Kantieri i Shëndetësisë ka nisur punën nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me tre investime shumë të rëndësishme, për t’u shtrirë në mbarë vendin. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Drejtore e QSUT-së Ogerta Manastirliu, ishte sot për të inspektuar investimet në QSUT.
20 autoambulanca të reja do të vihen në dispozicion të spitaleve në të gjithë vendin për të përmirësuar shërbimin e urgjencës. Ky investim bëhet në kuadër të angazhimit për ngritjen e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës. Drejtori i shërbimit të urgjencës Dritan Pasku e njohu Kryeministrin me pajisjet dhe shërbimin bashkëkohor që ofrojnë mjetet e reja të transportit spitalor.
Ministri i Shëndetësisë Beqaj u shpreh se këto kapacitete diagnostike ishin të domosdoshme për spitalet e vendit dhe se po studiohet mundësia që ato të jenë të pranishme edhe pranë vendeve më problematike, përsa i përket aksidenteve në disa rrugë kombëtare të vendit, në mënyrë që t’u vihet sa më parë në ndihmë qytetarëve në nevojë. “Po punojmë gjatë gjithë vitit për të ngritur modelin sidomos të vendosjes në territor sepse në qoftë se sot i kemi pranë spitaleve, është e domosdoshme që të krijojmë edhe njësi të ndërmjetme. Për shembull Tirana nuk mund të rrijë vetëm me një qendër urgjence. Në 2 apo 3 hot-spote nacionale ku ka më shumë aksidente mendojmë t’i afrohemi me një njësi të përhershme me dy ambulanca që të jetë më i shpejtë transporti,” – u shpreh Beqaj.
Një investim tjetër shumë i rëndësishëm, është edhe ngritja e Qendrës së Konsultave Ambulatore në QSUT, e cila do të lehtësojë ndjeshëm shërbimin ambulator brenda kësaj qendre, duke shmangur kështu kaosin dhe amullinë që krijohet shpeshherë në pavionet e spitalit. Qendra do të presë rreth 300 pacientë në ditë.
Drejtorja e QSUT, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se ky projekt bashkohor, i cili vjen si një risi për QSUT, do të zbatohet brenda këtij viti e më pas do të aplikohet edhe në spitale të tjera rajonale. “Jemi munduar që të krijojmë të gjitha facilitetet e domosdoshme, gjithmonë për t’u ofruar qytetarëve më shumë shpejtësi, akses, ose për të ofruar të gjithë diagnostikën e nevojshme për t’u bërë në një godinë. Qytetarët hynë në një derë dhe dalin në derën tjetër, ndërkohë që mjekët kanë hyrje të personalizuara dhe një farmaci rimbursimi, pasi sot janë më shumë se 100 qytetarë të cilët vijnë të marrin ilaçet e rimbursimit dhe ndërkohë janë të paorientuar në ambientet e QSUT,” – u shpreh ajo.
Një tjetër projekt në zhvillim e sipër, i cili përfaqëson njëkohësisht një ndër prioritet në programin e shëndetësisë, është ai për përmirësimin e shërbimit onkologjik. Kryeministri Rama pa nga afër ecurinë e punës për ndërtimin e bunkerit për akselerator linear, i cili do t’u mundësojë pacientëve që trajtohen me radioterapi, një shërbim modern, në kushte optimale, si dhe teknologji të avancuar.
Shefi i Shërbimit të Onkologjisë pranë QSUT, Prof. As. Dr. Agim Sallaku, shpjegoi për kryeministrin projektin, i cili ka specifika të veçanta në ndërtimin e më pas në funksionimin e tij. “ Kjo është zona e gjithë sistemit të ri të aparaturave të radioterapisë, pra akseleratorëve linearë dhe disa pajisjeve të aksesorëve të tjerë. Janë konstruksione shumë të veçantë për shkak të problematikës, mure me betonarme me densitete specifike, sipas agjencisë atomike, rreth dy metra të trasha, që të ketë sigurinë si për ambientin ashtu dhe për punonjësit. Është teknologjia më e avancuar që bëhet. Besoj që me instalimin e akseleratorëve, pak a shumë shkojmë në ato parametra të trajtimit të kancerit normal si në çdo vend tjetër të botës.” – u shpreh Dr. Sallaku.
Kryeministri Rama u shpreh se beteja për shëndetësinë është një betejë themelore e qeverisë, si dhe prioritet i Programit të Rilindjes Shqiptare.
Pronocim i Kryeministri Rama, pas inspektimit në QSUT:
“Duke ndarë me të gjithë qytetarët vetëdijen se kantieri i shëndetësisë ka domosdoshmërinë të jetë një kantier i suksesshëm, dua gjithashtu të shpreh gjithë vlerësimin tim për punën e jashtëzakonshme të Ministrit, ministrisë së shëndetësisë dhe drejtuesve të spitaleve tona, duke filluar nga ky spital që është themelor për shërbimin shëndetësor në vend dhe që ka një mbingarkesë të jashtëzakonshme dhe që lidhet me faktin se sistemi është rrënuar me vite të tëra, deri në pikën ku këtu ka mbetur e vetmja shpresë dhe shpeshherë një shpresë e zhgënjyer e njerëzve për vite të tëra. Sot ne jemi këtu për të dëshmuar se kantieri jo vetëm që është ngritur mbi piketat e duhura, por hap pas hapi po fillon të japë edhe rezultatet që ne presim.
Beteja për shëndetësinë është një betejë themelore e qeverisë sonë, është një prioritet i programit tonë të Rilindjes Shqiptare. Është një përpjekje qe ne do ta bëjmë parreshtur për ditë, për natë, pavarësisht cinikëve dhe pavarësisht të gjithë atyre që ngrenë gishtin për të akuzuar për gjëra të cilat janë qartësisht trashëgimi e rëndë e një të shkuare që Shqipëria po e lë pas ditë pas dite.
Nga ana tjetër, në ditët në vijim do të shpaloset siç e kemi paralajmëruar edhe beteja e madhe kombëtare, beteja e përbashkët e qeverisë me qytetarët kundër korrupsionit. Një pjesë e kësaj platforme do t’i kushtohet betejës së përbashkët kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor. Besoj që kjo do të na japë një fuqi të shtuar në këtë betejë, pasi sa më shumë qytetarë të bëhen pjesë e kësaj beteje, aq më shpejt ne mund të nxjerrim shëndetësinë në dritën e plotë të rilindjes që duam dhe që do ta bëjmë të mundur së bashku.
