Fuqizimi i profesionistëve mjekësorë të QSUT drejt një Urgjence Polivalente

10/02/2015

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, nga data 28 Shtator deri më 2 Tetor, nën drejtimin e një ekipi ekspertësh mjekë dhe infermierë të Spitalit të Fort Worth, Texas, po zhvillohet një trajnim për personelin mjekë dhe infermierë të Shërbimit të Pediatrisë dhe Urgjencës së QSUT-së. Një bashkëpunim ky i Swiss Foundation for Innovation (SFI), Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

 

Ky trajnim ka për qëllim fuqizimin e profesionistëve mjekësorë të QSUT-së drejt një urgjence polivalente me pacientin në fokus. Metodologjia e këtij trajnimi është duale, pra një kombinim i teorisë me praktikën, duke ua përshtatur leksionet dhe ushtrimet sa më mirë nevojave reale të punës së personelit të QSUT. Gjatë këtyre ditëve, u zhvilluan trajnime të ndryshme për menaxhimin efikas të rasteve të emergjencave, duke synuar rritjen e aftësive të infermierëve dhe mjekëve të urgjencës.

 

Disa nga temat e trajnimit përfshijnë vlerësimin e përgjithshëm (head-to-toe) dhe kujdesin bazë për jetën (BLS) në pediatri, reanimimi zemër – mushkëri, ketoacidoza diabetike, temperatura me origjinë të panjohur, ritmi në EKG (diagnostikim dhe trajtim) dhe praktikim me defibrilator AED, shoku dhe sepsis, patologjitë e rrugëve respiratore, detresi dhe insufiçienca respiratore, menaxhimi i avancuar i rrugëve respiratore në urgjencë, riparimi i laceracioneve të thjeshta dhe suturimi i plagëve të hapura, pacienti me vetëdije të errësuar, komunikimi dhe raportimi në skuadër etj.

 

Qendra Spitalore Universitarse “ Nënë Tereza” në vijimësi do të zhvillojë programe të edukimit në vazhdim për personelin e saj shëndetësor me qëllim rritjen e aftësive të tyre në ofrimin e shërbimit me cilësi dhe efikasitet sa më të lartë.

Posted in Lajme by admin qsut