fushat prioritare të bashkëpunimit kanë të bëjnë me organizimin e sistemeve shëndetësore kombëtare përkatëse, mbikëqyrjen epidemiologjike dhe parandalimin e HIV/AIDS-it, monitorimin e sistemeve të alarmit epidemiologjik dhe kontrollit të pandemive, parandalimin e sëmundjeve kronike, bashkëpunimin në farmaceutikë, bashkëpunimin në mjekësinë alternative, në mjekësinë rehabilituese, trajnimin e kuadrit mjekësor, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e aparaturës mjekësore, mundësitë që kuadri mjekësor të mund të punojë në të dy shtetet, etj.

(Marrë nga faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës)

Posted in Lajme by admin qsut
08/04/2014

Programi i Integruar i Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik në Shqipëri, i financuar nga USAID, ka organizuar në qytetin e Korçës në datat 7-8 Prill, seminarin vjetor të Zhvillimit të Lidershipit Shqiptar të Telemjeksisë dhe Shëndetit Elektronik (Annual Albanian Telemedicine and e-Health Leadership Development Seminar). Në këtë program të (e-health) teknologjisë shëndetësore marrin pjesë rreth 14 shërbime mjekësore që ofrohen nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me qëllim për t’u shfrytëzuar mundësitë jo vetëm në rastin e konsultave me anë të Telemjekësisë për raste që kërkojnë mendimin e specialistit përpara transferimit, por dhe për edukimin në vazhdim të mjekëve në Spitalet Rajonale, duke u bërë pjesë e stafeve të përjavshme që organizohen nga shërbimet e QSUT falë teknologjisë.

 

Në bazë të Urdhërit të Ministrit të Shëndetësisë, Nr.661, Dt.06/12/2013 “Për Shfrytëzimin e Rrjetit të Telemjekësisë për të  konsultuar paraprakisht, transferimin e pacientëve drejt spitaleve terciare”, Drejtoria e QSUT  mori masat për zbatimin e këtij urdhri, nëpërmjet shkresave drejtuar shefave të shërbimit.

 

Në fjalën e saj, falë teknologjisë së avancuar të Telemedicinës, drejtoresha e QSUT, znj.Ogerta Manastirliu përshëndeti pjesëmarrësit e seminarit në Korçë nga Qendra e Telemjekësisë shqiptare në kryeqytet. Znj. Manastirliu u shpreh se “Në këtë program të (e-health) teknologjisë shëndetësore,  marrin pjesë rreth 14 shërbime mjekësore që ofrohen nga Qendra Spitalore Universitare “ Nënë Tereza”, por faktikisht janë përfshirë të gjitha shërbimet e QSUT. Një mundësi për t’u shfrytëzuar dhe për t’u bërë pjesë e ritmit të punës nga të gjithë specialistët. Deri tani telekonsultat e kryera nga shërbimet e QSUT me rrethin e Korçës, kanë rezultuar të suksesshme. Në bazë të relacioneve që kemi, shërbimi i Traumatologjisë, i Neurokirurgjisë dhe Kardiologjisë, rezultojnë që kanë kryer më shumë telekonsulta. Sigurisht, kjo është varur nga rastet e kërkuara për t’u telekonsultuar”. Drejtoria e QSUT është në përfundim të përcaktimit të listës së personelit shëndetësor që do i përgjigjet telekonsultave në bazë të kërkesës dhe listën e mjekëve roje për çdo shërbim në QSUT. “Duke ju uruar punime të mbara në këtë workshop, do t’ju siguroja bashkëpunimin tim maksimal në vazhdimësinë e këtij programi”, përfundoi fjalën e saj drejtoresha e QSUT.

Posted in Lajme by admin qsut
29/03/2014

Manastirliu: Futja e kabineteve Kapa, ngre në nivel më të lartë shërbimet përkatëse mjekësore.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, znj.Ogerta Manastirliu, morën pjesë ditën e shtunë, datë 29/03/2014, në ceremoninë e organizuar me rastin e përurimit të kabinetit të kapave në Shërbimin e Onkologjisë në QSUT. Këto pajisje mjekësore, të cilat instalohen për herë të pare në QSUT, shërbejnë për përpunimin dhe dozimin e barnave specifikisht për çdo pacient, më saktësisht të citostatikëve, me qëllim krijimin e paketave të gatshme të kemioterapisë që shërbejnë për mjekimin e saktë dhe kosto-efiçent të sëmundjeve tumorale, duke ofruar siguri të një shkalle më të lartë si për pacientin, ashtu edhe për punonjësit e shërbimit, me shmangien tërësore të toksicitetit që vjen si pasojë e përgatitjes së këtyre barnave kemioterapeutike përpara se të shkojnë tek pacienti.