Së fundi, dua të nënvizoj se 16 muaj janë shumë pak për të shndërruar në një histori të plotë suksesi një platformë të plotë rrënimi si ajo që trashëguam, por në 16 muaj ndryshimet në shëndetësi janë reale. Ndryshimet në këtë spital janë të prekshme, ashtu siç janë të prekshme dhe në spitale të tjera të Shqipërisë. E këto janë ndryshime që mjaftojnë për të kuptuar një gjë që në 23 qershorin e viti 2013 fitoi ambicia për Shqipërinë moderne, ambicia për të parë më në fund një shtet që funksionon dhe që është në krye të detyrës ndaj qytetarëve, përkundër ambicies për pushtet në funksion të grabitjes dhe të rrënimit të vendit tonë të përbashkët. Ne jemi këtu për të vazhduar së bashku me qytetarët këtë betejë dhe pa as më të voglin dyshim, siç po dëshmojmë në të gjitha fushat se, jo vetëm nuk zmbrapsemi, por përkundrazi bëjmë çdo ditë nga një hap përpara dhe sfidat tona i njohim, i përballim dhe i fitojmë, do ta fitojmë këtë sfidë.
Nuk e kam harruar atë që kam thënë, që në fund të këtij mandati, debatin për shëndetësinë, si ishte dhe si u bë, do ta bëjmë këtu në këtë spital. Në këtë spital do të flasim përsëri me të gjithë ata që sot kanë kurajën që të ngrenë dhe gishtin e akuzës në vend se të heshtin dhe të përpiqen të kuptojnë se ajo çfarë i bënë Shqipërisë ishte një tradhti e madhe, që nuk mund të kapërcehet duke bërë sikur nuk ishin këtu.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj:
Disa përpjekje të rëndësishme janë kurorëzuar dhe po vazhdojnë për të fuqizuar sistemin shëndetësor në Shqipëri dhe praktikisht edhe sistemin spitalor dhe atë parësor. Jemi angazhuar për të ngritur një shërbim kombëtar të urgjencës i cili ka filluar bazën ligjore dhe po punohet për ta krijuar të gjithë sistemin në vend, por padyshim është e domosdoshme që të fuqizojmë kapacitet tona me autoambulanca. Këtu kemi 20 autoambulanca të reja, të cilat do të jenë në dispozicion të spitaleve të vendit për të përmirësuar shërbimin e urgjencës.
Është e domosdoshme që ne të arrijmë në kohë optimale tek kërkesat për urgjencë dhe po ashtu është e domosdoshme që të reduktojmë maksimalisht numrin e të sëmurëve që vijnë në urgjencë me mjetet e tyre dhe nuk vijnë të asistuar që në fillim nga personel mjekësor.
Po vazhdojmë një investim shumë të rëndësishëm për të përmirësuar kapacitet tona terapeutike për sëmundjet tumorale. Po ndërtojmë bunkerin për akseleratorin linear, i cili besojmë se deri në fillim të vjeshtës do të jetë operativ, sepse përveç ndërtimit edhe pajisja është e kontraktuar, si dhe për të bërë një trajtim jo vetëm efektiv, por edhe bashkëkohor për sëmundjet tumorale.
Shumë i rëndësishëm është gjithashtu edhe përmirësimi i shërbimit të drejtpërdrejtë ndaj pacientëve, të cilin besojmë do ta arrijmë me ndërtimin e Qendrës së Konsultave, e cila do të presë çdo ditë rreth 300 pacientë për të pakësuar shumë ecejaket brenda territorit të QSUT. Në mënyrë që, i gjithë shërbimi ambulator që do të merret nga ata që vijnë këtu të merret brenda kësaj qëndre. Ne do të hapim kantierin e Shëndetësisë me investime shumë të rëndësishme që fillojnë këtë vit në këtë spital, por dhe në qëndra të tjera spitalore dhe parësore të vendit.
Drejtorja e QSUT Ogerta Manastirliu:
Dihet që QSUT pret fluksin më të madh të pacientëve në të gjithë Shqipërinë dhe ofron shërbime të specializuara. Është shumë e rëndësishme që sot ne kemi filluar të mendojmë përtej vetëshërbimeve spitalore, për të hospitalizuar pacientë në pavione, por edhe për ata të cilët janë nevojë të marrin një shërbim direkt brenda një kohe të caktuar për ata të cilët vijnë dhe aksesojnë qendrën spitalore nga jashtë Tiranës, duke dashur që t’i afrojnë një ambient pritës, bashkëkohor dhe pa vonesa për të gjetur aty të gjitha llojet e shërbimeve.
Një ndër prioritetet e qeverisë dhe prioritet tona të spitalit është shërbimi i onkologjisë. Në këtë kuadër investimi tjetër që ka filluar pasi dy janë investimet themelore, është dhe investimi për bunkerin, për akselerator linear, një hop cilësor për shërbimin onkologjik për të ofruar një shërbim më të mirë për ata pacientë që trajtohen me radioterapi dhe pikërisht nëpërmjet akserelatorit linear.
Sot në ambjentet e Qendrës së Hemoglobinopative pranë Spitalit Pediatrik, stafi i administratës së QSUT ka kushtuar disa momente të ditës në krijimin e ambjenteve sa më miqësore për fëmijët që marrin kujdes shëndetësor në këtë spital.
Stafi ynë ka pikturuar këtë qendër, në një përpjekje për të krijuar një ambjent më të ngrohtë, frymëzues që mbështet kujdesin dhe angazhimin ndaj këtyre fëmijëve dhe përhap frymën festive në ambjentet e spitalit.
Drejtoresha e Përgjithshme e QSUT “Nënë Tereza”, znj. Ogerta Manastirliu priti në një takim pune, Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për Divizionin e Europës Lindore, z. Manesa Peter Salema si dhe znj. Alesia Rodriugez, oficere e projekteve të IAEA me QSUT.
Në këtë takim ishin të pranishëm, Prof. Agim Sallaku, Shef i shërbimit të Onkologjisë, Prof. Agron Ylli, Shef i shërbimit të Endokrinologjisë dhe Mjekësisë Bërthamore dhe znj. Elida Bylyku, Drejtoresha e Institutit të Fizikës Bërthamore.
