25/05/2015

Në vijim të trajnimeve të personelit infermieror gjatë muajve Prill – Maj 2015, Njësia e Kontrollit të Infeksioneve Spitalore në QSUT zhvilloi demostrimin praktik të larjes së duarve si element i rëndësishëm në kujdesin ndaj pacientit.

 

Nën fushatën “Lani duart” u realizua trajnimi i 169 infermierëve të shërbimeve të QSUT me temën “Zbatimi korrekt i procedurave për larjen dhe dezinfektimin e duarve në personelin shëndetësor”. Ky trajnim synoi asimilimin e njohurive mbi këto procedura dhe drejtzbatimin e tyre, impaktin që sjellin në reduktimin e infeksioneve spitalore, përmirësimin e shëndetit të pacientëve, uljen e ditëqendrimit dhe kostos spitalore. Ekipi i Njësisë Nozokomiale ka vlerësuar si shumë të kënaqshme rezultatet pas përfundimit të trajnimit.

Posted in Lajme by admin qsut
06/05/2015

Rasti i parë në historinë e spitaleve tona që një gjendër mbiveshkore të hiqet kur është zmadhuar në 14 cm dhe peshon një kilogram.

 

Stafi i mjekëve në Shërbimin e Urologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, ka kryer një intervent të vështirë dhe shumë të rrallë. Pas konsultimit të rastit në stafin e këtij shërbimi, pacientes Behare Rexhepi, 25-vjeçare nga Prishtina, i është hequr një tumor i surenales së djathtë. Operacioni që zgjati 3 orë kryesuar nga Prof. Mustafa Xhani, kirurgët Aurel Janko, Bilbil Hoxha, Gjergj Karamitri, anestezisti Prof.As. Rudin Domi dhe ekipi ndihmës i sallës së operacionit të Shërbimit të Urologjisë, ishte refuzuar nga Klinika Universitare e Kosovës dhe nga spitalet private në vendin tonë.

 

Rasti i Behare Rexhepit, është intervent i rrallë dhe i vështirë, pasi tumori kishte raporte shumë të ngushta me enë të mëdha të gjakut (dëmtimi i të cilave mund të jetë me pasoja fatale për pacientin), raporte të ngushta me organe jetësore për pacientin si veshka dhe mëlçia si dhe vështirësi anestetike të rëndësishme.

 

Është rasti i parë në historinë e spitaleve tona, që një gjendër mbiveshkore, e cila normalisht ka madhësi 1 cm, të hiqet kur është zmadhuar në 14 cm dhe peshon një kilogram. Vetëm një ekip i tillë multidimensional midis urologëve me përvojë të këtij shërbimi, anestezistëve dhe infermierëve, mund të garantojë një sukses të tillë operacioni. Ky intervent është në vazhdën e operacioneve të suksesshme të gjendrës mbiveshkore të bëra në Shërbimin e Urologjisë në QSUT si dhe operacioneve shumë të rralla siç janë heqja e veshkës për tumor renal me “tromb masiv në venën kava inferiore”. Ekipi i kirurgëve të këtij shërbimi ka kryer edhe ndërhyrjet e rëndësishme profesionale si “cisektomi radikale” dhe transplantet renale.

 

Pacientja aktualisht është në kushte shumë të mira shëndetësore, nën kujdesin intensiv të mjekëve dhe stafit infermieror dhe është në pritje të terapive shtesë në varësi të biopsisë.

 

“Nuk di si ti falenderoj mjekët dhe gjithë stafin e këtij shërbimi”,- shprehet Beharja, “që ditën pas operacionit u ngrita në këmbë dhe fillova të eci”. “Kam vajtur gjithandej në spitale publikë e private, në Shqipëri dhe Kosove, jam konsultuar me shumë mjekë, por vetëm këtu gjeta shpëtim. Nuk do t’jua harroj kurrë këtë shërbim dhe përkushtim që kanë treguar ndaj meje”, – thotë ajo.

