25/01/2017

Mjekët e shërbimit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë kryer për herë të parë në vendin tonë procedurën e implantimit të qelizave staminale autolog, procedurë e cila konsiston në ndërthurjen e terapive kirurgjikale, terapive qelizore dhe atyre gjenetike.

Përdorimi i qelizave staminale është fjala e fundit e shkencës në nivel botëror, e cila ka të bëjë me qeliza burimore dhe pluripotenciale, të cilat përdoren në organet e dëmtuara për të rigjeneruar pjesët e dëmtuara.

Ky intervent ka rëndësi jetike për të gjithë ata pacientë me funksion të ulur të zemrës për shkak të infarktit të miokardit. Ekipi kardiokirurgjikal Dr.Klodian Krakulli, Dr. Altin Veshti, Prof. Arben Baboçi, Dr. Ketjon Mekshi, ekipi kardioanestezist dhe perfuzionist Dr. Saimir Kuçi, Dr. Ervin Bejko së bashku me mjekun hematolog Prof. Polikron Pulluqi dhe Dr. Laureta Dibra, kardiologe, punën dhe studimet e shumë viteve i finalizuan me sukses gjatë interventit kirurgjikal të pacientit S. M. 68-vjeç, me diagnozë “Sëmundje Iskemike e Zemrës” me funksion të ulët të ventrikulit të majtë, infarkt i gjerë anterior i kaluar”.

Pas anestezisë së përgjithshme, Prof. Pulluqi realizoi eksplantin e qelizave staminale autologe të padiferencuara nga kresta iliake dhe më pas pacienti i’u nënshtrua interventit të revaskularizimit kirurgjikal, i cili konsistoi në tre bypase si dhe implantimit topik ekstrinsek të qelizave staminale autologe si dhe në rrugë anterograde nëpërmjet arterieve koronare dhe grafteve.

 

Për shkak të funksionit të ulët të zemrës, pacientit i’u implantua kontropulsatori aortik, i cili u mbajt në funksion në dy ditët në vazhdim. Pacienti u ekstubua ditën e tretë dhe aktualisht është në fazën e rehabilitimit të tij.

Posted in Lajme by admin qsut
13/01/2017

Për herë të parë në vendin tonë aplikohet proçedura për shpëtimin e jetës së pacientëve

Njësia e Shërbimit Neurovaskular (stroke dhe post-stroke) është shërbimi më i ri i krijuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si pjesë e Polit të Integruar të Neuroshkencës, i cili brenda një periudhe kohe të shkurtër në sajë të investimeve është shndërruar në një pavijon modern, i pajisur me teknologjinë më të lartë mjekësore të standardeve europiane. Për herë të parë, në këtë njësi bëhet aplikimi i proçedurës së trombolizës intravenoze për sëmundjet ishemike të trurit, i cili ofrohet vetëm në QSUT.

Kryeministri i vendit z. Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj ishin të pranishëm për të parë nga afër investimet më të reja në këtë pavion.

Kryeministri Rama u shpreh se “tashmë gjendja në spitalet publike është krejtësisht ndryshe, dhe shërbimet që ofrohen për pacientët janë të kënaqshme. Tani jemi në një fazë tjetër dhe realisht që të gjithë ata që marrin shërbim se kanë hall në QSUT, por edhe në spitalet e tjera, pavarësisht se në spitalet e tjera kemi ende shumë probleme, – janë të kënaqur. Ata që nuk kanë qenë në spital dhe nuk e dinë se çfarë ka ndodhur vazhdojnë shajnë e shajnë se s’kanë faj se kanë pasur situata të ndërlikuara në të kaluarën.”

Shërbimi Neurovaskular ka në përbërjen e tij një personel të specializuar prej 8 mjekësh neurologë dhe neuroreanimatorë dhe 31 infermierë të dedikuar për këtë shërbim. Ai ka një kapacitet 29 shtretër dhe gjatë vitit 2016 ka trajtuar 1180 pacientë me probleme neurologjike akute. Në këtë shërbim gjatë vitit 2015/2016 janë investuar pajisje biomjekësore të cilat janë një kusht i domosdoshëm për realizimin e shërbimit si pajisje të monitorimit kardiak të pacientëve në kushte observimi reanimator, pompat e infuzionit, respiratorë, panelet e gazrave mjekësore, eko Doppler dhe transkraniale, pajisje të matjes së vlerave të gazeve jetësore në gjak, shtretër reanimacioni në vlerën 20 milionë lekë.