Gjatë takimit u diskutua vazhdimësia e projekteve të nisura, që QSUT ka me IAEA, një ndër të cilat është mbërritja gjatë vitit të ardhshëm e “SPECT”, pajisje e avancuar dhe unikale për vendin tonë, e cila kryen diagnostikime më cilësore dhe të avancuara për të gjitha llojet e sëmundjeve. Kjo pajisje pritet të vihet në punë në vitin 2015 dhe do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve, duke zbuluar sëmundjet tumorale në stade të hershme si dhe ndjekjen e tyre.
Theks i veçantë gjatë bisedimeve, u vu mbi rritjen e cilësisë së shërbimit të Radioterapisë dhe Mjekësisë Nukleare, ku përfshihet edhe trajnimi i stafit mjekësor dhe fizikanëve, të cilët merren me planet e trajtimit, sigurinë e rrezatimit si dhe kalibrimin e pajisjeve që prodhojnë rrezatim jonizues.
Gjithashtu, IAEA do të japë mbështetje nëpërmjet auditëve dhe ekspertëve për komisionimin e akseleratorit të dytë linear që do të montohet në QSUT gjatë vitit 2015.
U firmos marrëveshja ndërmjet Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë dhe Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për klinikën e kardiokirurgjisë.
Mjekët e Tiranës do të kryejnë pjesën më të madhe të ndërhyrjeve kardiologjike në spitalin e Prishtinës për vitin në vazhdim dhe 2015.
8 mjekë onkologë dhe dy mamografi të lëvizshme janë vënë në dispozicion të Shërbimit Onkologjik me qëllim parandalimin e sëmundjeve tumorale.
Në ditën ndërkombëtare të depistimit të kancerit të gjirit ku në Shërbimin Onkologjik në QSUT është duke u ofruar falas ekzaminimi për kancerin e gjirit, rezulton të jenë kryer deri më tani 250 ekzaminime të grave dhe janë regjistruar 600 të tjera që janë ndërgjegjësuar për të bërë kontrollet.
Drejtorja e QSUT shpjegon se është përmirësuar ndjeshëm dhe furnizimi me medikamente të citostatikëve për pacientët me sëmundje tumorale.
“Janë të regjistruar rreth 4400 raste të reja tumorale në vit, ndërkohë prej tyre 450 raste të reja janë identifikuar me tumorin e gjirit. Si qendër kombëtare unike në trajtimin e tumoreve kemi marrë masat për furnizimin e vazhdueshëm me kimiopreparate, specifikisht duke rritur 2,5 herë sasinë e citostatikëve, konkretisht të kimiopreparatit që lufton këtë sëmundje, duke mbuluar kështu nevojat në rritje të saj. Kemi fuqizuar strukturat mjekësore të Shërbimit Onkologjik, duke punësuar 4 mjekë të rinj në QSUT, për të shtuar dhe garantuar shërbimin cilësor në këtë spital”, u shpreh drejtoresha Ogerta Manastirliu.
Shefi i Shërbimit të Onkologjisë falënderoi për lehtësirat e krijuara deri më tani, si për sa i përket furnizimit me medikamente për pacientët me sëmundje tumorale, por dhe për mjekët e rinj onkologë, që do të shërbejnë për herë të parë në dy maternitetet e Tiranës, në Senatorium dhe në Spitalin e Durrësit, te të cilët deri më tani nuk ka pasur mjekë të specializuar për këtë qëllim.
“Me një vizion të ri, Ministria e Shëndetësisë po krijon qendra satelite të sektorëve të Onkologjisë dhe në rrethet kryesore të vendit dhe kjo është një pikë mjaft e rëndësishme sepse deri më sot kanë qenë sforco të mëdha të stafit të Shërbimit të Onkologjisë për të përballuar fluksin kombëtar”, deklaroi Agim Sallaku, shef i Shërbimit Onkologjik, QSUT.
Ministri i Shëndetësisë deklaroi se vetëm këtë muaj është bërë një punë e mirë diagnostikuese, aq sa nuk është bërë përgjatë gjithë vitit 2013. Vënia në punë e dy mamografive të lëvizshme do t’u japë mundësinë grave në zonat rurale të ekzaminohen falas.
“Mbulimi universal, ku synojmë të arrijmë, nuk mund të arrihet pa parandalim dhe diagnostikim të hershëm. Besoj se në këto 12 muaj kemi bërë punë me arritje konkrete edhe në këtë drejtim. Që në fillim të vitit vendosëm që të kishim pjesë të sistemit tonë edhe 2 mamografë të lëvizshëm, të cilët enkas po i çojmë në ISHP vitin e ardhshëm, institucion që ka si mision parandalimin. Duke i çuar atje, kemi vendosur tashmë që këto shërbime të jenë pa pagesë”, tha ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Sëmundjet tumorale janë ndër shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në vend, pasi deri më tani ato janë kapur vonë në kohë.
Në vijim, fjala e plotë e drejtuesve të sistemit të kujdesit shëndetësor të pranishëm në takim.
zj. Ogerta Manastirliu, Drejtor i Përgjithshëm QSUT:
Sot, në Ditën Kombëtare të Luftës kundër Kancerit të Gjirit, kemi kënaqësinë të themi se, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj njerëzore dhe materiale në disa drejtime. Ashtu siç e dini, sipas regjistrit ndërspitalor në QSU, janë të regjistruar 4400 raste të reja tumoresh në vit, ndërkohë prej tyre 450 raste të reja janë të identifikuar me tumorin e gjirit.
Si qendër kombëtare unike në trajtimin e tumoreve, kemi marrë masa për furnizimin e vazhdueshëm me kimiopreparate, specifikisht, duke rritur 2.5 herë sasinë e citostatikëve dhe specifikisht të Herceptinës apo Trastuzumabit, kimiopreparati që lufton këtë sëmundje dhe duke mbuluar kështu nevojat në rritje të saj.
Gjithashtu, duke rritur 1.5 herë edhe citostatikët e tjerë. Kemi fuqizuar strukturat mjekësore të shërbimit onkologjik, duke punësuar 4 (katër) mjekë të rinj në QSUT, për të shtuar dhe garantuar shërbimin cilësor në këtë spital, si edhe në spitalin ditor pranë këtij shërbimi.
Prej 1 Tetorit, në mbështetje të fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim parandalimin, me qëllim diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundje, kemi vënë në dispozicion kapacitetet tona mjekësore për mamografitë dhe eko të gjirit falas, për gratë mbi 45-50 vjeç, prej orës 2 deri në orën 8 të mbrëmjes, në bashkëpunim të ngushtë me drëjtorinë arsimore, me targetin e kontrollit të arsimtarëve.
