DITURIA ËSHTË FUQI: EDUKIMI I PACIENTIT SI NJË MJET PËR PËRFSHIRJEN NË KUJDESIN E SHËNDETIN TË TIJ

14/11/2020

DSHM. Merita Rroji

Mjeke Nefrologe pranë Shërbimit të Nefrologjisë QSUNT

DITURIA ËSHTË FUQI: EDUKIMI I PACIENTIT SI NJË MJET PËR PËRFSHIRJEN NË KUJDESIN E SHËNDETIN TË TIJ

Sëmundja kronike e veshkave (SRK) është një përparësi e shëndetit publik, me një prevalencë globale rreth 9.1% (697.5 milion raste) duke u renditur si shkaku i 12-të i mortalitetit në popullatë. Duhet theksuar se rreth 7.4% e mortalitetit kardiovaskular ka në bazë sëmundjet renale kronike. Diabeti, hipertensioni, sëmundjet glomerulare, tubulointersticiale, autoimmune, patologjitë e trashëguara, e malformimet e lindura janë disa nga shkaqet kryesore të SRK.

Edukimi i pacientit njihet gjerësisht si një komponent i domosdoshëm në kujdesin në SRK, duke rritur njohuritë e pacientit, vetë-identifikimin e popullatave me rrezik të lartë që ka më shumë gjasa të përfitojnë nga referimi dhe trajtimi i hershëm. Aktualisht kemi një numër në rritje të terapive që ndikojnë në progresin e semundjeve renale por dhe një variancë të madhe në përshkrimin e tyre. Përfshirja e një qasjeje që vlerëson rrezikun afatshkurtër dhe afatgjatë të pacientëve, alternativat terapeutike, krijimi i algoritmeve dhe informimi bazuar në to i pacientëve mund të përmirësojë vetëdijen e pacientit, trajtimin e personalizuar dhe shëndetin e popullatës. Investimet në edukim në SRK janë kritike për stimulimin e aktivizimit dhe përfshirjes së të pacientit.  Në këtë drejtim, përfshirja e familjes, përdorimi i mediave dixhitale, krijimi i kabineteve të dedikuara me staf të specializuar mund të jenë veçanërisht efektiv. Nga ana tjetër ndërgjegjësimi për SRK kërkon udhërëfyes të bazuar në evidence e algoritme të sakta drejtuar ofruesve të kujdesit parësor, dhe edukimin në vazhdim të tyre.

Sëmundja kronike e veshkave përfshin një rrezik për ecuri drejt sëmundjes renale në fazën përfundimtare dhe zhvillimin e sëmundjeve shoqëruese, siç është sëmundja kardiovaskulare, një nga shkaqet kryesore të mortalitetit në këtë popullatë, por ky rrisk është individual dhe ndryshon. Për të ulur këtë rrisk, pacientëve me SRK u rekomandohet të ndjekin një mënyrë jetese të shëndetshme me aktivitet fizik, dietë të dedikuar, dhe respektimin e regjimeve komplekse të medikamenteve sipas protokolleve përkatëse në të gjitha fazat e sëmundjes. Në stadin përfundimtar të dështimit të funksionit renal pacienti ka nevojë për terapi renale zevendesuese. Informacioni i detajuar për alternativat terapeutike Hemodializë, Dializë peritoneale, Terapi e integruar e Transplant renal me veçoritë e tyre, anët pozititive e negative dhe përfshirja e pacientit në vendimmarrjen e përzgjedhjes e terapisë renale zëvendësuese referohet se rrit kompliancën e pacientit dhe cilësinë e jetës së tij. Për të menaxhuar kompleksitetin e kësaj situate shëndetësore, bashkërendimi përshkrim – aplikim i rekomandimit shëndetësor konsiderohet thelbësor dhe duhet të promovohet për të optimizuar pacientët me SRK. Kjo shpeshherë nuk është e thjeshtë se pacientët me SRK kanë qasje të ndryshme për informacionin shëndetësor, ku mbi një e katërta kanë një njohje e kuptim shumë të varfër të informacionit shendetësor e lidhur kjo dhe me statusin e edukimit, statusin ekonomik e social të pacientëve. Motivimi i pacientëve për t’u angazhuar me aktivitetin e menaxhimit të SRK do të ndikohet nga kuptimi i rriskut të sëmundjes dhe përfitimet relative të terapive të ofruara.

Një marrëdhënie e mirë bazuar në besim me ofruesit e kujdesit shendetësor duket se promovon rritjen e dijes rreth sëmundjes duke optimizuar pjesëmarrjen aktive të pacientit në shëndetin e tij. Kjo duhet të jetë në fokus që në takimin e parë të pacientit me mjekun nefrolog. Kjo mund të inspirojë konfidencë dhe shpresë për pacientët që të bashkëjetojnë mirë me sëmundjen e tyre.

Posted in Uncategorized by admin qsut