Shërbimi Neurovaskular organizon punën e tij së bashku me Shërbimin e Urgjencës, e cila pret dhe identifikon pacientët, përcakton problematikën vaskulare cerebrale për shqetësimin që paraqitet duke ja përcjellë në kohë reale mjekëve në këtë shërbim. Ndër zhvillimet më të fundit është aplikimi për herë të parë i proçedurës së trombolizës intravenoze për sëmundjet ishemike të trurit. Kur pacienti paraqitet në orët e para të shfaqjes së sëmundjes dhe kur plotëson disa kritere mjekësore, ai përfiton nga kjo procedurë, e cila aplikohet në këtë shërbim nga mjekëst neurologë.

Vetëm gjatë kësaj jave janë zhvilluar dy procedura në dy pacientë përkatësisht 67 dhe 54 vjeç, të cilët janë paraqitur në pamundësi për të folur, komanduar anësitë e trupit, dhe me humbje të ndërgjegjjes. Prej 12 orësh nga aplikimi i alteplazës venoze pacientët gëzojnë shëndet të plotë dhe janë pa asnjë deficit neurologjik.

Kjo procedurë e kryer për herë të parë në Shqipëri bëhet e mundur në sajë të ambicies, përkushtimit dhe profesionalizmit të mjekëve të shërbimit neurovaskular, mjekëve radiologë dhe urgjentistë si dhe mbështetjes dhe buxhetimit për herë të parë të një medikamenti të ri, aplikimi i të cilit është jetëshpëtues për pacientët me diagnozë sëmundje ishemike akute të trurit.

Posted in Lajme by admin qsut
27/09/2016

Vetëm gjatë 48 orëve të fundit të fundjavës, janë shpëtuar tetë jetë të kërcënuara nga problemet kardio-vaskulare, falë funksionimit me sukses të plotë të Urgjencës Kardiake 24/7, në funksion për herë të parë që prej 1 nëntorit 2015.

Në 52 javë prej fillimit te saj Urgjenca Kardiake ka pritur e trajtuar rreth 1090 pacientë, të cilët kanë marrë në kohë reale shërbim të menjëhershëm, sipas protokolleve të urgjencës së zemrës.

Këtë fundjavë, ekipi i mjekëve hemodinamistë në bashkëpunim me ekipin mjekësor të Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme, mundësuan mbulimin 100% të të gjitha urgjencave të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, nëpërmjet procedurave të ndërhyrjeve mini-invazive në zemër.

Kështu, gjatë ditës së shtunë (24/09/2016), kanë mbërritur me urgjencë nga Tirana dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe janë trajtuar në protokoll urgjence:

– Ora 15:00 – Pacienti SH. K., 60 vjeç, Tiranë;
– Ora 20:30 – Pacientja F. GJ., 80 vjeç, Tiranë;
– Ora 20:50 – Pacienti TH. R., 64 vjeç, Durrës;
– Ora 01:50 – Pacienti A. XH., 38 vjeç, Tiranë;
– Ora 03:00 – Pacietin Th. Z., 75 vjeç, Vlorë.

Ndërkohë, ditën e dielë (25.09.2016), janë trajtuar këto raste urgjence:

– Ora 13:00 – Pacienti M. Sh., 45 vjeç, Shkodër.
– Ora ‎15:00 – Pacientja F. D., 62 vjeç, Kuçovë.
– Ora 22:30 –‎ Pacienti J.B.mosha 68, Tiranë.
Një falënderim të sinqertë për punën e palodhur, profesionalizmin dhe përkushtimin ekipit të mjekëve roje të Hemodinamikës: dr. Naltin Shuka, dr. Armand Gjana, dr. Meriton Siqeka, dr. Endri Hasimi, si dhe ekipit të mjekëve të Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme, dr. Lulëzim Çela, dr. Petrit Jorgji, dr. Elton Çalliku, dr. Jonida Kito, si dhe stafeve infermierore dhe teknike, në shpëtim të jetëve të pacientëve!