Por, sigurisht, duke përfshirë të gjitha gratë, të cilat kanë kërkuar të diagnostikohen dhe të bëjnë kontrollin e hershëm pranë QSUT-së. deri më sot, llogariten që janë depistuar rreth 250 gra dhe kërkesat janë në rritje. Rreth 600 të tjera janë regjistruar dhe kërkojnë të kontrollohen për sa i përket depistimit të hershëm, çfarë do të thotë se, fushata dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe ia kanë dalë të rrisin ndërgjegjësimin e grave për parandalimin dhe kontrollin e hershëm. Strukturat tona janë në mbështetje të një jete të shëndetshme, sa më pak njerëz të trajtohen në spitale nga sëmundje që mund të parandalohen, për një jetë aktive dhe më solidare.
Dr. Agim Sallaku, Shef i Shërbimit të Onkologjisë QSUT:
Si mjek i vjetër më vjen mirë që shoh një progres të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit në Qendrën Spitalore Universitare dhe konkretisht në shërbimin e onkologjisë. Mund të them që sinqerisht, që vitin e fundit, ne si mjekë jemi ndjerë shumë më të ngrohtë për të ofruar kujdesin tonë, si pasojë e rritjes së sasisë së citostatikëve. Dhe po ndjehemi shumë mirë, sepse për pak kohë po fillon ndërtimi i një strukture të re të radioterapisë, ku aparaturat bashkëkohore do të përmirësojnë ndjeshëm kualitetin e shërbimit.
Një gjë shumë të mirë që shoh unë, Ministria e Shëndetësisë me një vizion të ri, po krijon qendra satellite të sektorëve të onkologjisë dhe në rrethet kryesore të vendit. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, sepse deri më sot kanë qenë sforco të mëdha të stafit të shërbimit të onkologjisë për të përballuar fluksin mbarë kombëtar, bile edhe jashtë vendit ka shumë pacientë, për një trajtim… ju e kuptoni që numri është i madh dhe rëndon mbi kualitetin e shërbimit. Pikërisht për këtë, shumë shpejt fillojnë qendra të reja satelite, që do të jenë për një kohë të shkurtër në supervizionin tonë dhe pastaj do të veprojnë totalisht në mënyrë autonome, për të rritur kualitetin e shërbimit ndaj të sëmurëve me kancer, edhe në spitalet e tjera të rëndësishme.
z. Arjan Bregu, Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik:
Instituti i Shëndetit Publik përgjatë muajit Tetor, por jo vetëm, në një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, për të ndërgjegjësuar sa të jetë e mundur të gjitha gratë dhe vajzat, të cilat kanë nevojë për të marrë një shërbim të mamografisë. Tashmë e dimë, se mënyra pothuajse e vetme dhe e sukseshme në luftën kundër kancerit të gjirit, është parandalimi dhe zbulimi i hershëm i kësaj sëmundje. Në funksion të kësaj, shërbejnë edhe mjekët e sapoemëruar në Qendrën Spitalore Universitare dhe në disa spitale të tjera rajonale, po ashtu edhe infrastruktura që ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm.
Për këtë mund të themi edhe për dy mamografët e lëvizshëm që kanë kaluar në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” dhe shumë shpejt do të jenë në terren, duke i paraprirë një programi të qartë që ka bërë Instituti i Shëndetit Publik, për të kapur ato zona që aktualisht nuk kanë akses në shërbimin shëndetësor për të marrë shërbimin e mamografisë.
Së fundmi, doja të falenderoja të gjithë ju, Ministrinë e Shëndetësisë, Qeverinë Shqiptarë që ka bërë të gjitha përpjekjet maksimale për të ofruar infrastrukturën e duhur të nevojshme për të luftuar këtë sëmundje dhe do të doja të stimuloja të gjitha gratë dhe vajzat në këto ditë, por jo vetëm, për tu drejtuar në qendrat shëndetësore për të bërë një diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit.
z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë:
Sot është Dita Kombëtare e Ndërgjegjësimit të Kancerit të Gjirit, që është brenda muajit Tetor, që është Muaji i Ndërgjegjësimit të Kancerit të Gjirit. Në fakt, Tetori përkon praktikisht me plotësimin e 12 muajve të parë të qeverisjes dhe të detyrës time si ministër. Unë besoj se në këto 12 muaj, jemi në gjendje t’ju tregojmë se çfarë kemi arritur për të përmbushur angazhimet programore, angazhime për të cilat shqiptarët na votuan.
Në këtë “Infografik” besoj se janë përmbledhur në mënyrë sinjifikative, por unë besoj se në program, dy janë angazhimet kryesore: Së pari, ne jemi angazhuar që, Mbulimi Universal ku ne synojmë të arrijmë, nuk mund të arrihet pa parandalim dhe diagnostikim të hershëm. Dhe besoj se në këto 12 muaj kemi bërë punë me arritje konkrete dhe në këtë drejtim.
Jo vetëm për kancerin e gjirit, por unë besoj se edhe Programi i Kontrollit Bazë, i cili do të fillojë shumë shpejt do të realizohet, pasi më në fund është përzgjedhur edhe operatori që do të ndihmojë në ofrimin e këtij shërbimi, ne do të sjellim një kulturë të re. do të sjellim një kulturë të re të kujdesit të shqiptarëve për shëndetin, të spostimit të vëmendjes së ndërtimit në mënyrë tradicionale të sistemit të kujdesit shëndetësor, nga sëmundja tek shëndeti dhe padyshim duke synuar të thyejmë barrierat. Ne kemi ende barriera financiare, barriera gjeografike, por edhe barrier kulturore. Që barrierat financiare duhet t’i thyejmë, bashkë me barrierat kulturore, e tregon çfarë po ndodh gjatë këtij muaji.
Pak ditë se të mbyllej shtatori, unë kam nxjerrë një urdhër, që në muajin Tetor, që përkonte me ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit, ekzaminimet mamografike do të ishin jo nga sistemi i referimit, por do të ishin në mënyrë vullnetare, dhe pavarësisht nëse personi paguan ose jo. Mund t’ju them që, deri dje me datën 20, që përveç aparatit që është në spitalin tonë onkologjik, që kryen edhe punë të tjera, nëpër rrethe është realizuar në 20 ditë, më shumë se ç’është bërë nga 1 Janari deri me 30 Shtator 2014, apo më shumë se ç’është bërë gjithë vitin 2013.