“Ne kemi deklaruar që dy janë grupet e sëmundjeve, me të cilat do të duhet të merremi në mënyrë themelore, sëmundjet tumorale dhe sëmundjet kardio-vaskulare. Dhe në fakt, për të gjitha sëmundjet, por edhe për këto, kemi bërë besoj që në këto gjashtë muaj të parë, hapa konkretë të rëndësishëm, qoftë me rritjen e ndjeshme të fondeve në dispozicion të listës së barnave për shërbimin onkologjik, madje me përfshirjen e disa barnave edhe në listën e rimbursimit,” – tha midis të tjerash Ministri Beqaj për mediat e pranishme.

Një risi tjetër që sjell përdorimi i këtyre pajisjeve, të cilat u mundësuan nga një program bashkëpunimi të ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë për përmirësimin e kujdesit spitalor shëndetësor për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve tumorale, është edhe planifikimi dhe organizimi më i saktë i cikleve të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale, duke shmangur rradhët e pritjes së pacientëve.

“Në analizën e punës,” – tha më tej z. Beqaj, “konstatuam që teknikat që përdornim për të hartuar dozat e mjekimeve, ishin teknika që kishin shumë hapësirë për mospërdorim efiçent të barnave. Siç ju e patë sot, ne montuam një instrument që quhet Kapë, i cili arrin të bëjë përzierjen e duhur të çdo doze mjekimi, duke pasur në rradhë të parë, siguri në dozen që përcaktojmë, duke patur mundësi që shfrytëzimi i barnave të jetë maksimal, por duke u ofruar padyshim profesionistëve të shëndetësisë që punojnë aty më shumë siguri në kushtet e tyre të punës. Një gjë të ngjashme, jemi duke bërë bashkë me drejtorinë edhe në dy shërbime të tjera po në QSUT, që lidhen po me sëmundjet tumorale, por që janë tek Hematologjia dhe tek Pediatria. Me të tre këto investime, në pamje të pare janë të vogla, unë besoj se efiçenca e shfrytëzimit me efikasitet të barnave disponibël është e rendit të paktën 1 milion dollarë.”

Pyetjes së një prej gazetarëve të pranishëm se kur do pajisen spitalet me ilaçe, Ministri Beqaj iu përgjigj duke thënë se “ky spital ka vijuar të pajiset me barna, në radhë të parë në dhjetor kur ne plotësuam nevojat. Pastaj, Drejtoria ka bërë në muajt e parë të vitit shtesat e kontratave, siç publiku është i njohur, sidomos për më të interesuarit, tenderat në dhjetor janë hapur dhe më datën 7, në mos gaboj, fillon dorëzimi i tyre dhe nevojat e këtyre dy muajve, Drejtoria po i plotëson me procedurat e negocijimit. Sigurisht që me datën 1 Prill, procedurat bëhen dhe më të lehta, sepse hiqet edhe TVSH-ja e barnave, dhe procedurat qoftë të importimit, qoftë të furnizimit janë shumë më të lehta.”

Ndërkohë, në fjalën e saj për mediat, znj.Ogerta Manastirliu tha se “në planin tonë të përmirësimit të shërbimeve ndaj pacientit, por kryesisht edhe të shërbimevemjekësore, kemi filluar ose kemi vazhduar punën me ndryshime të dukshme të shërbimit farmaceutik: në shërbimin e Onkologjisë, Hematologjisë dhe Onkopediatrisë. Futja ose vendosja e infrastrukturës së përshtatshme, është edhe pajisja e Kapës në këto 3 farmaci, sjell më shumë siguri për sa i përket trajtimit të pacientëve, sjell më shumë efikasitet në përdorimin e barnave për kimioterapi, dhe sigurisht sjell më shumë pacientë të trajtuar me sasitë e citostatikëve të cilët ne kemi planifikuar të trajtojmë këtë vit, pra për  2014. Është e rëndësishme të kuptojmë se futja e këtyre pajisjeve të reja, sjell dhe ngre në një nivel më të lartë shërbimet përkatëse, dhe për sa i përket Qendrës Spitalore Universitare “NënëTereza” dhe sjell dhe rrit më shumë cilësine e ofrimit të shërbimeve ndaj pacientëve.”