24 Orë Në Shërbim Urgjenca QSUT

Posted in Lajme by admin qsut
29/03/2016

Sot në ambjentet e QSUT-së, Drejtoresha e Përgjithshme znj. Ogerta Manastirliu priti në një takim një grup mjekësh nga specialitete të ndryshme të Fondacionit “Albanian Health Fund” nga SHBA.

Bashkëpunimi i ketij fondacioni me QSUT-në dhe Fakultetin e Mjekësisë, daton që prej vitit 1992. Ky ekip mjekësh profesionistë, ka lehtësuar Konferencën e parë “Mediko Kirurgjikale” si dhe ka marrë pjesë në një sërë ndërhyrjesh kirurgjikale dhe konsultash të ndryshme në shërbime klinike si kirurgjia digjestive, psikiatri, oftalmologji, duke mbështetur jo vetëm në trajnime të edukimit në vazhdim të mjekëve, por edhe duke mbështetur në aparatura mjekësore, shërbimin e kirurgjisë.

Fokusi i qëndrimit të këtij ekipi, do të jenë leksionet me studentët e Fakultetit të Mjekësisë, Infermierisë dhe Stomatologjisë, si dhe dhënia e konsulencës në Shërbimet klinike të QSUT–së duke bërë konsulta dhe vizita.

Ky ekip përbëhet nga mjekë të specialiteteve të ndryshme si: gastro-enterolog, hemato-onkologë, okulistë, pediatër endokrinolog, psikiatër, dentistë, infermierë si dhe studentë të mjekësisë.

Për ndihmesën e tyre, ata kanë marrë ndër vite 4 medalje “Mirënjohje” nga Presidenti i Republikës dhe 2 tituj “Honoris Causa” nga Universiteti i Mjekësisë.

Drejtuesi i këtij ekipi, Prof. Mark H. Johnston, mjek gastro-hepatolog, pritet të nderohet me titullin “Honoris Causa”, nga Universiteti i Mjekësisë Tiranë.

Posted in Lajme by admin qsut
06/03/2016

Të ardhurat e grumbulluara nga shitja e disqeve gjatë koncertit të tenorit Saimir Pirgu në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, i janë dhuruar Spitalit të Pediatrisë në ndihmë të fëmijëve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me tenorin Saimir Pirgu, ishin mëngjesin e sotëm në ambientet e QSUT-së ku i dorëzuan drejtoreshës së këtij institucioni, Ogerta Manastirliu, çekun e të ardhurave.

Gjatë vizitës, kryebashkiaku Veliaj shprehu gatishmërinë për të ndihmuar me projekte konkrete lehtësimin e punës në Spitalin e Pediatrisë.

“Samiri këmbënguli që të gjitha të ardhurat që u mblodhën dje nga shitja e CD-ve t’i jepte si dhuratë pranë spitalit të fëmijëve. Nëse ka një nevojë të cilën ne mund ta plotësojmë, mendoni një projekt, diçka që mund ta bëjë edhe më të lehtë punën tuaj për fëmijët. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të nderuar mikun tonë, si dhe për të respektuar dëshirën e tij, që këto të ardhura të shkojnë për një kauzë kaq fisnike, sa edhe puna juaj”, u shpreh Veliaj.

Tenori Saimir Pirgu vlerësoi rolin e mjekëve pediatër në trajtimin e rasteve të fëmijëve të sëmurë.

“Fuqia e mjekëve, pasi koordinoni të gjithë punën e specialistëve të tjerë, dhe buzëqeshja juaj çdo mëngjes, janë gjëja kryesore për fëmijët dhe për prindërit”, tha Pirgu.

Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ogerta Manastirliu, u shpreh se ky dhurim është një akt solidariteti për t’u bërë të gjithë bashkë.

“Dua të falenderoj, jo vetëm për kontributin financiar, por për aktin, i cili është shumë inkurajues, padyshim shumë i rëndësishëm për spitalin pediatrik”, tha ajo, duke theksuar se shumë shpejt do të ngrihet rrjeti i fëmijëve të spitalit pediatrik dhe ftoi tenorin Pirgu që të jetë pjesë e kësaj kauze.