Por, ende mbetet le të themi, një ekzaminim urban. Kjo është arsyeja që në fillim të vitit, vendosëm që të kishim si pjesë e sistemit tonë edhe dy mamografë të lëvizshëm, të cilët enkas po i çojmë në ISHP vitin e ardhshëm. ISHP-ja ka si mision parandalimin, pra duke i çuar në ISHP, e kemi vendosur tashmë që ato janë shërbime pa pagesë. Por, punë kemi bërë edhe në drejtime të tjera, që mund të duken më pak të dukshme. Unë besoj se një bazë shumë e mirë, është vendimi i qeverisë i muajit maj, për “Krijimin e regjistrave kombëtare të sëmundjeve”, të gjitha sëmundjeve në Shqipëri, por padyshim edhe të sëmundjeve tumorale. Apo, fuqizimi i spitaleve tona me burime njerëzore profesionale.
Ne na mungojnë jashtë Tirane sot 300 mjekë specialistë. Por, të paktën, për fat të mirë, gjatë këtij viti krijuam fondet e mjaftueshme, që të kishim hapësirat për të punësuar mjekë onkologë, të cilët janë sot këtu. Në fillim unë dua t’i falenderoj që kanë zgjedhur këtë specialitet dhe pastaj t’i falënderoj dhe t’i uroj suksese në punën e tyre. Sepse ne sot kemi mjekë të punësuar rishtaz në QSUT, në dy maternitetet, në Sanatorium dhe në Durrës.
Nesër, hapim kabinetin e kimioterapisë edhe në qytetin e Durrësit. Me paratë që u rialokuan në buxhet në shtator, kemi filluar proçedurat, që në fillim të vitit, ta rihapim në Sanatorium, në Korçë, në Vlorë, në Elbasan dhe në Shkodër. Sepse, realisht ngarkesa e sotme, është e pamundur të realizohet në spitalin onkologjik. Unë e di, që ka njerëz që janë të pakënaqur me cilësinë e shërbimit që ofrohet në atë spital, por realisht, ata që janë aty, bëjnë heroizëm, sepse praktisht volumin e punës, e kanë të pamundur.
Ne jemi përpjekur të paktën që të furnizojmë më shumë me barna, të mos krijojmë boshllëqë në furnizim, të ketë vijimësi, të ketë vijimësi në funksionimin e kobaltoterapisë dhe besoj se, edhe vitin e ardshëm, vënia në punë e akseleratorit linear për atë spital, është prapë një vlerë e shtuar edhe në funksion të radioterapisë. Dje është zhvilluar proçedura e hapur e prokurimit për ndërtimin e bunkerit, pajisja vetë është e miratuar me një kredi austriake të miratuar nga Kuvendi, në muajin shkurt apo mars, në mos gaboj.
Kështu që, në këto 12 muaj, 180 gradë nga parandalimi deri te kujdesi paliativ, sepse të gjithë e dini që javën e kaluar miratuam edhe Ligjin e Kujdesit Paliativ, ofrojmë për këtë grup sëmundjet, që është një nga dy grup sëmundjet, jo vetëm me më shumë kosto sociale dhe ekonomike në shëndetësi dhe në Shqipëri, por edhe nga dy grup sëmundjet, që janë përcaktuar edhe në programin e qeverisë, ku ne do të synojmë më shumë. Kështu që, besoj se ajo çfarë kemi bërë, është e dukshme, e prekshme, por padyshim, nuk është ajo çfarë shqiptarët meritojnë, apo ajo çfarë ne jemi angazhuar të realizojmë për katër vjet.
Nuk dua ta zgjas më shumë, dua të ftoj të gjithë ju, por edhe mediat, që të shohin dy aparaturat e lëvizshme, të cilat e thashë: “Do të përdoren gjatë këtij muaji për të plotësuar nevojat shumë të rritura, sidomos në 10 ditët e fundit për këtë ekzaminim. Dhe pastaj, nga 1 Janari, ato do t’i shërbejnë të gjithë territorit të Shqipërisë, në bazë të një programi pune, që Instituti i Shëndetit Publik do të hartojë për këtë qëllim.
Faleminderit!
Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, zj. Ogerta Manastirliu mblodhi sot “Komisionin Mjekësor Spitalor” (KMS) në takimin e tij të katërt.
Në këtë takim Drejtorja Manastirliu nënvizoi edhe një herë rëndësinë e punës së Komisionit në përpjekjet e Drejtorisë QSUT për më shumë progres lidhur me çështjet e shtruara për diskutim, puna për realizimin dhe suksesin e të cilave do të kërkojë përfshirjen dhe angazhimin e drejtpërdrejtë të anëtarëve të këtij Komisioni.
Me një axhendë të përcaktuar dhe bërë të ditur paraprakisht gjithë anëtarëve, Komisioni u njoh në mënyrë më specifike nëpërmjet prezantimeve dhe diskutoi mbi:
- projektin e konsultave ambulatore nëpërmjet një prezantimi të situatës, draft-projektin e centralizimit të konsultave si dhe organizimin funksional;
- prezantimin e matricës për hartimin e objektivave strategjikë të QSUT për vitet 2015-2017 si dhe
- planin e nevojave të emergjencës për barna dhe materiale mjekësore per shërbimet mjekësore dhe planifikimin për vitin 2015.
Analiza e kujdesshme e situatës aktuale sa i takon konsultave ambulatore, hartimit të objektivave strategjikë afatmesëm të QSUT, përcaktimit të prioriteteve të duhura, apo planifikimit efiçent të nevojave për barna dhe materiale mjekësore dhe jo vetëm, të paraqitura para anëtarëve të KMS, u shoqërua me draftet e propozuara, për të marrë formën përfundimtare si projekte të mirëfillta me mendimin, shtjellimin e mëtejshëm dhe përcaktimin e gjithë ekzigjencave nga ana e Komisionit dhe grupeve të punës që do të burojnë prej tij.
Në mbështetje të rolit të tij, si një organ konsultativ pranë Drejtorisë, KMS, anëtarët e tij, bënë një analizë paraprake të problematikave që u diskutuan duke shprehur dhe shqetësimet për aspekte të veçanta, si dhe rikonfirmuan angazhimin e tyre për të punuar në vijim në ekipe të posaçme në drejtimet e nevojshme.
