Shërbimi i Reumatologjisë QSUT dhe Shoqata për Sëmundjet Muskulo-skeletike dhe Autoimune realizuan më datë 27 dhjetor 2013, Konferencën e 3-të Kombëtare të Reumatologjisë me pjesëmarrjen e mjekëve Reumatologë nga Shqipëria dhe Kosova si dhe me pjesëmarrjen e mjekëve të specialiteteve të ndryshme.
Në konferencë u diskutuan një larmi temash dhe u shkëmbyen eksperienca personale. Çështjet kryesore të konferencës ishin nga më bashkëkohoret si mjekimet me barnat biologjike, diagnostikimi bashkëkohor në kolagenopatitë si dhe tematika të tjera. U diskutuan protokollet e standardizuara për patologji të veçanta. Në shërbimin tonë prej 2 vitesh realizohet aplikimi i preparateve biologjike si Etanercept, Adalimumab për trajtimin e Artritit Rheumatoid dhe Spondilitit Ankilozant, Acidi Ibadronik për trajtimin e Osteoporozës. Vazhdojmë aplikimin e Iloprostit për trajtimin e simptomave të Sclerodermisë sistemike.
Në Shërbimin e Reumatologjisë QSUT shtrohen rreth 1800 pacientë në vit, ku ngarkesa e sëmundjes është përkatesisht për Artritin Reumatoid me 54%, Kolagenopatit (LES, DM-PM, Sclerodermia, Sjogren sindrom, sindromat vaskulitike etc) me 28%, Spondiloartropatitë dhe Osteoartrozat me 18%. Gjatë periudhës nëntor 2012 – tetor 2013, janë trajtuar dhe kanë dalë nga klinika 1688 raste me 8101 ditë qëndrimi gjithsej. Prej tyre 106 raste janë paraqitur si urgjente, 1582 raste me planifikim; 30.05% meshkuj dhe 69.95% femra. Xhiro e shtratit është realizuar 97.8% dhe ditë qëndrimi është 4.79
Shërbimi Reumatologjisë Q.S.U.T.-së përballon nevojat e shërbimit terciar në rang vendi, shërben si qendër e specializimit për mjekët e rinj reumatologë dhe realizon punë kërkimore shkencore në nivele të larta.
Shoqata e mjekëve kardiologë të Shqipërisë zhvilloi konferencën e 17-të kombëtare të këtij shërbimi me temë “Sëmundjet kardiovaskulare dhe shtatzania”.
Në konferencë merrnin pjesë mjekë kardiologë nga i gjithë vendi, për të referuar, diskutuar dhe shkëmbyer eksperiencat profesionale. Disa nga temat e disktuara në këtë konferencë ishin “Epidemiologjia dhe ndryshimet hemodinamike, hemostatike dhe metabolike gjatë shtatzënisë”, “Diagnoza dhe kujdesi kardiovaskular gjatë shtatzanisë dhe lindjes”, “Vlerësimi fetal dhe testet gjenetike. Metodat e kontracepsionit dhe ndërprerjes së shtatzanisë, fertilizimi in vitro”, “Sëmundjet e lindura të zemrës dhe hipertensioni pulmonar”, etj.
Nga statistikat vjetore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shërbimi i Kardiologjisë është ndër shërbimet me fluksin më të madh të shtrimeve, me rreth 4.500 pacientë në vit, me 10.5 ditë qëndrimi mesatar për pacient. Çdo vit në shërbimin e Hemodinamikës, kryhen rreth 2 mijë koronarografi dhe duke parë fluksin në rritje të sëmundjeve kardio-vaskulare, këto shifra pritet të rriten.
Në sektorin më të ri të shërbimit të Neurokirurgjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ka nisur trajtimi i të sëmurëve me radiokirurgji. Në sektorin X-Knife Akseleratori Linear filloi trajtimi i të sëmurëve me radiokirurgji, që bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe rajon duke përdorur akseleratorin linear, maja e teknologjisë së rrezatimit, prodhuar në vitin 2012.
Ky projekt synon të sjellë një nivel të ri trajtimi të sëmundjeve tumorale duke sjellë përfshirjen e shërbimit në sistemet shëndetësore moderne bashkëkohore.
Radiokirurgjia do të zëvendësojë operacionet për shumë pacientë. Me precision submilimetrik, ajo bën të mundur koncentrimin e rrezatimit në thellësi të trurit duke shëruar sëmundjet e trurit pa nevojën e thikës. Pacienti qëndron vetëm një ditë në spital dhe komplikacionet janë të papërfillshme. Radiokirurgjia u zhvillua nga neurokirurgu suedez Leksel. Sot përdoret për të trajtuar sëmundje të ndryshme të trurit e të trupit. X-Knife Akseleratori ka një kapacitet trajtimi radiokirurgjikal deri në 5 pacientë në javë dhe pas janarit 2014, 20 pacientë në ditë për trajtim me radioterapi konformale.
Nismës “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë” i është bashkuar edhe Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në bashkëpunim me kompaninë telefonike AMC dhe Fakultetin e Infermierisë.
Sot në mëngjes dhjetra punonjës të AMC-së dhe qindra studentë të Infermierisë, ju bashkuan punonjësve të spitalit për të pastruar dhe higjienizuar ambientet e brendshme spitalore.
Drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu, duke falënderuar për bashkëpunimin kompaninë telefonike AMC, u shpreh: “Aksioni për pastrimin e territorit të spitaleve ka rreth dy muaj që ka filluar që me gjelbërimin e hapësirave publike dhe sot starton aksioni për higjienizimin e çdo ambienti spitalor duke filluar që nga sallat e operacioneve, të reanimacionit, çdo dhomë pacienti, çdo shtrat, çdo dritare, çdo hapësirë spitalore në ambientet e brendshme”.
Më tej znj. Manastirliu bëri apel për qytetarët që vijnë për të vizituar të afërmit e tyre në spital që të respektojnë oraret e vizitave dhe të ndërgjegjësohen për të mbajtur pastër ambientin.
Kryeministri Edi Rama inspektoi të dielën punimet në mjediset e jashtme të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, në Tiranë, ku pas shembjes së objekteve pa leje ka nisur mbjellja e pemëve, ripërtëritja dhe mirëmbajtja e hapësirave publike.
Sipas Kryeministrit, mjediset e jashtme të kësaj qendre spitalore, më e madhja dhe më e rëndësishmja në Shqipëri ku trajtohen me mijëra vetë në ditë, do të shndërrohen në një hapësirë publike të standardeve europiane. “Do të jetë një hapësirë publike spitalore, ku gjithkush që duhet të kalojë këtu duhet të ndihet në territorin e një spitali në Europë dhe jo siç ishte para 40 ditëve”, tha Rama.
Në prononcimin e tij për mediat, kreu i qeverisë vlerësoi punën e bërë nga drejtoresha dhe stafi i QSUT, ndërsa nënvizoi se “është një punë e jashtëzakonshme për t`u bërë, por ne nuk na tremb as puna, as volumi i madh dhe as sfidat e panumërta që janë brenda spitalit, për të garantuar një shërbim të standardeve europiane”.
Kryeministri falenderoi edhe ministrin e Mjedisit për angazhimin e tij lidhur me krijimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra. “Ky është një angazhim që do të shtrihet dalngadalë, por jo ngadalë në të gjithë territorin e Shqipërisë”, u shpreh kreu i qeverisë.