Koncerti i tenorit të mirënjohur shqiptar, Saimir Pirgu, në Teatrin e Operës dhe Baletit ishte pjesë e turit “Il mio canto”, i cili pati mbështetjen e Bashkisë së Tiranës. Ky koncert është pjesë e turit botëror të këtij artisti në qytet më të mëdha të botës si: Firenze, Vjenë, Paris, Berlin, Nju Jork, Moskë, Tokio.

Posted in Lajme by admin qsut
23/02/2016

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mblodhi ditën e martë, datë 23 Shkurt 2016, Komisionin Mjekësor Spitalor (KMS), një organ funksional këshillimor pranë Drejtorit të Përgjithshëm në përbërjen e të cilit janë Shefa të shërbimeve mjekësore të QSUT dhe mjekë të përzgjedhur të shërbimeve mjekësore. Gjatë mbledhjes së parë për vitin 2016 Komisioni diskutoi mbi performancën e institucionit në 2015-tën, bazuar në evidencat dhe të dhënat statistikore mbi aktivitetin e QSUT, treguesit e performancës spitalore si dhe treguesit tekniko-financiarë.

Ky Komision miratoi krijimin e Komitetit për Kontrollin e Infeksioneve Spitalore për vitin 2016, një strukturë e rëndësishme teknike, përgjegjëse për parandalimin dhe uljen e infeksioneve spitalore. Përbërja, fuqizimi dhe rivlerësimi i tij për të përftuar një komitet aktiv në gjendje të mirëpërcaktojë një strategji apo plan veprimi për vitin 2016 me objektiva konkrete dhe të matshme, politika të qarta për parandalimin dhe uljen e infeksioneve spitalore si dhe planin e punës për trajnimin dhe edukimin në vazhdim të stafit mjekësor dhe infermieror për kontrollin e infeksioneve spitalore në shërbimet mjekësore të QSUT.

Kontributi i anëtarëve të Komisionit, analiza dhe propozimet e tyre u ndalën në çështje të tjera në axhendë siç ishin aprovimi i listës së mjekëve konsulentë në shërbimet e QSUT, propozimet për rifresikimin e Komisionit Ndërspitalor dhe problematikat në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme.

Posted in Lajme by admin qsut
22/02/2016

Në zbatim të politikave spitalore për parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve spitalore në shërbimet e QSUT, Drejtoria e QSUT ka prej mëse një viti që po bashkëpunon me Spitalin Mater Dei në Maltë për fuqizimin e Njësisë së Kontrollit të Infeksioneve Spitalore.

Në vijim të këtij bashkëpunimi, gjatë periudhës 16-18 shkurt 2016 janë kryer disa aktivitete ndërgjegjësuese dhe edukuese mbi mënyrat e kontrollit dhe parandalimit të infeksioneve nozokomiale. Ekipi i përbërë nga 3 specialistë me eksperiencë në fushën e parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve, në bashkëpunim me Njësinë e Kontrollit të Infeksioneve Spitalore në QSUT, arriti të kryejë disa seanca trajnuese në shërbime të ndryshme të QSUT.

Konkretisht u trajnuan:

  • ekipi i Njësisë së Kontrollit të Infeksioneve Spitalore mbi praktikat më të rekomanduara të punës në këtë njësi. Ekipet shkëmbyen eksperiencën e tyre dhe diskutuan mbi protokollet e punës;
  • ekipi i Reanimacionit Qendror mbi mënyrën e parandalimit të infeksioneve spitalore gjatë aplikimit të kateterëve venozë qendrorë;
  • ekipi i Njësisë së Dializës në QSUT mbi parandalimin e infeksioneve spitalore tek pacientët dializantë në përgjithësi dhe veçanërisht gjatë aplikimit të kateterëve venozë qendrorë dhe periferikë tek këta pacientë.

Një trajnim mjaft interesant ishte edhe ai i kryer në sallën e Telemjekësisë me temë “Rëndësia dhe bazat e higjienës së duarve në shërbimin e ofruar ndaj pacientit” ku morën pjesë mbi 80 pjesëmarrës.