Pacientët, që kanë nevojë urgjente për koronarografi, vendosje “pace-maker”-i, “stent”-i, apo sëmundje të tjera të zemrës, nuk do të radhiten më nëpër listëpritjeje të gjata, por do t’i kryejnë ato më shpejt.
Në kuadër të aktiviteteve që po organizohen në Ditën Botërore të Sëmundjeve të Zemrës, Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, organizoi një konferencë për shtyp së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, shefin e Repartit të Hemodinamikës, prof. Artan Goda dhe me mjekë të këtij reparti ku u deklarua mbulimi 24 orë i shërbimit të Hemodinamikës, pranë shërbimit të kardiologjisë në QSUT.
“Sot, unë kam kënaqësinë të deklaroj përmbushjen e një angazhimi të ndërmarrë në fillim të vitit, për të dyfishuar kohëzgjatjen e punës në repartin e Hemodinamikës, shërbimin e kardiologjisë në QSUT. Prej datës 1 Tetor, ky shërbim do të ofrohet nga ora 8 e mëngjesit e deri në orët e mbrëmjes, duke lehtësuar të gjithë pritjet e pacientëve të rasteve të emergjencës, por sigurisht edhe duke e shtuar numrin e rasteve që trajtohen dhe diagnostikohen sa i përket sëmundjeve koronare në Shqipëri”, u shpreh drejtorja e QSUT-së, Manastirliu.
Aktualisht proçedurat invasive në repartin e Hemodinamikës kryhen nga mëngjesi deri në orët e drekës, por duke filluar nga 1 tetori, ky shërbim do të dyfishojë kohëzgjatjen deri në orët e mbrëmbjes, në finalizimin e objektivit mbi mbulimin 24 orë të këtij shërbimi.
“Ky angazhim bëhet i mundur në sajë të implementimit të buxhetit për vitin 2014, i cili është rritur me 40% për materiale mjekimi, si dhe përforcimit të këtij shërbimi me mjekë të rinj. Nga ky ndryshim përfitojnë pacientët, të cilët do të marrin më shumë shërbime në kohë reale, gjithashtu përmirësohen proçeset e punës dhe kosto efektiviteti në aktivitetin spitalor”, theksoi znj.Manastirliu.
Ndërkohë pritet që këtë vit, numri i ndërhyrjeve mbi arteriet koronare të shkojë në 3 mijë, i mbështetur nga shërbimi i Kardiokirurgjisë, i cili pritet që të kryejë rreth 750 operacione për këtë vit, si dhe i organizimit të punës në laboratorët e QSUT-së. Deri më sot, në repartin e Hemodinamikës janë kryer 1860 ndërhyrje, nga të cilat 940 janë rastet me rrezik për jetën, të paraqitura në urgjencë.
Ndërkohë, Ministri Beqaj theksoi se “në programin e qeverisë, jemi angazhuar që, sëmundjet kardiovaskulare, bashkë me sëmundjet tumorale, janë dy grup sëmundje që do të kenë prioritet në vëmendjen tonë dhe tashmë që kemi hyrë në ditët e para të vitit të dytë të qeverisë, produktet po bëhen konkrete. Unë dua ta filloj me një falenderim për drejtuesit e shërbimit, por edhe të gjithë mjekët, infermierët që morën përsipër të realizojnë, shtyrjen e kohës të ofrimit të këtij shërbimi në QSUT, nga deri pasdite deri në orët e mbrëmjes vonë.”
Gjithashtu, ministri shtoi se “publiku është njohur, që me rialokimet e buxhetit, janë dhënë fondet për 2 (dy) angiografë të rinj,” duke shpjeguar se “proçedurat e prokurimit kanë filluar dhe do të mbyllen brenda vitit, me zëvendësimin e një angiografi që është në QSUT, që besoj prej 18 vitesh, praktikisht është në fundin e jetës së tij teknologjike; me blerjen e një angiografi që do të fillojmë ta vemë në punë vitin e ardhshëm, edhe nën udhëheqjen profesionale të shërbimit përkatës në QSUT, në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Kemi filluar proçedurat e punësimit, për të vënë në punë deri në fund të nëntorit një angiograf, i cili është prej 3 vitesh i paketuar, në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, – tha më tej ai.
Prof. Goda tha se, “ky është një hap i një vazhdimësie, sepse kardiologjia intervencionuese në 10 vitet e fundit ka patur një rritje eksponenciale, me dhjetëra herë, e cila edhe falë përkushtimit të një ekipi të talentuar, ambicioz, të sakrificës, të cilët bënë të mundur që këtë vit të realizohet një numër prej 3 mijë proçedurash intervencionuese, diagnostike dhe terapeutike, vetëm në QSUT, e cila e rendit qendrën tonë për nga volumi që ka, në një ndër qendrat më të mëdha që ka rajoni dhe ku bën pjesë edhe vendi jonë, – tha ai.
##
Në vijim, fjala e plotë e Drejtorit të QSUT-së, znj.Manastirliu, Ministrit Beqaj dhe Prof.Godës:
Znj.Ogerta Manastirliu, Drejtor i QSUT-së:
Ju falenderoj për prezencën. Në fakt kjo është salla e re e konferencave për shtyp dhe e gjithë takimeve dhe mbledhjeve që do të zhvillohen në QSUT, që sot e tutje.
Por sot, jemi mbledhur në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Zemrës. Ju e dini që sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë botën. Edhe në Shqipëri këto lloj sëmundjesh, zënë vendin e parë edhe në QSUT, duke u listuar në radhët para, të sëmundshmërisë së regjistruar.
Në këtë ditë, unë kam kënaqësinë të deklaroj përmbushjen e një angazhimi të ndërmarrë në fillim viti, për të dyfishuar kohëzgjatjen e punës në repartin e hemodinamikës, shërbimin e kardiologjisë së QSUT-së.
Aktualisht, ky shërbim ofron një shërbim të reduktuar le të themi, nga ora 8 e mëngjesit deri në orët e drekës. Ndërkohë që, prej datës 1 Tetor, ky shërbim do të ofrohet nga ora 8 e mëngjesit deri në orët e mbrëmjes, duke lehtësuar shumë të gjithë pritjet e pacientëve të rasteve të urgjencës, por sigurisht edhe duke shtuar numrin e rasteve që trajtohen dhe diagnostikohen për sa i përket sëmundjeve koronare në Shqipëri. Sigurisht, ky angazhim bëhet i mundur në sajë të zbatimit të buxhetit për vitin 2014 dhe të rritjes së këtij buxheti me 40% për shërbimin e hemodinamikës, lidhur me materialet e mjekimit që sot janë në këtë shërbim. Por, edhe me përforcimin e stafit që do t’i bëhet këtij shërbimi në lidhje me përmirësimin e cilësisë së shërbimit të kërkuar.
