Dita Botërore e Zemrës mbahet në nivel global çdo vit, në datën 29 shtator, për të informuar njerëzit në lidhje me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shkaku më i madh i vdekjeve në të gjithë botën. Dita Botërore e Zemrës gjithashtu synon të promovojë masat parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Çfarë janë sëmundjet kardiovaskulare dhe si t’i parandalojmë ato
Sëmundje kardiovaskulare quhen sëmundjet që prekin zemrën dhe enët e gjakut. Diagnoza që zë peshën kryesore përsa i përket sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë është sëmundja artereosklerotike. Kjo sëmundje prek enët e gjakut që ushqejnë zemrën të cilat quhen arterie koronare; enët e gjakut që ushqejnë trurin dhe enët e gjakut periferike që ndodhen kudo në trup.
Sëmundje të tjera që bëjnë pjesë në këtë grup janë:
-
- Sëmundjet që prekin muskulin e zemrës dhe që çojnë në dobësim të forcës së tij, pra në insufiçencën kardiake apo thënë ndryshe pamjaftueshmëri e zemrës.
- Sëmundjet valvulare janë patologjitë që prekin valvulat e zemrës. Këto sëmundje mund të jenë të lindura ose të fituara. Sëmundje të fituara kanë si shkak kryesor sëmundjen reumatizmale që mund të ketë kaluar një njeri në fëmijëri apo adoleshencë dhe që manifestohet në moshë të rritur me sëmundje valvulare të zemrës.
- Sëmundjet e zemrës që manifestohen me aritmi. Aritmia mund të jenë funksionale pra që nuk lindin në kushtet e dëmtimeve strukturore kardiake ose më serioze për jetën siç janë ato valvulare; të muskulit të zemrës apo e arterieve koronare.
Insulti cerebral që mund të jetë me natyre iskemike, i cili ndodh kur një tromb bllokon enën e gjakut që ushqen një zonë të caktuar të trurit apo me natyrë hemoragjike kur kemi çarje të enës së gjakut. Zakonisht insulti me natyrë hemoragjike shkaktohet nga hipertensioni arterial.
Faktorët e riskut dhe parandalimi i tyre
Sëmundjet kardiovaskulare mund të parandalohen duke pasur në menaxhim faktorët e rrezikut që i stimulojnë ato. Faktorët e rrezikut për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare janë të ndryshëm. Ata kategorizohen në faktorë të pamodifikueshëm dhe në faktorë të modifikueshëm.
Te faktorët e pamodifikueshëm bëjnë pjesë:
- Mosha– Meshkujt mbi 45 vjeç dhe femrat mbi 55 vjeç kanë rrezik për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.
- Seksi – Meshkujt janë më të rrezikuar se femrat për të zhvilluar sëmundje artereoskleroike, pra të enëve të gjakut. Te femrat ky rrezik shtohet me fillimin e menopauzës.
- Trashëgimia– Personat që kanë në pemën familjare një mashkull që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 55 vjeç ose një femër që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 65 vjeç, quhen që kanë trashëgimi për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.
Faktorët e modifikueshëm, të rreziku janë:
- Diabeti– personat diabetikë janë dyfish më të rrezikuar për të zhvilluar sëmundje artereosklerotike të enëve të gjakut kundrejt jodiabetikëve. Kemi dy tipe, diabeti tip I që zakonisht është me origjinë virale pra kemi të bëjmë me shkatërrim të qelizave të pankreasit që prodhojnë insulinën dhe nuk prodhohet më insulinë dhe diabeti tip II që mund të shfaqet nga mbipesha, mungesa e aktiviteti fizik, nga mënyra e ushqyerjes me shumë kalori, tek të cilët prodhohet insulinë por ajo nuk vepron në qeliza.
- Hipertensioni– Te një person me shifra të larta të tensionit arterial, enët e gjakut janë në një presion më të lartë i cili çon në prishje të shtresës së brendshme të enëve të gjakut që quhet endotel dhe prisha e tij çon në formimin e pllakës artereosklerotike, deri në mbyllje nga trombi.