Posted in Lajme by admin qsut
26/04/2015

Shërbimi i Statistikës në QSUT, ka për qëllim të sigurojë transparencën e ofrimit të shërbimit spitalor. Ky shërbim i një rëndësie të vecantë për QSUT-në, grumbullon dhe përpunon të dhënat statistikore bazë dhe ato krahasuese, për indikatorët kyc të performancës spitalore.

 

Të dhënat që ky shërbim prodhon, ndihmojnë në të gjitha proceset planifikuese dhe monotoruese, si dhe në mirëadministrimin e shërbimeve tona klinike.

 

Prej më shumë se një dekade i lënë në harresë, Shërbimi i Statistikës ishte në kushte të vështira pune për stafin dhe pa standarte.

 

Nga sot, ky Shërbim ka kushte dinjitoze të ofrimit të shërbimit për stafin, duke shërbyer si bazë kërkimore shkencore në zhvillimin e jetës akademike dhe publikun të cilët marrin shërbime direkte në këtë strukturë.

 

Cdo ditë punojmë për të përmirësuar shërbimet për stafin dhe komunitetin tonë të pacientëve.

Posted in Lajme by admin qsut
13/03/2015

Ka mbërritur në duart e kardiokirurgëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sasia e instrumenteve më të fundit të teknologjisë që do të përmirësojnë ndërhyrjet kirurgjikale në zemër. Në prani të Drejtoreshës së QSUT-së, Ogerta Manastirliu, u janë dorëzuar mjekëve Arben Baboçi dhe Altin Veshti, këto intrumente për ndërhyrjet kirurgjikale, dhuratë nga shoqata “Një botë për një zemër”.

Financimi ishte bërë i mundur nga kontributi i xhamive të kryeqytetit që iu përgjigjën thirrjes së bërë në media nga Presidenti i Shoqatës “Një botë për një zemër”, Agim Baçi dhe dy mjekëve kardiokirurgë, Arben Baboçi dhe Altin Veshti. “Këto pajisje përmirësojnë gjithë punën tonë në ndërhyrjet në zemër, sidomos për të sapolindurit” – tha mjeku Baboçi, duke falenderuar kontribuesit për këtë ndihmë në drejtim të Kardiokurirugjisë Pediatrike në QSUT.

Dhurimi i instrumenteve operatore u bë i mundur edhe nga mbështetja e kardiokirurgut italian Dr. Vitorio Vanini, i cili bëri të mundur që pajisjet që kushtonin mbi 70 mijë euro në treg të bliheshin nga prodhuesi për një shifër 16 mijë euro. “Dëshiroj të falenderoj të gjithë kontribuesit e xhamive në Tiranë dhe Komunitetin e Myslimanëve që u angazhuan në mbledhjen e fondeve, si dhe ekipin e mjekëve, të drejtuar nga Doktor Vanini, që inicoi këtë blerje me një fond shumë më të vogël se sa kushtonin realisht në treg” – tha Presidenti i Shoqatës “Një botë për një zemër”, Agim Baçi.

Ndërkaq, drejtoresha Manastirliu u angazhua për rritjen e bashkëpunimit për të afruar sa më shumë donatorë që do të përmirësonin rrjetin e ndërhyrjeve në zemër, sidomos për fëmijët e vegjël. “Vlerësoj dhe falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në sigurimin e këtyre instrumenteve operatore që do të përmirësojnë cilësinë e ndërhyrjeve kardiokirurgjikale” – tha Manastirliu.

Posted in Lajme by admin qsut
12/03/2015

Momente nga takimi profesional i Shërbimit të Nefrologjisë mbajtur sot në kuadër të Ditës Botërore të Veshkave.

Kjo ditë organizohet çdo vit, të enjten e dytë të muajit Mars,dhe ka për mision të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e veshkave dhe shëndetin në përgjithësi, si dhe të reduktojë shpeshtësinë dhe ndikimin e sëmundjeve të veshkave dhe problemeve shëndetësore të lidhura me to në mbarë botën.

Të jemi të vetëdijshëm për zgjedhjet tona të jetesës.