Pritet që për këtë vit, numri i proçedurave invazive për sa i përket sëmundjeve koronare të jetë rreth 3 mijë, kjo duke u krahasuar me vitet e tjera, ka një rritje të ndjeshme, mund të themi një hop cilësor në këtë shërbim. Për këtë arsye, me objektivin final, 24 orë hemodinamikë në ciklin e ditës, ne jemi duke filluar për të dyfishuar punën që bëhet në këtë shërbim.
Unë gjej rastin këtu të falenderoj padyshim stafin e repartit të hemodinamikës/ shërbimi i kardiologjisë, që janë ata, me iniciativën e tyre, do të bëjnë të mundur ofrimin e këtij shërbimi cilësor, por edhe dublikimin e rasteve, por edhe kohëzgjatjen e punës që sigurisht, të gjithë e dimë, të punosh në një shërbim, ku trajtohen rastet me një rrezikshmëri të lartë për jetën, është e vështirë, kërkon impenjim, ka kosto për spitalin, pasi proçedurat e koronarografive, apo sëmundjeve koronare në përgjithësi, ndërhyrjet invazive kanë kosto për spitalin.
Ne kemi filluar të mbështesim dhe të rrisim shifrat për sa i përket buxhetit. Ne thamë, është rritur me 40% buxheti për ndërhyrjet invazive dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim, pasi një ndër prioritetet e punës tonë, që kemi deklaruar, janë sëmundjet koronare, kardiovaskulare dhe sëmundjet tumorale, që nga radha e sëmundshmërisë, qëndrojnë të dytat. Unë i lë fjalën Ministrit të Shëndetësisë, në kuadër të zhvillimeve që ndodhin në Ditën Botërore të Zemrës.
Faleminderit!
Z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë:
Mirëdita!
Gerta e prezantoi, në fakt nesër është data 29, që është Dita Botërore e Sëmundjeve të Zemrës. Janë, jo vetëm në tërë botën, por edhe në Shqipëri, sëmundjet me prevalencën më të lartë. Janë shkaku kryesor i shkurtimit të jetës së njerëzve dhe shkaku kryesor i shkurtimit të jetës së shëndetshme, për pasojë e rritjes së periudhës së viteve me invaliditet. Në programin e qeverisë, jemi angazhuar që, sëmundjet kardiovaskulare, bashkë me sëmundjet tumorale, janë dy grup sëmundje që do të kenë prioritet në vëmendjen tonë dhe tashmë që kemi hyrë në ditët e para të vitit të dytë të qeverisë, produktet po bëhen konkrete. Unë dua ta filloj me një falenderim për drejtuesit e shërbimit, por edhe të gjithë mjekët, infermierët që morën përsipër të realizojnë, shtyrjen e kohës të ofrimit të këtij shërbimi në QSUT, nga deri pasdite deri në orët e mbrëmjes vonë.
Por, në funksion të përforcimit të kapaciteteve tona të këtij shërbimi në QSUT , por edhe në të gjithë vendin, kemi edhe disa lajme të tjera të mira, që tashmë janë bërë publike.
Publiku është njohur, që me rialokimet e buxhetit, janë dhënë fondet për 2 (dy) angiografë të rinj. Proçedurat e prokurimit kanë filluar dhe do të mbyllen brenda vitit, me zëvendësimin e një angiografi që është në QSUT, që besoj prej 18 vitesh, praktikisht është në fundin e jetës së tij teknologjike; me blerjen e një angiografi që do të fillojmë ta vemë në punë vitin e ardhshëm, edhe nën udhëheqjen profesionale të shërbimit përkatës në QSUT, në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Kemi filluar proçedurat e punësimit, për të vënë në punë deri në fund të nëntorit një angiograf, i cili është prej 3 vitesh i paketuar, në Spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Gjithashtu, këto ngjarje të mira, që zgjerojnë shërbimin që ofrohet në strukturat tona publike, për këto ndërhyrje, për të trajtuar shumë më mirë sëmundjet kardiovaskulare, lajm tjetër i mirë është, që 3 (tre) spitale jo publike, i kanë pranuar paketat bazë që ne do të kontraktojmë në spitalet jo publike, praktikisht bëhet fjalë për ato kardiologjike dhe kardiokirurgjike. Kanë pranuar protokollet, kanë pranuar çmimet, dhe me Fondin po mbyllin pjesën juridike dhe administrative të kontraktimit. Unë besoj edhe këtu në QSUT do të vazhdojmë të zhvillojmë programet e tjera. Në ditët e para të nëntorit, besoj se investimi prej 400 mijë dollarësh në kardiokirurgji duhet të bëhet efektiv.
Publiku është njohur, që kanë filluar proçedurat e prokurimit për ndërtimin e bunkerit të dytë të spitalit onkologjik, por ndoshta për këto do të flasim më specifikisht gjatë tetorit dhe me 21 Tetor, që janë përkatësisht muaji dhe dita e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Megjithatë, unë dua t’i kthehem asaj që thashë në fillim, falenderimi kryesor shkon për mjekët, personelin që merret me këtë punë, dhe patjetër do të ftoja dhe profesor Godon për të thënë diçka. Aktivitetet për këtë vijojnë edhe në lulishten në parkun “Rinia”, ku shoqata e kardiologëve, si vitet e tjera, ka disa çadra/tenda ku bën edhe depistime dhe këshillime falas për qytetarët dhe ndoshta media mund të vazhdojë ta ndjekë edhe atje këtë aktivitet.
Prof. Artan Goda, Shef i Shërbimit të Kardiologjisë, QSUT:
Mua më vjen shumë mirë, që në Ditën Botërore të Zemrës ne jemi këtu së bashku për të demonstruar një hap të mëtejshëm, të implementimit më gjerësisht të proçedurave të kardiologjisë intervencionuese. Për hir të vërtetës, është një hap i një vazhdimësie, sepse kardiologjia intervencionuese në 10 vitet e fundit ka patur një rritje eksponenciale, me dhjetëra herë, e cila edhe falë përkushtimit të një ekipi të talentuar, ambicioz, të sakrificës, të cilët bënë të mundur që këtë vit të realizohet një numër prej 3 mijë proçedurash intervencionuese, diagnostike dhe terapeutike, vetëm në Qendrën Spitalore Universitare, që e rendit qendrën tonë për nga volumi që ka, në një ndër më të mëdhatë që ka rajoni, ku bën pjesë edhe vendi jonë.
