Edukimi në Vazhdim është proçesi nëpërmjet të cilit profesionistët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, përditësojnë dijet dhe aftësitë e tyre, për të plotësuar nevojat e pacientëve dhe ato të zhvillimit të tyre profesional.
Objektivi ynë është përmirësimi i cilësisë së kujdesit shëndetësor përmes zhvillimit dhe promovimit të standardeve të cilësisë dhe edukimit të vazhdueshëm të stafit tonë.
Bazuar në kapacitetet tona, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” zhvillohen disa cikle leksionesh, seminaresh dhe workshope dedikuar stafit infermieror, mjekësor, farmacist dhe stafit psiko-social.
Në proçesin e planifikimit të këtyre aktiviteteve, strukturat përkatëse vlerësojnë dhe identifikojnë temat më të nevojshme për edukimin në vazhdim, duke marrë parasysh të gjitha propozimet e ardhura nga stafi.
Më pas vijohet me hartimin e programit të edukimit në vazhdim , me temat e përzgjedhura, datat e përcaktuara dhe lektorët e përzgjedhur. Plani Vjetor i Edukimit në Vazhdim realizohet për të mbështetur, fuqizuar dhe promovuar zhvillimin e vazhdueshëm profesional të stafit, si dhe të krijojmë kushte dhe mundësi që profesionistët të përfshihen në aktivitete të edukimit në vazhdim në përputhje me nevojat e pozicionit të tyre të punës. Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore është i lidhur ngushtë me kualifiimin e burimeve njerëzore.
Aktivitetet e edukimit në vazhdim në QSUNT janë të çertifikuara nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim.
Këto aktivitete zhvillohen në zbatim të Ligjit Nr. 10 107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe bazuar në VKM Nr. 418, datë 04.07.2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në VKM Nr. 788, datë 22.09.2015, për përcaktimin e kritereve, standardeve dhe proçedurave të proçesit të akreditimit të aktiviteteve të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë”, duke përmbushur në këtë mënyrë përgjegjësitë e Institucionit tonë në mbarëvajtjen dhe zbatimin e programit të çertifikimit., si dhe duke i kushtuar rëndësi të veçantë zhvillimit dhe mbajtjes në nivele bashkëkohore dijeve, aftësive dhe kompetencave të personelit tonë shëndetësor.
Krahas nevojës për zhvillim profesional, profesionistët e shëndetësisë janë të detyruar të përfshihen në aktivitetet e edukimit në vazhdim për t’iu përgjigjur kërkesave të çertifikimit dhe riliçencimit.