Në Ditën Botërore të Veshkave ftojmë çdo qytetar për të pirë një gotë me ujë për veshkat e tij dhe të inkurajojmë të gjithë për të bërë zgjedhjen e shëndetshme të ujit të pijshëm në vend të pijeve me sheqer. Ky është një gjest simbolik për të kujtuar se veshkat janë organet vitale dhe se për to duhet të tregohet kujdes.

Ne të gjithë nuk jemi të barabartë në lidhje me sëmundjet e veshkave dhe aksesin në trajtim. Disa komunitete, si në vendet me të ardhura më të larta dhe ato më të ulëta janë në rrezik më të madh se të tjerët për shkak të origjinës së tyre etnike, statusit socio-ekonomik dhe vendit ku jetohet.

Duke ndërmarrë hapa për të jetuar një mënyrë jetese të shëndetshme, kjo qartazi ndihmon për të reduktuar rrezikun dhe zbulimi i hershëm dhe trajtimi mund të ngadalësojnë ose pengojnë përparimin e sëmundjes kronike të veshkave dhe do të reduktojnë rritjen e incidencës së sëmundjeve shoqëruese kardiovaskulare.

  • 10% e popullsisë së botës vuan nga SKV-të.
  • Rreth 1 në 10 njerëz kanë një formë të SKV-ve. Sëmundja kronike e veshkave është parashikuar të rritet me 17% gjatë dekadës së ardhshme.
  • Ajo është e njohur tani nga OBSH-ja dhe organizata të tjera si çështje e shëndetit publik global.
  • Gjendje të ndryshme mund të çojnë në SKV.
  • Ato prekin njerëzit e të gjitha moshave dhe racave.
  • Takohet më shpesh me rritjen e moshës dhe në veçanti te gratë.
  • 1 në 5 meshkuj dhe 1 në 4 gra midis moshës 65 – 74 vjeç kanë SKV.
  • Gjysma e njerëzve të moshës 75 vjeç ose më shumë kanë një formë të sëmundjes kronike të veshkave. Shumë prej tyre në fakt nuk kanë sëmundje të veshkave, por ata kanë plakjen normale të veshkave të tyre.
  • Më shumë se 80% e individëve që marrin terapi zëvendësuese të veshkave (RRT) jetojnë në vendet e zhvilluara, sepse në vendet në zhvillim ajo është kryesisht e papërballueshme.
  • Kosto e trajtimit të kësaj epidemie në rritje paraqet një barrë të madhe mbi sistemet e kujdesit shëndetësor në mbarë botën.
  • Pas moshës 40 vjeç, funksioni i filtrimit të veshkave fillon të bjerë me rreth 1% në vit.
Posted in Lajme by admin qsut
10/02/2015

Komisioni Mjekësor Spitalor (KMS) i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u mblodh ditën e martë 10 Shkurt 2015 nën kujdesin e Drejtores së Përgjithshme znj. Ogerta Manastirliu dhe Kryetarit të Komisionit Prof. Mustafa Xhani.

Në këtë takim të parë për vitin 2015 Komisioni analizoi disa nga çështjet me rëndësi të vitit të kaluar 2014 me theks të veçantë në mirëadministrimin e barnave dhe materialeve të mjekimit si dhe problematikat e hasura në lidhje me konsumin e tyre në shërbimet mjekësore. Diskutimet u ndalën në disa pika sipas axhendës së përcaktuar siç ishin marrëdhëniet e Shërbimit të Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme me shërbimet e tjera si Neurologji, Kardiologji, Mjekësi Interne, ku kryesisht u diskutua mbi koordinimin në kohë të konsultave mes tyre, administrimin e rasteve nga urgjenca në shërbime, si dhe protokollet e administrimit të pacientëve në këtë Shërbim.

