Festa e Fëmijëve në QSUT: Animatorë, shfaqje teatrale, numrat e trupës së cirkut si dhe shumë dhurata për fëmijët

01/06/2014

Për fëmijët e hospitalizuar pranë Shërbimit të Onko-Hematologjisë Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” festimet për Ditën e Fëmijëve nisën më herët këtë vit. Në datën 30 Maj ata u takuan dhe festuan me animatorët e Shoqatës së Animatorëve Shqiptarë, të cilët nën petkun e personazheve të dashur të fëmijëve në një mini-teatër të improvizuar realizuan shfaqje teatrale dhe animacion duke krijuar një ambient të gëzueshëm festiv dhe falur buzëqeshje.

Atmosfera ka vijuar të jetë festive edhe në ditët në vazhdim mirëpritur kjo edhe dhe nga stafi i Shërbimit.

“Po festohet mjaft gëzueshëm. Këta fëmijë nuk kanë mundësi si të tjerë të festojnë në institucione apo familjet e tyre. Por sot një grup vajzash dhe djemsh ua sollën në pavijon 1 qershorin. Ndaj dua t’i falenderoj. Kjo është një organizatë, e drejtuar nga dy motra binjake, Alesia dhe Vasja Barkaj. “Fëmijët për fëmijët”, organizata, ku të rejat adoleshente kanë marrë përsipër një nismë të veçantë, duke rritur flokët dhe më pas prerë ato për t’i dhuruar të bëhen paruke për këta fëmijë. Kjo pasi këtyre fëmijëve u bien flokët për shkak të mjekimit të tyre. Janë fëmijët tanë që transmetojnë ndonjëherë tek ne vlerat, siç bënë sot tek këta fëmijë.”- u shpreh Prof. Anila Godo. Fëmijët janë argëtuar duke ndjekur shfaqjen e trupës së cirkut dhe dhuratat e ofruara me shumë dashuri.

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka uruar në rrjetet sociale fëmijët në ditën e tyre të veçantë dhe është angazhuar për përmirësimin e të gjitha kushteve spitalore me qëllim ofrimin e një shërbimi profesional e të sigurt në frymën e një përkujdesje delikate aq të nevojshme për këta fëmijë. Në përpjekje të vazhdueshme për të krijuar një ambient mikpritës spitalor për çdo fëmijë është ndërtuar edhe një kënd i ri lojërash pranë Shërbimeve të Pediatrisë.

Posted in Lajme by admin qsut