Së fundi, fjalën e mori Prof. Ass. Agim Sallaku, Shef i Shërbimit të Onkologjisë, i cili tha se “ky është një përmirësim mjaft i ndjeshëm për kualitetin e shërbimit për pacientët tanë, për përfitimet që ka ky sistem, gjithçka lidhet me furnizimin sa më të mire të barnave për të cilat Ministri u shpreh qartë dhe shpresojmë që ne të punojmë në kushte ashtu siç duhet, në mënyrë që të kënaqim pacientët në radhë të parë, të kënaqim dhe veten tonë.”

Posted in Lajme by admin qsut
26/03/2014

Fëmijët që trajtohen për patologji të ndryshme në Shërbimin e Pediatrisë dhe shërbime të tjera në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, edhe pse në kushte hospitalizimi, po ndjekin programin e arsimit parashkollor si bashkëmoshatarët e tyre.

Ky program u lancua sot nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, të cilët vizituan Shërbimin e Pediatrisë Onkohematologjike, në QSUT “Nënë Tereza”. Ky program është një risi në nismat e përbashkëta të dy ministrive për të siguruar akses dhe për t’iu ardhur në ndihmë fëmijëve që trajtohen për patologji të ndryshme në Shërbimin e Pediatrisë dhe shërbime të tjera në QSUT.

Në fjalën e mbajtur për mediat e pranishme me këtë rast, Ministri Beqaj tha se “në një aktivitet që bëmë këtu, ditët e ndërrimit të viteve, midis çështjeve të tjera të shërbimit, doktoreshë Anila Godo, na kërkoi një mundësi që fëmijët, të cilët qëndrojnë për periudha shumë të gjata në spital, të mund të kishin edhe një shërbim pedagogjik.”

“Për fat të mirë edhe me ndihmën e Ministrisë së Arsimit që nga fillimi i kësaj jave për rreth 25 fëmijë që rrinë me muaj edhe gjithë vitin shkollor, nga Drejtoria Arsimore e Tiranës, janë atashuar mësuese që do t’i ndihmojnë ata të mbajnë të gjalla njohuritë që kanë marrë në shkollë, në mënyrë që kur të shërohen, të mund t’i rikthehen shkollës, pa krijuar boshllëqe në formimin e tyre arsimor”, nënvizoi Beqaj.

Ministrja Nikolla u shpreh se “sigurisht që është detyrimi ynë për të qenë sot këtu që krahas shërbimit krejt përkushtim që këto mjeke të nderuara kryejnë ndaj fëmijëve, ne të jemi pranë edhe për t’ju mundësuar atyre jo vetëm mosmbetjen mbrapa ndaj disa njohurive shkollore, por për t’ju mundësuar shkollim edhe në këto mjedise specifike siç janë spitalet”.

Gjithashtu duke folur për bashkëpunimin e ndërsjelltë ndërmjet dy ministrive, Ministrja Nikolla tha se “do të doja të falenderoja veçanërisht mjekët në këtë spital, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrin dhe t’ju garantoj gjithashtu familjarëve të këtyre vogëlushëve që ne takuam sot, që gjithnjë e më shumë ne do të jemi një mundësi e hapur në mënyrë që në këto kushte specifike ato të kenë një copëz jetë nga jeta e bashkëmoshatarëve të tyre dhe të mos ngelen pas jo vetëm me dijen, por edhe me këto mundësi. Faleminderit edhe njëherë mjekëve të nderuar për gjithçka që bënë, ne i pamë sot ata fëmijë, që edhe pse në kushte të vështira fizike, kishin etjen dhe dëshirën për të qenë pranë mësuesve, për të qenë pranë shkollës”.