Një çështje tjetër me rëndësi ishte dhe mbulimi me shërbimin e rojeve në disa prej shërbimeve si Kardiologji, Nefrologji, Alergologji etj, organizimi më i mirë i punës për shërbimin primar në turnet e treta apo përgjigjet on call. QSUT po përgatit Transparencën e shifrave për vitin 2015 dhe kjo ishte edhe një ndër pikat e diskutimeve në KMS. Shërbimet mjekësore po përpunojnë dhe analizojnë treguesit spitalorë të vitit 2014 për t’i paraqitur në aktivitetin vjetor të Qendrës tonë Spitalore që do të jetë në ditët e para të muajit Mars.

Posted in Lajme by admin qsut
10/02/2015

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, nga data 28 Shtator deri më 2 Tetor, nën drejtimin e një ekipi ekspertësh mjekë dhe infermierë të Spitalit të Fort Worth, Texas, po zhvillohet një trajnim për personelin mjekë dhe infermierë të Shërbimit të Pediatrisë dhe Urgjencës së QSUT-së. Një bashkëpunim ky i Swiss Foundation for Innovation (SFI), Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

 

Ky trajnim ka për qëllim fuqizimin e profesionistëve mjekësorë të QSUT-së drejt një urgjence polivalente me pacientin në fokus. Metodologjia e këtij trajnimi është duale, pra një kombinim i teorisë me praktikën, duke ua përshtatur leksionet dhe ushtrimet sa më mirë nevojave reale të punës së personelit të QSUT. Gjatë këtyre ditëve, u zhvilluan trajnime të ndryshme për menaxhimin efikas të rasteve të emergjencave, duke synuar rritjen e aftësive të infermierëve dhe mjekëve të urgjencës.

 

Disa nga temat e trajnimit përfshijnë vlerësimin e përgjithshëm (head-to-toe) dhe kujdesin bazë për jetën (BLS) në pediatri, reanimimi zemër – mushkëri, ketoacidoza diabetike, temperatura me origjinë të panjohur, ritmi në EKG (diagnostikim dhe trajtim) dhe praktikim me defibrilator AED, shoku dhe sepsis, patologjitë e rrugëve respiratore, detresi dhe insufiçienca respiratore, menaxhimi i avancuar i rrugëve respiratore në urgjencë, riparimi i laceracioneve të thjeshta dhe suturimi i plagëve të hapura, pacienti me vetëdije të errësuar, komunikimi dhe raportimi në skuadër etj.

 

Qendra Spitalore Universitarse “ Nënë Tereza” në vijimësi do të zhvillojë programe të edukimit në vazhdim për personelin e saj shëndetësor me qëllim rritjen e aftësive të tyre në ofrimin e shërbimit me cilësi dhe efikasitet sa më të lartë.

Posted in Lajme by admin qsut
04/02/2015

Dënojmë me forcë aktin e shëmtuar të dhunimit të mjekes B.H. në ambientet e QSUT-së

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dënon me forcë aktin e shëmtuar të dhunimit të mjekes B.H. në ambientet e QSUT-së, nga shtetasi H.H. ndërkohë që po ushtronte detyrën e saj.

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në vijim të denoncimit që vetë mjekja ka bërë në organet kompetente, u bën thirrje këtyre të fundit që t’i shkojnë deri në fund investigimit të ngjarjes si dhe të marrin të gjithë masat e parashikuara në ligj për ndëshkimin e autorit të dhunimit të mjekes B.H.

Duke u nisur dhe nga rasti i dhunimit të infermierit Gj.L. në ambientet e Urgjencës së QSUT një ditë më parë, QSUT dëshiron t’u rikujtojë të gjithë qytetarëve se mjekët, infermierët dhe i gjithë personeli i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është në dispozicion të tyre, për t’u ofruar një shërbim mjekësor sa më cilësor, si dhe të mos bien pre e një fryme dashakeqe ndaj këtij personeli, frymë e cila e gjen shprehjen edhe në aktet e dhunshme si ai i djeshmi ndaj infermierit apo i sotmi ndaj mjekes, të dy teksa ushtronin detyrën e tyre.