Në bashkëpunim me Njësinë e Kontrollit të Infeksioneve Spitalore, në ditët në vijim, trajnimet u përsëritën edhe në Urgjencën Polivalente në QSUT, në spitalin Infektiv dhe atë Onkologjik. Më tej në hollet e këtyre spitaleve u zhvillua një fushatë sensibilizuese mbi teknikat e higjienës së duarve dhe 5 momentet kur ajo duhet të kryhet. Fushata bazohej në këshillimin e personelit, monitorimin e kryerjes korrekte të teknikave, si dhe shpërndarjen e materialeve sensibilizuese dhe edukuese.

Posted in Lajme by admin qsut
04/02/2016
Në Shërbimin Onkologjik është instaluar, akseleratori i parë linear si aparaturë e teknologjisë së fundit bashkëkohore për trajtimin multidisiplinar me preçizion të lartë të tumoreve. Me këtë investim të rëndësishëm, QSUT do të përmirësojë ndjeshëm trajtimin me radioterapi të pacientëve me sëmundje tumorale, nga ku do të përfitojnë rreth 60 pacientë në ditë dhe rreth 640 pacientë në vit.

Sot, në ditën botërore të parandalimit të kancerit, e cila këtë vit vjen me mesazhin kuptimplotë “Unë mundem, ju mundeni”, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ofron për pacientët e Onkologjisë, njësinë e radioterapisë, tërësisht të rikonstruktuar.

Akseleratori i parë Linear është instaluar, si aparaturë e teknologjisë së fundit bashkëkohore për trajtimin multidisiplinar me preçizion të lartë të tumoreve. Ai është investim me vlerë 315 milion lekë, i mundësuar nga kredia austriake.

Akseleratori është i vendosur në godinën e re (bunkerin me kapacitet dy njësi) investim i qeverisë  me vlerë rreth 260 milion lekë, në të cilën vitin e ardhshëm pritet të vendoset një tjetër akselerator.

Me këtë investim të rëndësishëm, QSUT do të përmirësojë ndjeshëm trajtimin me radioterapi të pacientëve me sëmundje tumorale, nga ku do të përfitojnë rreth 60 pacientë në ditë dhe rreth 640 pacientë në vit.

Në dy vitet e fundit, një vëmendje e veçantë i është kushtuar masave parandaluese dhe zbulimit të hershëm të sëmundjeve tumorale. Kështu, gjatë vitit 2015, dy njësi lëvizëse të mamografisë realizuan falas 4800 ekzaminime parandaluese për gratë që jetojnë në zona ku pranë vendbanimit nuk ka mamografi stacionare. Ndërsa, në të gjitha pikat ku ka mamografi stacionare, për vitin 2014 u kryen 3317 ekzaminime parandaluese. Po kështu mjekë të rinj, të specializuar në këtë fushë, po iu shtohen stafeve mjekësore të spitaleve në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ishte sot në QSUT. Ai u takua me drejtues të Qendrës, si dhe me grupin e mjekëve onkologë dhe fizikantëve mjekësorë, të cilët mundësuan vënien në funksionim të Akseleratorit Linear.

Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ogerta Manastirliu, theksoi se kabineti i ri i radioterapisë është investimi më i rëndësishëm për QSUT dhe bëri të ditur se në fillim të marsit do të nisë trajtimi i parë me radioterapi. “Është investimi më i rëndësishëm për shërbimin onkologjik, një investim i financuar nga qeveria shqiptare në vlerën 260 milion lekë, sa i përket ndërtimit të hapësirave për pritjen e akseleratorit linear. Gjithashtu falë kredisë austriake, qeveria shqiptare ka financuar akseleratorin linear, një pajisje e teknologjisë së fjalës së fundit, e cila trajton me radioterapi gjithë pacientët, të cilët janë të disgnostifikuar me tumore malinje.  Në këtë njësi radioterapie, ne mund të trajtojmë rreth 640 pacientë në vit dhe mund të bëhen rreth 60 procedura terapeutike në ditë. Është një qendër, e cila do të funksionojë falë edhe një ekipi multidisiplinar, falë fizikantëve mjekësor të cilët aktualisht po kolaudojnë këtë pajisje dhe besojmë që në fillim të marsit do të kemi trajtimin e parë me radioterapi.”