Posted in Lajme by admin qsut
19/03/2014

Manastirliu: Rriten kapacitetet kuruese, standarde europiane për pacientët

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është kryer një rikonstruksion i plotë i bllokut operator me infrastrukturat ndihmëse të tij në pavionin e Djegie-Plastikës, nëpërmjet një granti të Komisionit Europian. Në përurimin e sallave të reja merrnin pjesë, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, z. Clive Rumbold, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri , Drejtoresha e QSUT, znj. Ogerta Manastirliu, shefi i shërbimit të Djegie Plastikës, Prof. Gjergji Belba së bashku me stafin e këtij shërbimi. “Janë rreth 1 milion euro të financuara nga një grant i BE-së, që kanë mbështetur këtë projekt. Është një projekt i rëndësishëm që rrit në radhë të parë cilësinë e shërbimit për qytetarët shqiptarë”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në ceremoninë e inaugurimit. Clive Rumbold, i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, theksoi se “në BE, ne vendosëm me autoritetet shqiptare se cilat janë prioritetet dhe të gjitha shtetet anëtare së bashku vendosin se ku do ta fokusojnë ndihmën që ata do të japin. Këtë e bëjmë me qëllim që Shqipëria të vijë sa më afër standardeve europiane dhe sa më pranë BE”. “Jemi të lumtur që po përmirësojnë cilësinë e qytetarëve shqiptarë”, shtoi Rumbold.

Duke folur për projektin, drejtoresha e QSUT, znj. Manastirliu theksoi se “qëllimi i realizimit të këtij projekti është rritja e kapaciteteve kuruese të pacientëve që kanë djegie të rënda si dhe aplikimi i standardeve europiane në kurimin e tyre. Vitin e kaluar në këtë shërbim janë kuruar mbi 1 mijë pacientë dhe tani me kapacitetet e reja ky numër pritet të shkojë deri 1400 pacientë, duke patur parasysh që 60 për qind e tyre janë fëmijë”. “Vlera e grantit është 950 000 euro dhe përfshihen në të rikonstruksioni i plotë i bllokut operator me infrastrukturat ndihmëse të tij, instalimi i disa aparaturave, pajisjeve dhe mobilieve mjekësore, furnizimin e një pakete barnash të domosdoshme për shërbimin dhe trajnimin e stafit ekzistues”, tha znj. Manastirliu. Kontrata e këtij Granti është nënshkruar midis QSUT dhe delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë dhe partnerë në zbatimin e saj janë: Shërbimi i Djegie-Plastikës në QSUT, Agjencia Rajonale Shëndetësore e Rajonit të Puglias, Itali dhe Reparti i Specializuar i Djegieve të Rënda të spitalit “Perrino”, Brindizi, Itali. Nëpërmjet këtij rikonstruksioni është ndërhyrë në konstruksionin mbajtës, rifiniturë dhe në të gjitha rrjetet inxhinierike të tre sallave operatore si dhe është bërë i mundur rikualifikimi i fasadës dhe hyrjes kryesore, përmirësimi në rrjetin elektrik, vendosja e një gjeneratori dhe UPS, rrjeti i gazeve mjekësorë së bashku me depozitën e oksigjenit, gjithashtu përmirësimi i rrjetit hidraulik dhe depozitave të ujit, këmbyesit të nxehtësisë në rast vendosje paneli diellor, sistemi i ventilim- kondicionimit sipas kushteve të BE për sallat e operacionit. Për inicimin e këtij granti shërbeu fluksi i madh i pacientëve me djegie të shkaktuara nga tragjedia në fshatin Gërdec ku mbetën të dëmtuar një numër i madh banorësh dhe shërbimi i Djegie-Plastikës mbajti peshën kryesore në kurimin e tyre.

Posted in Lajme by admin qsut
13/03/2014

Manastirliu: Për herë të parë hartimi i listës nëpërmjet një procesi gjithë përfshirës.