Rritja e presionit ndaj personelit mjekësor, ndërkohë që ky kryen detyrën në shërbim të pacientëve, nuk është as në interes të objektivit tonë për të ofruar një shërbim me cilësi, as edhe në interesin e pacientëve, të cilët vijnë për ta marrë këtë shërbim në spitalet tona.

Posted in Lajme by admin qsut
27/01/2015

Autonomi spitalore dhe kalim i administrimit të spitaleve nga ministria tek trupa e mjekëve do të jetë modeli i ardhshëm i organizimit spitalor. Ky objektiv i reformës strukturore në shëndetësi u bë sot publik nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa ndodhej në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku u përurua rikonstruksioni dhe pajisja e repartit të neurologjisë.

Kryeministri që shoqërohej në këtë inspektim nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, theksoi se autonomia spitalore do të jetë reforma më e rëndësishme strukturore që synon miradministrimin e spitaleve nga vetë ata që qëndrojnë më pranë pacientëve.

“Këtu mund të shohim edhe bazën solide të asaj që do të jetë reforma më e rëndësishme strukturore dhe që do të garantojë autonominë spitalore. Pra, kalimi i fateve të administrimit të spitaleve nga duart e ministrisë dhe të qeverisë në duart e trupës që është në frontin e betejës me sëmundjen dhe që jo vetëm duhet të zbatojë, por duhet të projektojë dhe të ketë në dorën e vet, mundësinë që projektet e veta t’i financojë me vendimmarrjen e vet autonome.” – u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministri vizitoi disa nga shërbimet e Spitalit Neurologjik që pas rikonstruksionit plotësojnë standardet bashkëkohore për trajtimin e kësaj tipologjie sëmundjeje. Në shërbimin e konsultave ambulatore, Kryeministri u bë dëshmitar i trajtimit të një rasti urgjence nga spitali rajonal i Vlorës rast, i cili u zgjidh nga mjekët e specializuar të këtij spitali falë teknologjisë së shkëmbimit të imazheve ose telestrokës. Kryeministri u ndal edhe në shërbimin e rehabilitimit fizik, ku struktura e fizioterapisë për të parën herë shfaqet me një palestër moderne, të mirëpajisur që së bashku me elementë të tjerë do të sjellë përmirësimin dhe riaftësimin në një kohë më të shkurtër të pacientëve me probleme si pasojë e sëmundjeve neurologjike. Në këtë shërbim është vendosur për të parën herë “acces control” për personelin, duke mundësuar kështu dhe monitorimin e kohës së punës në shërbim.

Shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë Mentor Petrela i vlerësoi kushtet e reja që ofron ky shërbim vetëm me një fjali “Një normë europiane”.  Ndërsa neurologia Jera Kruja, me një përvojë të gjatë, mbi tre dekada, në këtë shërbim u shpreh e entuziazmuar për atë çka përfaqëson e ofron spitali sot.

“Vitet e fundi kishte ardhur një moment që spitali kishte arritur në një nivel shumë të ulët shërbimi përsa i përket strukturës. Ne do të mundohemi ta mirëmbajmë me të gjithë stafin tonë,” – u shpreh mjekja neurologe.

Drejtoresha e QSUT-së Ogerta Manastirliu e cilësoi Shërbimin e Neurologjisë një shembull i modelit dhe i vizionit të qeverisë për administrimin spitalor.

“Është një spital që ofron kushte dhe standarde bashkëkohore jo vetëm nga infrastruktura, por edhe nga modeli i administrimit dhe vizionit që ne kemi implementuar në këtë spital, për mënyrën sesi ne duam të menaxhojmë pacientët, që ata të kenë dhe t’u ofrohen të gjitha shërbimet me cilësi. Ky është modeli që ne duam të zhvillojmë për gjithë shërbimin tonë spitalor,” – tha Manastirliu.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama nënvizoi se ndryshimi që sjell ky Shërbim është i prekshëm, ndërsa e quajti si nga pikëpamja e infrastrukturës dhe e organizimit, modeli i të nesërmes për të gjithë shërbimin spitalor shqiptar.

