Gjëndrat tiroide: çfarë shkakton keqfunksionimin e tyre, simptomat dhe diagnostikimi

09/12/2020

Dr. Gerond Husi

Mjek Endokrinolog, Shërbimi i Endokrinologjisë, QSUNT

 

Çfarë është gjëndra tiroide dhe ndikimi i saj në organizëm?

Gjëndra tiroide ndodhet në pjesën e përparme të qafës. Ka dy lobe, të djathtë dhe të majtë, që i japin strukturës formën e fluturës. Hormonet e prodhuara nga kjo gjendër kontrollojnë metabolizmin e trupit dhe proceset me të cilat ai përdor energjinë si: rrahjet e zemrës, Sistemin nervor qendror dhe periferik, frymëmarrjen, peshën e trupit, muskujt, ciklin menstrual, temperaturën trupore, nivelet e kolesterolit dhe shumë të tjera. Anomalitë e funksionit të tiroides mund të përshpejtojnë ose të ngadalësojnë këto proçese metabolike, të cilat mund të çojnë në një manifestim të gjërë simptomash, shpeshherë jo specifike.

 

Kush njihen si shkaktarët e keqfunksionimit të gjëndrave tiroide?

1 – Për funksionimin siç duhet të gjëndrës tiroide, është shumë i rëndësishëm niveli Jodit në organizëm. Duhet të kemi parasysh që si mbingarkesa ashtu dhe mungesa me Jod mund të ndikojnë në funksionin e gjëndrës.

2 – Stresi dhe gjëndrat adrenale. Kortizoli është një hormon që prodhohet nga gjëndrat adrenale, në nivele më të larta në periudha me stres. Mund të ndikojë në funksionim duke bllokuar konvertimin e T4 ne T3 që është hormoni aktiv i gjëndrës tiroide.

3 – Nivelet e larta të estrogjenit janë një faktor tjetër që interferon në prodhimin e hormoneve të tiroides.

4 – Toksinat në mjedis dhe metalet e rënda siç është toxiciteti nga mërkuri

5 – Parazitët në zorrë.

6 – Nivelet e elementeve si hekuri, jodi dhe seleniumi janë shumë të rëndësishëm për prodhimin e hormoneve të tiroides .

7 – Gjëndra pituitare që prodhon hormonin TSh shumë i rëndësishëm për funksionin e tiroides. Stresi mund të ngadalesojë funksionimin e saj 8- nivelet e vit D- mendohet se VD luan rol në imunitet, prandaj nivelet e ulëta të saj mund të lidhen me sëmundje autoimune, përfshire këtu dhe tiroiden.

9 – Sistemi imunitar është një tjëtër shkaktar për keqfunksionimin e gjëndrave tiroide. Nëse kemi një patologji tjetër autoimune, është mjaft probabël që të kemi dhe një sëmundje autoimune në tiroide.

10 – Ushqimet goitrogenike: ushqime të tilla si brokoli, lulelakra, soja mund të ndikojnë në formimin e strumës për shkak të sasisë së jodit që përmbajnë.

Pacientet me patologji të gjëndrës tiroide duhet të bëjnë një jetë të shëndetshme me një dietë të pasur ushqimore.

 

 

Sa të përhapura janë dhe cilat janë kategoritë më të prekura? 

Patologjitë e gjëndrës tiroide janë patologji shumë të shpeshta në vendin tonë. Shqiperia ka qënë një vend me deficiencë Jodike deri në vitin 1985 ku filloi përdorimi i kripës së jodizuar, prandaj në praktikën klinike gjejmë shpesh pacientë me strume të formave të ndryshme që kerkojne zgjidhje. Gjejmë hasje të patologjive autoimune siç janë Tiroiditi kronik Hashimoto, apo sëmundja Graves që prekin kryesisht femrat. Kanceri i tiroides është dyfishuar në tre dekadat e fundit. Prek çdo moshë, por arrin pikun e shfaqjes në dekadën e tretë dhe të katërt të jetës dhe është tre herë më i shpeshtë te femrat se te meshkujt.

 

Cilat simptomat tek një tiroid i sëmurë që prodhon jod me pakicë, që mund ta orientojë për ndihmë mjekesore? 

Deficienca jodike është një nga shkaqet më kryesore të hipotiroidizmit (uljes së funksionit të tiroides). Manifestohet me shumë shenja dhe simptoma, disa jospecifike të cilat vonojnë diagnozën e sëmundjes. Pacientët ankojnë për lodhje, shtim në peshë, dobësi trupore. Mund të kenë flokë të hollë, lëkurë të thatë, thonj që këputen shpejt, ndryshime në ciklin hormonal tek femrat, bëhen intolerantë ndaj të ftohtit. Një karakteristike e deficiencës jodike është dhe zmadhimi i tiroides, shfaqja e të ashtuquajturës strume që shpesh herë i sjell pacientët tek mjeku. Në varësi të madhësisë së strumës, pacienti mund të manifestojë dhe simptoma të tilla si dispne, vështirësi për tu gëlltitur (disfagi), ulje e kapacitetit për ushtrimet, ngjirje zeri.

Tek fëmijët Jodi është një element kyç në zhvillimin e sistemit nervor qëndror prandaj një kujdes i veçante duhet treguar tek nënat shtatëzana, ku funksioni i tiroides duhet të jetë brenda normës.

 

Kur tiroidja prodhon më tepër çfarë ndodh?

Këta pacientë janë shpeshherë nervozë, të irrituar, anksiozë, kanë dridhje trupi të shprëhur, dridhje te duarve. Crregullimet e humorit janë të shpeshta dhe ankojnë një lodhje dhe dobësi trupore të shprehur. Mund të kenë rritje të rrahjeve të zemrës (takikardi) ose dhe çrregullime të ritmit si rezultat i rritjes së prodhimit të hormoneve të tiroides. Ankojnë për një rënie të shprehur në peshë dhe intolerancë ndaj të nxehtit. Shpesh herë mund të vënë re zmadhimin e tiroides në formën e një nodusi mbi sipërfaqen e lekurës.

 

 

 

Cilat janë ekzaminimet që e ndihmojnë pacientin të diagnostikojë tiroiden?

Është e rëndësishme që ne ti vemë veshin ankesave që na dikton organizmi ynë për ti kapur në kohë sëmundjet. Një pacient me simptomat që listova më siper duhet të paraqitet menjëherë tek mjeku endokrinolog për ekzaminime të mëtejshme imazherike dhe analiza. Pasi vleresohet funksioni i gjëndrës tiroide me analizat (analizat kryesore janë TSH, ft4, ft3, anti Tpo, anti Tg, antiTsh rec), mjeku në varësi të situatës mund të drejtojë pacientin për eko, skaner apo shintigrafi, qoftë për të diagnostikuar shkakun apo dhe për të vlerësuar ecurinë e trajtimit.

Pacientet duhet t`i kushtojnë rëndësi ankesave,m shpesh herë jospecifike që ka  organizmi i tyre, për t`u drejtuar në kohë tek specialisti. Anameza familjare ka një rëndësi të madhe në patologjitë e tiroides, prandaj duhet pasur parasysh dhe nga popullata. Rekomandohet gjithmonë një dietë e shëndetshme dhe aktivitet fizik i rregullt.

Posted in Te Reja by User