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pas një pune intensive dhe të kujdesshme disa mujore, ka hartuar një listë të barnave dhe materialeve të mjekimit për përdorim spitalor, e cila ofron më shumë siguri për pacientët që do të diagnostikohen, trajtohen dhe kurohen në QSUT si dhe më shumë garanci për një mjekim të vazhdueshëm dhe pa mungesa për pacientët. Në një dalje publike për mediat së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, Drejtoresha e QSUT, znj. Ogerta Manastirliu është shprehur se këtë vit ka një rritje të buxhetit për barnat dhe materialet mjekësore, nga 1.7 miliardë lekë që ishte në 2013-ën, në 2.2 miliardë lekë.

Znj. Manastirliu ka theksuar në fjalën e saj: “Për herë të parë ka ndodhur që Lista e barnave dhe materialeve të mjekimit është hartuar nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës konsultues të një ekipi profesionistësh të përbërë nga mjekë, farmakologjistë, shefa të klinikave mjekësore dhe strukturave të administratës, duke analizuar:

  • Profilet e sëmundjeve/nozologjive kryesore;
  • Efektshmërinë e medikamenteve të testuara, bazuar në protokollet ekzistuese të mjekimit;
  • Efektshmërinë e medikamenteve të reja bazuar në protokollet më të reja bashkëkohore të mjekimit për shtatë shërbime mjekësore.

Ndërkohë paralelisht janë analizuar:

  • Konsumi i barnave apo materialeve për vitet e mëparshme;
  • Sasia e stoqeve të krijuara në kohë;
  • Gjendja ekzistuese në depot farmaceutike.”

Në bashkëpunim me stafin e QSUT dhe ekspertët e MSH është hartuar një listë esenciale e barnave gjenerikë cilësorë duke siguruar një planifikim realist të bazuar në kritere teknike-shkencore, ekonomike dhe sociale.

“Ky proces shënon vetëm hapin e parë”, – u shpreh znj. Manastirliu, “pasi ne jemi të sigurt për progresin që do të bëjmë, në drejtim të përdorimit me efikasitet të fondeve spitalore si dhe mirëadministrimit të shpërndarjes dhe konsumit të barnave, nga shërbimi tek pacienti”.

Lista e këtij viti është zgjeruar për të gjitha kategoritë, por kjo listë sjell risi përsa i përket disa barnave të futura për herë të parë për përdorim spitalor në trajtimin e disa sëmundjeve, si ato tumorale, kardiake, neurologji, nefrologji etj.

Drejtoresha e QSUT u shpreh në lidhje me planin e diagnostikës laboratorike se “do të doja të përmendja rritjen e ndjeshme të buxhetit për një seri kitesh dhe reagentësh për Laboratorin Mikrobiologjik. Kujtoj që prej dy vjetësh, ky laborator nuk zhvillon aktivitet të plotë. Po kështu, Laboratorin Klinik-Biokimik me analizat e tiroides, prostatës apo markuesit tumoralë. Gjithashtu, është planifikuar realizimi i analizave për Laboratorin e Gjenetikës dhe Laboratorin Imunologjik.”

“Planifikimi që kemi kryer këta muaj është përqendruar në dy drejtime:

a. Së pari, në plotësimin e nevojave për shportën bazë të medikamenteve dhe materialeve mjekësore për urgjencat, reanimacionet, sallat operatore. (Në linjën e antibiotikëve është ndjekur baza e sigurimit të gjeneratës së parë dhe të dytë si dhe gjeneratat e treta dhe të katërta për rastet e ndërlikuara. Barnat antiretrovirale, antimalatike, antituberkulare.)

b. Së dyti, barnat specifike, ku kemi dyfishuar sasitë për linjën e parë të citostatikëve për Onkologjinë krahasuar me vitin 2013; citostatikët për Onkohematologjinë për fëmijët dhe adultët për herë të parë në QSUT (bortezomid, everolimus, imatinid, procarbazinë). Është rritur me 2.5 herë sasia e planifikuar për transtuzimabin, citostatik që përdoret si linjë e parë në kimioterapi për tumorin e gjirit. Për shërbimet e Hemodinamikës dhe Kardiokirurgjisë, është shtuar me 100 milionë lekë fondi për këto shërbime, si dhe do të sigurohen materialet për koronarografitë dhe për operacionet kardiake. Për shërbimin e Pediatrisë Infektive janë shtuar në sasi, barnat kundër leshmanjozës, barnat për rritjen e imunitetit tek fëmijët me sëmundje të lindura etj”, theksoi znj. Manastirliu.

