Në ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, stafi mjekësor dhe administrativ i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka dhuruar gjak vullnetarisht, në ndihmë të personave në nevojë.
Aktiviteti u organizua nga Drejtoria e QSUT në bashkëpunim me Bankën Kombëtare të Gjakut, në ndihmë të pacientëve që e kanë domosdoshmëri jetike transfuzionin e gjakut dhe për të sensibilizuar opinionin publik për rëndësinë e dhurimit vullnetar.
“Nevojat për gjak janë shumë të mëdha pasi transfuzioni i gjakut apo përbërësve të tij, shërben shpesh për t’i shpëtuar jetën dikujt që pëson aksident (të çdo forme) apo ndërhyrje kirurgjikale të shoqëruar me hemorragji, por edhe si kurë shoqëruese në disa patologji si anemitë si talasemia, hemofilia, anemitë hemolitike, leuçemitë, të transplantuarit, etj”, u shpreh zv/drejtoresha e QSUT, znj. Mirela Hasanaj.
Vullnetarisht dhuruan gjak shefa shërbimesh, profesorë të Universitetit të Mjekësisë, mjekë specializantë, staf infermieror dhe sanitar, punonjës të administratës, studentë të Mjekësisë si dhe disa familjarë të pacientëve tanë, të cilët u sensibilizuan me këtë nismë humane të Drejtorisë së QSUT.
Mjekët kirurgë të shërbimeve të QSUT gjatë aktivitetit, e vunë theksin, në rëndësinë e dhurimit të gjakut, si i vetmi burim për sigurimin e tij. “Gjaku nuk prodhohet nga industria farmaceutike dhe në shumë raste shpëton jetën e pacientëve tanë gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale, ndaj i vetmi burim i sigurimit të tij është nëpërmjet donacionit vullnetar”, u shpreh Prof. Asc. Edmond Nuellari, shef i shërbimit të Kirurgjisë Vazale.
“Duke dhuruar gjak, ju keni kryer një akt heroik, pra i keni shpëtuar jetën dikujt apo keni ndihmuar dikë tjetër që të jetojë më gjatë dhe më mirë. Të dhurosh gjak është një akt solidariteti human që shpëton jetën e njerëzve në nevojë. Ajo është dhurata më e çmuar që ne mund t’i bëjmë një njeriu tjetër që ka nevojë. Ajo është dhurata e jetës,” u shpreh Prof. Asc. Tatjana Caja, shefe e shërbimit të Hematologjisë në QSUT.