- Dislipidemitë– Yndyrnat përfshijnë kolesterolin dhe trigliceridet. Dy komponentët kryesor të kolesterolit janë: LDL kolesteroli, që është komponenti i dëmshëm si dhe komponenti i mirë i quajtur HDL kolesterol, ku ky i fundit pastron gjakun nga sasia e tepërt e kolesterolit. Personat që kanë një profil të dëmshëm lipidik kanë rritje të koleserolit të keq dhe ulje të kolesterolit të mirë.
- Duhanpirja– Kjo është pjesë e stilit të jetesës dhe është një nga armiqtë kryesor të enëve të gjakut. Me ndërprerjen e duhanit, ka mundësi që të zhduken edhe efektet e tij të dëmshme. Nuk është kurrë vonë për të ndaluar duhanin. Është shumë e rëndësishme për të mos zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, pasi vazhdimi i pirjes së duhanit pas diagnostikimit me sëmundje të zemrës mund të konsiderohet “vetvrasës”.
- Mënyra e të ushqyerit– Shumë e rëndësishme është ushqyerja me një dietë të shëndetshme; konsumimi i vajit të ullirit, frutave dhe perimeve dhe konsumimi i kontrolluar i yndyrna shtazore.
- Aktiviteti fizik– Ne futemi tek popujt sedentar, që nuk kryejnë aktivitet. Pra hamë keq dhe nuk lëvizim. Duhet të bëhet aktivitet fizik i moderuar deri në të fuqishëm, të paktën 2 orë e 30 min/ javë. Nëse aktiviteti që zhvillohet është aerobik i fuqishëm, mjafton edhe 1 orë e gjysmë/ javë. Kush nuk ka kohë për aktivitet ushtrimor, mund edhe vetëm të ecë deri në 30 minuta/ditë. Aktiviteti fizik luan një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e kolesterolit të mirë në organizëm.
- Stresi- Nuk është një faktor i mirëfilltë rreziku por ai nxit shfaqjen e sëmundjes artereosklerotike. Stresi nxit shpërthimin e hormoneve- katekolaminave, të cilat janë vazo ngushtuese dhe bëjnë ngushtimin e enëve të gjakut të zemrës, të cilat nëse janë edhe të shtresëzuara nga pllakat arterosklerotike, mund të çojnë në mbylljen totale të enës së gjakut, duke shkaktuar infarktin.
- Preklampsia– Që është hipertensioni gjatë shtatëzënisë. Preklamsia shfaqet në muajin e gjashtë të shtatëzënisë dhe është një faktor i ri rreziku. Është parë që këto femra kanë probabilitet më të lartë të zhvillojnë sëmundje kardiovaskulare në të ardhmen, kundrejt femrave që nuk kanë patur preklampsi.
Kush është i shëndetshëm duhet të tregojë shumë kujdes për të parandaluar zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Për këtë është e rëndësishme krerja e analizave në mënyrë periodike. Tensioni duhet matur minimalisht një herë në vit, që rreth moshës 20 vjeç. Një herë në tre vjet, duke filluar po në moshë të re duhet vlerësuar profile lipidik, pra yndyrnat. Këto kontrolle janë shumë të rëndësishme pasi ka situata të trashëguara dhe duke bërë këto kontrolle të vazhdueshme arrihet të diagnostikohet në kohë dhe të parandalohet përkeqësimi i këtyre faktorëve dhe shfaqja e sëmundjeve të zemrës.