Në fund të fjalës së saj, kreu i QSUT theksoi se “sfida jonë mbetet zhvillimi i skemës për kontrollin e konsumit të barnave nga farmacia tek pacienti. Për këtë kemi forcuar sistemin e intranetit në porosinë e barnave dhe materialeve, nga farmacia në shërbim, dhe po zhvillojmë sistemin e verifikimit të shpërndarjes dhe monitorimit të barnave nga shërbimi tek pacienti.

Dua të theksoj edhe një herë se, gjithë sa përmenda më sipër për furnizimin me barna dhe materiale mjekësore, bashkuar me përkushtimin e të gjithë stafit mjekësor dhe mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, janë një garanci më shumë për një përmirësim të dukshëm të cilësisë së shërbimit që do t’u ofrohet pacientëve në QSUT gjatë këtij viti, një ndryshim që, me lejoni ta them, ka filluar të ndihet tashmë.

Posted in Lajme by admin qsut
13/03/2014

Shërbimi i Hematologjisë QSUT dhe Shoqata Shqiptare Hematologji Transfuzion zhvilluan më datë 13 mars 2014 Konferencën e 4-t Ndërkombëtare me Temë: “Transplanti i Palcës Kockore domosdoshmëri në Hematologji”.

Në këtë konferencë u referuan të rejat më të fundit rreth transplantit në fushën e Hematologjisë. Diskutimet prekën historikun e transplantit me qeliza stem, referuar nga Shefi i Shërbimit të Hematologjisë QSUT Prof.Ass. Pal Xhumari, mbi transplantin e palcës së kockave në SHBA referuar nga Prof. Alva Weir, hematolog në Memphis Tennessee USA, mbi rëndësinë e akreditimit të qendrave të transplantit referuar nga Prof. Isuf Kalo. Me shumë interes ishte tema “HLA në transplantin e palcës së kockave” referuar nga Prof. Genc Sulçebe, analizë që realizohet në Laboratorin e Imunologjisë QSUT.

Të tjera diskutime të referuara dhe trajtuara në konferencë ishin “Transplanti i palcës nga gjaku i kordonit” Prof.Ass. Arjan Pushi, “Transplanti në LMC” nga Dr. Alma Cili, “Transplanti dhe rëndësia e tij në Myeloma Multiple” Prof.Ass. Tatjana Caja, “Transplanti në Mielodisplazi” Dr. Adela Perolli, “Transplanti në hemopatite malinje tek fëmijët” Dr. Donjeta Bali, “Transplanti në hemoglobinopatite” Dr. Manika Kreka, “Roli i transplantit në lymphoma malinje” Prof.Ass. Arben Ivanaj dhe “Transfuzioni i gjakut e produkteve të tij në transplant” Dr. Irena Qendro.

Përshëndetën zhvillimin e kësaj konference Zv/Ministrja e Shëndetësisë Znj. Milva Ekonomi dhe Prof. Polikron Pulluqi në emër të rektoratit.

Posted in Lajme by admin qsut
07/03/2014

Heroinat e heshtura të shëndetësisë.

Nuk do t’i quaja specialiste, por misionare sepse mjeku ruan jetën e njeriut dhe është mrekulli të kesh misionare një femër. Kështu u shpreh kirurgia e parë shqiptare, Dr. Rushen Golemi.  Kirurgia e parë, znj. Golemi, onkologia Dr. Adelina Mazreku dhe shumë mjeke e pedagoge, në pension apo që ushtrojnë profesionin e tyre, u mblodhën në një aktivitet organizuar nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit dhe 8 Marsin, Ditën e Gruas.

“Raca më e bukur është ajo shqiptare dhe sot, me gjithë punën e vështirë që kanë, veshur me bluzat e bardha duken të gjitha Miss-e”, iu drejtua mjekeve të pranishme kirurgia Golemi.