Shefi i Shërbimit të Onkologjisë u shpreh se struktura e rinovuar e radioterapisë, do të përmirësojë ndjeshëm shërbimin ndaj këtyre pacientëve. “E shikoni që është një infrastrukturë goxha e përmirësuar. Një aparaturë dhe një strukturë, tërësisht e rinovuar që do çojë përpara standardet  e mjekimit të pacientëve tanë në onkologji. Ky është  një lajm i  mirë për të gjithë ne, pacientët dhe familjarët e tyre.”

Duke theksuar angazhimin e qeverisë, në parandalimin e sëmundjeve tumorale, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj u shpreh se qendra moderne e radioterapisë është në vijim të përmbushjes së këtyre angazhimeve. “Jemi angazhuar që sëmundjet tumorale do të kenë fokus të veçantë dhe sigurisht kjo qendër e re e radioterapisë moderne, është në vijim të përmbushjes së këtyre angazhimeve. Sot, simbolikisht, zgjodhëm këtë ditë, pasi 4 shkurti është dita botërore në luftën kundër kancerit. Në këto dy vjet e gjysmë, ne kemi bërë përpjekje jo të pakta, pavarësisht se jemi të vetëdijshëm që duhet edhe më shumë, për të rritur ndjeshëm shërbimin për këto sëmundje. Nga data 1 shkurt, mamografia është falas për këdo, në çdo lloj rrethane dhe nuk ka qenë kështu më parë. Ky investim prej 600 milion është në ndihmë  të qytetarëve shqiptarë.” – u shpreh ministri Beqaj.

Duke falënderuar për punën e bërë, Kryeministri Edi Rama, u shpreh se standardet moderne bashkëkohore  do të synohen në të gjithë institucionet shëndetësore në vend, jo vetëm për të përmirësuar shërbimin ndaj pacientëve, por dhe për të krijuar kushte optimale që mjekët të ushtrojnë profesionin e tyre human.

“Po tentohen standardet më të mira dhe më bashkëkohore, për ti dhënë mundësi mjekëve që të zhvillojnë vetveten si profesionistë, në kushte sa më të përafërta me kushtet që kanë kolegët e tyre jashtë Shqipërisë. Kjo qendër, për vite të tëra nuk ka qenë fare një qendër spitalore universitare, por ka qenë në të njëjtën kohë dhe spitali i gjithë Shqipërisë. Synimi është që të shpërndahet barra dhe të kemi disa nivele. Mendoj që check up-i do të vazhdojë të japë të dhëna dhe të ndihmojë që të krijojmë një bazë të parë. Mendoj që shërbimi tanimë këtë vit falas, tek mjeku i familjes është një tjetër kusht i mirë, por që ka ende nevojë të përforcohet, duke ndihmuar edukimin në vazhdim të mjekëve të familjes, duke stimuluar sistemin e mjekut të familjes, përmes investimeve edhe aty. Sigurisht, pastaj përtej spitaleve rajonaleve, kjo qendër nuk ka pse të mos jetë një qendër ekselence.  Ky është edhe synimi për disa pjesë të tjera të QSUT-së, që janë ende aty ku ishte ky repart përpara këtij transformimi. Do t’ia dalim. Plani është i qartë, hapat dihet se cilat janë. Nuk na mungon as dëshira dhe as kuraja. Por mbi të gjitha, përsëri e them këtë gjë, me bindje, jo formalisht, keni një bazë të mirë ku të mbështeteni, tek burimet njerëzore.” – tha Kryeministri.

Posted in Lajme by admin qsut
01/11/2015

Kanë kaluar tashmë dhjetë vite nga vizitat dhe ndërhyrjet e para të planifikuara në shërbimin e Kardiokirurgjisë së QSUT “Nënë Tereza” të ekipit të mirënjohur drejtuar nga Prof. Vittorio Vanini, një kardiokiurg pediatër i shquar në fushën e tij, ç’ka është mundësuar nga fondacioni “The Heart of Children”. Ky ekip i mbështetur edhe nga kardiokirurget e subspecializuar te QSUT ka operuar dhjetëra raste tejet të vështira duke shpëtuar jetë fëmijësh të cilët janë dëshmija e gjallë e profesionalizmit dhe mundit të këtij ekipi të përbashkët.