“Ky është një model i prekshëm për atë që ne mund dhe do të bëjmë për shërbimin tonë spitalor, duke e nisur nga kjo qendër spitalore universitare ku pa as më të voglin ndryshim, çdo strukturë do të jetë si kjo strukturë. Praktikisht, norma europiane, e konsoliduar për nga pikëpamja e infrastrukturës dhe e organizimit në këtë strukturë, do të jetë një normë europiane e konsideruar në të gjitha strukturat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndërkohë që, pa as më të voglin dyshim, duke qenë se këtu është bërë më në fund, një punë pa hile, një investim pa hile, një përfshirje pa hile e të gjithë aktorëve të përfshirë në projekt, që nga ata që kanë zbatuar projektin e ndërtimit deri tek ata që kanë ndërtuar dhe po implementojnë këtë organizim të ri, sot është dita për të thënë ja ku jemi dhe ja ku e kemi të prekshme atë që do të jetë nesër, për gjithë njerëzit në nevojë, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në të gjitha strukturat e veta. Por si çdo gjë që kërkon kohë, kjo do të kërkojë kohën e vetë. Por, koha që do të kërkojë do të jetë shumë më e shkurtër se koha e humbur në gjithë këto vite degradimi, rrënimi dhe bastardimi të shërbimit spitalor dhe braktisjeje të mjekëve, të infermierëve e të gjithë trupës që ka punuar me heroizëm në gjithë këto vite, në mungesë të plotë të një organizimi dhe të një administrimi, ashtu siç duhet,” – u shpreh Kryeministri, pasi vizitoi ambientet e rikonstruktuara.

Spitali Neurologjik është ndërtuar në vitin 1978. Tashmë, Shërbimi i Neurologjisë është jo vetëm i rikonstruktuar, por dhe i pajisur me hotelerinë e nevojshme për funksionim. Dhomat e pacientëve plotësojnë një tjetër standard bashkëkohor, sikundër organizimi i recepsioneve  është një tjetër standard i vendosur që lehtëson marrjen e shërbimit në kohë dhe me cilësi nga pacientët.

 

Posted in Lajme by admin qsut
25/01/2015

Operimi i suksesshëm i dy pacientëve kosovarë, një hap i rëndësishëm për fillimin e implementimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes QSUT dhe QKUK.

Ndërhyrjet janë realizuar në Klinikën e Kardiokirurgjisë QKUK nga ekipi i kardiokirurgëve të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT) dhe stafit mjekësor  të Klinikës së Kardiokirurgjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes tyre.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, vizituan sot Klinikën e Kardiokirurgjisë me rastin e operimit të dy pacientëve nga ekipi i kardiokirurgëve të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT) dhe stafit mjekësor  të Klinikës së Kardiokirurgjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit që kanë mes tyre.

Ministri Rrahmani tha se operimi i suksesshëm i dy pacientëve kosovarë është një hap i rëndësishëm për fillimin e implementimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes QKUK-së dhe QSUT-së.

“Jemi të angazhuar maksimalisht që Kardiologjia Invazive dhe Klinika e Kardiokirurgjisë të funksionalizohet sa më shpejtë, si dhe këto shërbime t’u ofrohen qytetarëve tanë. Marrëveshja  mes dy qendrave tona luan rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve në Klinikën e Kardiokirurgjisë, por edhe në përcjelljen  e përvojave tuaja profesionale tek kardiokirurgët e rinj kosovarë”, tha ministri Rrahmani.

Ambasadori Minxhozi tha se, është shumë e rëndësishme ngritja e kapaciteteve profesionale kardiokirurgjike në QKUK.

“Përkrahja e Republikës së Shqipërisë nuk do të mungojë në asnjë rast aty ku shihet e nevojshme për shëndetësinë kosovare. Ne njohim për gjendjen aktuale të kësaj klinike dhe në bazë të marrëveshjes që kemi, do të jemi bashkudhëtarë në procesin e funksionalizimit së këtij shërbimi”, tha ambasadori shqiptar Minxhozi.

 

Posted in Lajme by admin qsut