Heqja e plotë e një kisti ekinokoku cerebral

18/08/2014

Një dorë e palarë vë në rrezik jetën!

Fëmija 2 vjeç i paraqitur në gjendje të rëndë në QSUT, tashmë është shumë mirë pas operacionit në kokë dhe heqjes totale të kistit të ekinokokut.

Historia

Fëmija kishte 2 muaj që nuk hante, kishte të vjella dhe ishte shumë i përgjumur. Ekzaminimet imazherike, Echo-ja e mëlçisë tregoi praninë e një kisti në mëlçi, kist ekinokoku. Mjeku specialist i Spitalit të Burrelit, pas përgjigjes së ekzaminimit, e referoi në QSU “Nënë Tereza” për një diagnostikim e trajtim më të specializuar. Prof.Hysen Heta, Shefi i Shërbimit të Kirurgjisë Pediatrike, pas konsultës, kërkoi dhe një skaner të kokës, ku zbulohet një qeskë e madhe 6 cm. Pra, fëmija u diagnostikua me një kist 6 cm në kokë dhe një kist tjetër 5 cm në mëlçi. Diagnostikimi, kërkonte me domosdoshmëri konsultë me neurokirurgun, i cili më pas vendosi ndërhyrjen kirurgjikale të fëmijës. Vështirësia në këtë ndërhyrje është jo vetëm mosha e vogël e fëmijës, veçse 2 vjeç, por edhe realizimi i heqjes së kistit pa e çarë kapsulën, pasi në të kundërt rreziku i ripërsëritjes është i madh. Operacioni pas 3 orësh doli me sukses dhe tashmë fëmija është mirë.

Kujtesë!

Ky rast, sjell në vëmendje kujdesin që duhet pasur në higjienën e duarve.

Kjo sëmundje merret nga duart e palara, që kanë qënë në kontakt me qentë e pavaksinuar.

Ndiqni videon përmbledhëse të operacionit të ofruar nga Neurokirurgu Dr.Sc. Artur Xhumari

Posted in Lajme by admin qsut