Në kuadrin e një bashkëpunimi mes QSUT dhe fondacionit “The Heart of Children” me qendër në Milano, Prof. Vanini me ekipin e tij, përgjatë gjithë kësaj periudhe ka asistuar mjekët kardiologë, kardiokirurgë dhe kardiopediatër së bashku me stafin infermieror, për të kryer vizita mjekësore, intervente, kateterizime për fëmijët shqiptarë me probleme të lindura të zemrës. Ky bashkëpunim prej një dekade ka çuar në zhvillimin e mëtejshëm të kardiokirurgjisë pediatrike në vendin tonë duke mundësuar që pacientët e vegjël të mos shkojnë për tu kuruar jashtë vendit.

Sot kardiokirurgjia pediatrike shqiptare është në gjendje të zgjidhë shumicën e problemeve të lindura të zemrës në mosha të vogla, kjo falë dhe investimeve të rëndësishme (aparatura dhe materiale të nevojshme mjekësore) të bëra këto dy vitet e fundit në shërbimin e Kardiokirurgjisë nga Ministria e Shëndetësisë në kuadër të përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së shërbimit mjekësor edhe në këtë fushë.

Dhjetë fëmijë me probleme të lindura të zemrës (anomali kongenitale) si: Koartacion aorte, Defekt interventrikular, Tetralogji Fallot, Ventrikul i djathtë me dalje të dyfishtë, Kanal Atrio-ventrikular komplet, janë operuar gjatë kësaj jave në shërbimin e Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, nga mjekë të këtij shërbimi nën asistencën e kardiokirurgëve italianë të shoqatës “The Heart of Children” të kryesuar nga Prof. Vittorio Vanini.

Për herë të parë, një mjek shqiptar hemodinamist pediatër i QSUT ka realizuar katër ndërhyrje tek fëmijët me patologji kardiake të lindura në sallat e Hemodinamikës, ku është kryer me sukses dilatacioni me ballon i stenozës së arteries pulmonare.

Gjithashtu ekipi i përbashkët i Prof. Vaninit dhe kardiokirurgëve shqiptarë kanë kryer 50 vizita ambulatore në QSUT të fëmijëve neonatë me probleme të lindura të zemrës, të cilët janë operuar apo do të operohen nga stafi mjekësor.

Posted in Lajme by admin qsut
26/09/2015

Pacientët të cilët nuk janë të shtruar në spital, por që kanë rekomandimin e mjekut të familjes për një konsultë të specializuar me mjekë të QSUT-së, një analizë apo dhe ndërhyrje, nuk do të duhet të enden në radhë nëpër pavione për të pritur mjekun, por një qendër e re konsultash po ndërtohet posaçërisht për shërbimin ambulator.

 

“Do të përmirësojë shumë shërbimin ambulator mjekësor të QSUT-së, do të shmangë të gjitha ecejaket për pacientët që vijnë në spital për të takuar mjekun për konsultë. Aktualisht sot këto shërbime kryhen në spitale specifike. Ne do t’i centralizojmë në këtë qendër unike të konsultave përmes një sistemi unik online dhe telefonik të prenotimeve, ku pacientët apo qytetarët mund të vijnë të prenotojnë një vizitë me mjekun që duan për të gjitha sëmundjet patologjike apo ndërhyrjet kirurgjikale”, thotë Ogerta Manastirliu, drejtore e QSUT-së.

 

Në këtë mënyrë shërbimi spitalor dhe ai ambulator do të funksionojnë të ndarë duke mos shqetësuar pacientët e shtruar apo duke krijuar kaos nëpër pavione .Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tha se kjo qendër pritet të jetë gati pranverën e vitit 2016 dhe do të pajiset me aparatura të parametrave bashkëkohore.

 

“Akti normativ i buxhetit të shtetit që u miratua në fund të korrikut, morëm 33 mln lekë për pajisjet e nevojshme, që do të thotë që pranverën e ardhshme ne jemi gati për ta vënë në funksionim të plotë këtë qendër konsultash. Do të përmirësojmë ndjeshëm cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe do të ulim ngarkesën që kanë sot pavionet. Janë 32 kabinete, që do të thotë se këtu të paktën do të realizohen rreth 300 vizita në ditë”, deklaroi ministri Beqaj.

 

Kjo qendër e re konsultash pritet të rrisë standardet dhe cilësinë e shërbimit në qendrën spitalore më të madhe në vend.

Posted in Lajme by admin qsut