Z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë:
Një gjë të fundit, tani, ju e dini që e kam pak merak, edhe njëherë thirrje kujtdo që komunikojmë tani: Shqipëria Jo duhanit. Besoj se duhanpirja është një nga shkaktarët kryesor të sëmundjeve që po flasim sot, edhe njëherë faleminderit!
Drejtoresha e QSUT-së, znj.Ogerta Manastirliu, çdo mëngjes është pjesë e stafeve mjekësore të shërbimeve. Kjo përqasje e re, sjell një vision tjetër të ri QSUT-së për të qenë më pranë shërbimeve mjekësore dhe stafeve të tyre me qëllim ofrimin e një shërbimi cilësor ku në zemër të tij duhet të jetë pacienti.
Ky takim është një ndër takimet që Drejtoresha e Përgjithshme ka nisur të kryejë me stafet mjekësore të QSUT-së.
Komunikimi i politikave të qarta mbi menaxhimin e resurseve, motivimi i stafit dhe nxjerrja në pah e kapaciteteve të shumta të QSUT-së, si dhe konsultimi i përbashkët rreth aspekteve të punës së përditshme, ishin pjesë e diskutimeve që u zhvilluan në takimin me Shërbimin e ORL-së.
Në takim, theksi u vu në nevojën për rezultate të dukshme në drejtim të ofrimit të një shërbimi sa më cilësor, të besueshëm dhe të orientuar drejt pacientit. Ndër çështjet kryesore ishin ato të komunikimit dhe etikës me pacientin, si një përgjegjësi e vazhdueshme e të gjithë stafit dhe personelit mjekësor. “Pacientët duhet të trajtohet me dinjitet, me respekt dhe të informohen për të gjithë hapat që do të ndjekin gjatë rrugëtimit të tyre në spital.”, theksoi znj. Manastirliu.
Ndër të tjera, sistemi i konsultave dhe mirëfunksionimi i tij, kërkesat për respektimin rigoroz të sistemit të referimit dhe çdo akti administrative që rregullon aspekte të ndryshme të punës, për të mos lejuar krijimin e hapësirave që çojnë në abuzime dhe cënojnë mbarëvajtjen e punës dhe cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve.
Çdo punonjës në spital ka detyrat dhe përgjegjësitë e tij, për të cilat duhet të jetë i mirëorientuar, ndaj është e rëndësishme organizimi i kujdesshëm i roleve të gjithsecilit si dhe mbikqyrje e vazhdueshme, për të siguruar efikasitetin dhe lehtësuar aksesueshmërinë e pacientëve në shërbimet e ofruara.
Në vijim të komunikimeve për zbatimin e Ligjit Antiduhan, stafi i shërbimit u informua më konkretisht mbi planin e përgjithshëm të masave dhe strukturat mbi të cilat do të rëndojë përgjegjësia në rast se konstatohen shkelje.
Takimet do të vijojnë në ditët në vazhdim dhe do të shtrihen në të gjitha shërbimet e QSUT.
Një dorë e palarë vë në rrezik jetën!
Fëmija 2 vjeç i paraqitur në gjendje të rëndë në QSUT, tashmë është shumë mirë pas operacionit në kokë dhe heqjes totale të kistit të ekinokokut.
Historia
Fëmija kishte 2 muaj që nuk hante, kishte të vjella dhe ishte shumë i përgjumur. Ekzaminimet imazherike, Echo-ja e mëlçisë tregoi praninë e një kisti në mëlçi, kist ekinokoku. Mjeku specialist i Spitalit të Burrelit, pas përgjigjes së ekzaminimit, e referoi në QSU “Nënë Tereza” për një diagnostikim e trajtim më të specializuar. Prof.Hysen Heta, Shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Pediatrike, pas konsultës, kërkoi dhe një skaner të kokës, ku zbulohet një qeskë e madhe 6 cm. Pra, fëmija u diagnostikua me një kist 6 cm në kokë dhe një kist tjetër 5 cm në mëlçi. Diagnostikimi, kërkonte me domosdoshmëri konsultë me neurokirurgun, i cili më pas vendosi ndërhyrjen kirurgjikale të fëmijës. Vështirësia në këtë ndërhyrje është jo vetëm mosha e vogël e fëmijës, veçse 2 vjeç, por edhe realizimi i heqjes së kistit pa e çarë kapsulën, pasi në të kundërt rreziku i ripërsëritjes është i madh. Operacioni pas 3 orësh doli me sukses dhe tashmë fëmija është mirë.
Kujtesë!
Ky rast, sjell në vëmendje kujdesin që duhet pasur në higjienën e duarve.
Kjo sëmundje merret nga duart e palara, që kanë qënë në kontakt me qentë e pavaksinuar.
Ndiqni videon përmbledhëse të operacionit të ofruar nga Neurokirurgu Dr.Sc. Artur Xhumari
Në fokus të punës sonë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është pacienti dhe shërbimi që i ofrohet nga ekipi mjekësor dhe ai mbështetës. Një ndër shërbimet më delikatë është Shërbimi i Urgjencës, i cili pret rreth 200 pacientë në ditë dhe kërkon shpejtësi dhe profesionalizëm në dhënien e ndihmës së parë.
Shërbimi i Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme u përfshi në një projekt të organizimit funksional të saj, për të transmetuar tek pacientët më shumë siguri, orientim, informacion dhe cilësi shërbimi.
Sa më sipër u realizua në sajë të përmirësimit të elementëve të sistemit të komunikimit me pacientin, kodifikimit, recepsionit, përmirësimit të infrastrukturës ndihmëse si barrelat profesionale dhe aksesorë ndihmës në zonën e triazhit si dhe vendosjes së një sistemi elektronik në hyrjen e Zonës së Observimit dhe Zonës së Kuqe të Emergjencës.
Stafi infermieror po i nënshtrohet një cikli trajnimesh profesionale për punën në shërbimin e urgjencës. Në organizimin e ri të urgjencës është përfshirë edhe ekipi i punonjësve socialë, të cilët ndjekin ecurinë e punës në shërbim, informojnë rastet si dhe lehtësojnë komunikimin me familjarët dhe të afërmit e pacientëve.