Ajo solli në vëmendje hapat e parë në kirurgji duke kujtuar me nderim dy mjeshtrat, Prof. Llambi Ziçishti dhe Prof. Petrit Gaçe, të cilët siç u shpreh “pranuan një vajzë 22 vjeçare të rreshtohet krahas tyre dhe më dhanë të gjitha mundësitë që unë të zhvilloja atë specialitet që e desha aq shumë”. “Dhe rruga është e hapur për ne sepse femrat janë të zonjat. Femra është nënë, është familjare dhe bën specialitetin e vet”, tha ajo, ndërsa shtoi se femrat punojnë shumë mirë, por akoma nuk është arritur të vlerësohen aq sa duhen. “Por do të vlerësohen femrat sepse janë shumë të zonjat”, theksoi Golemi.

Adelina Mazreku, mjeke onkologe, krahasoi hapat e para në profesionin e saj si hapat e një fëmije dhe prindërit me profesorët e parë. “Në fakultet, në fakt, ne femrat nuk formonin një minoritet të dukshëm në krahasim me djemtë, por kur erdhi puna në profesionin e mjekut dihej ‘një diskriminim’ për femrat për të qenë në specialitet që ishin ‘pronë’ e burrave sikurse kirurgjia apo poste drejtuese”, tha dr. Mazreku. “Me këmbënguljen tonë kemi arritur ato maja që nderojnë femrën shqiptare duke qenë profesioniste shumë të nderuara dhe të devotshme dhe duke arritur në poste drejtuese, organizuese, shkencore, akademike, duke nisur nga shefat e klinikave e katedrave, tek lektorja e duke arritur tek zëvendësministrja dhe drejtoresha. Kështu, ne jemi një forcë e madhe”, shtoi ajo.

“Çdo ditë e natë ju jeni në detyrë për të kuruar të sëmurët, shpëtuar jetë plot humanizëm dhe sakrificë jeni përballë pacientit. Ju po sfidoni paragjykimet. Ne ju jemi mirënjohës për punën dhe sakrificën”, iu drejtua mjekeve të pranishme drejtoresha e QSUT-së, znj. Ogerta Manastirliu.  “Me një nderim të thellë para jush, nuk është e tepërt të them se çdonjëra prej jush ka sjellë një ndryshim në këtë vend, në këtë qendër spitalore, çdo ditë nga pak, ashtu si jeni ju fjalëpak e punëshumë. Jam e nderuar të them se këtu punon gama më e gjerë e specialiteteve, 13 shërbime drejtohen nga gra dhe ne kemi një udhëheqëse të madhe, ashtu siç është dhe emri  i qendrës sonë, Nënë Terezës”, shtoi Manastirliu.

Duke u ndalur në rolin e rëndësishëm të grave dhe mjekeve, zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi, tha se “na takon ne të çojmë mesazhin shëndetësor pak më thellë, më afër familjeve, sidomos atyre që drejtohen nga gra për gjëra që janë të rëndësishme për shëndetin dhe jetëgjatësinë”.
Dhe ndërsa çastet u fiksuan në një foto të përbashkët, mjeket mbanin në duar karafila të bardhë. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u dërgoi mjekeve dhe pedagogeve të pranishme në aktivitet një tufë me karafila të bardhë, në shenjë mirënjohje dhe nderimi për rolin e tyre kaq të rëndësishëm dhe punën e palodhur në shërbim të pacientëve.

“Kur kam filluar punë më binte të bëja një herë në 4 netë roje, pra 3 netë unë flija në shtëpi dhe një natë në spital pa futur ndonjëherë dhe dezhurnet suplementare dhe tani që zemra ime ka filluar të punojë me aritmi respekton këtë ritëm, tre rrahje dhe një pushim”, – tha jo me pak humor mjekja onkologe Mazreku.

Posted in Lajme by admin qsut
06/03/2014

Stafet multidisipilinare në QSUT janë një domosdoshmëri për cilësinë e shërbimit. Tashmë ato janë pjesë e axhendave javore në shërbimet e QSUT.

 

I tillë ishte dhe Stafi i kësaj jave ndërmjet Neurokirurgëve – Neurologëve – Neuroimazheristëve – Radionkologëve – Endokrinologëve – Radiokirurgëve si dhe me specializantë të këtyre specialiteteve. Gjatë këtij takimi të stafit u diskutuan rastet me Adenomë të Hipofizës dhe u prezantuan rezultatet e pacientëve të parë të trajtuar me Radiokirurgji tek Uniteti X Knife.

Posted in Lajme by admin qsut