Simptomat e shfaqjes së sëmundjes kardiovaskulare
Ndër simptomat kryesore të shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare është dhimbja e kraharorit. Kjo dhimbje mund të shfaqet kur ngjit një malore, shkallët apo kur ekspozohesh ndaj një klime të ftohtë. Dhimbja shfaqet në kraharor, në formë shtrënguese dhe mund të përhapet në nofullën e poshtme, në shpinë, apo në krahun e majtë. Këto dhimbje kanë shumë mundësi që të kenë të bëjnë me ngushtim të enëve të gjakut dhe shfaqen më shumë te meshkujt. Te femrat simptomat shfaqen më ndryshe. Ato nuk përjetojnë dhimbje kraharori por marrje fryme. Te nje grua aktive, një marrje e menjëhershme e frymës, një lodhje e theksuar mund të jetë shfaqje e sëmundjes së arterieve koronare. Ndërkohë diabetikët dhe moshat e mëdha nuk i kanë të shprehura këto simptoma, ata mund të përjetojmë një jorehati të lehtë në kraharor, por jo shenja specifike.
Personat tek të cilët shfaqen këto shenja duhet menjëherë të konsultohen me mjekun e tyre dhe të kryejnë ekzaminimet e nevojshme për të diagnostikuar problemin e tyre.
Ekzaminimet për sëmundjet kardiovaskulare
Ekzaminimi më i thjeshtë është elektrokardiograma (EKG) por që jep shumë informacion përsa i përket ngushtimit të enëve të gjakut dhe ritmit të zemrës. Nëse në EKG nuk ka informacion për ngushtim të enëve të gjakut atëherë kalohet në dy ekzaminimet e tjera eko kardiake dhe prova ushtrimore, pasi një EKG që del mirë, nuk përjashton ngushtimin e arterieve koronare sepse ngushtimi mund të jetë aq i vogël sa nuk jep simptoma në qetësi, pra në kushtet në të cilat kryhet EKG. Në ekon kardiake vlerësohen lëvizjet e muskulit të zermës dhe valvulat, megjithatë edhe eko mund të dalë shumë mirë në rastet e sëmundjes artereosklerotike, deri në momentin që nuk ka ndodhur një infarkt, pasi nuk është bllokuar ena e gjakut apo të jetë dëmtuar muskuli i zemrës. Në këtë pikë është shumë e rëndësishme të kalohet në provën ushtrimore, apo siç i themi ndryshe biçikleta.
Gjatë provës ushtrimore rritet konsumi i oksigjenit dhe aty shfaqen simptomat e arterieve edhe kur ato janë lehtësisht të ngushtuara. Pra shikohet çfarë ndryshimesh elektrokardiografike shfaqen gjatë sforcimit fizik. Gjatë provës shikohet edhe si përgjigjet tensionit gjatë sforcimit fizik si edhe nëse ka aritmi gjatë sforcimit fizik. Nëse kemi diagnostikuar që ka një ngushtim të arterieve koronare kalohet në ekzaminim tjetër që është koronarografia dhe që është një ekzaminim invaziv. Koronarografia shikon arteriet koronare dhe lokalizon ato që janë të ngushtuara, në çfarë mase janë të ngushtuara dhe bëhet trajtimi me stentim (zgjerim i enës së gjakut) ose me ndërhyrje kirurgjikale.
Kujdesi për pacientët e trajtuar
Trajtimet invasive gjithmonë shoqërohen me trajtimin medikamentoz pra marrjen e ilaceve dhe ndryshimin e stilit të jetesës. Pas këtyre trajtimeve, pacienti duhet të ketë një kujdes shumë të veçantë për shëndetin, pasi sërisht është i rrezikuar për të shfaqur probleme të zemrës. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë më me parandalim primar, pra të mosshfaqjes së sëmundjes por kemi të bëjmë me një paradalim sekondar ku sëmundja është shfaqur, është trajtuar por duhet një kujdes i veçantë për të trajtuar të gjithë faktorët e rrezikut që ka një person, në mënyrë që sëmundja mos të rishfaqe. Gjithashtu këta pacientë duhet të rikontrollohen vazhdimisht me eko dhe prove ushtrimore, për të parë ecurinë e tyre, pasi ekziston rreziku që sëmundja të përsëritet apo të shfaqet diku tjetër.