Kabineti i hemodinamikës në shërbimin e kardiologji/kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet ka tashmë një aparat të ri angiografie. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, zhvilloi sot në këtë institucion me rastin e vënies në punë të kesaj pajisjeje për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardio-vaskulare.
Instalimi i kësaj pajisjeje të teknologjisë moderne e bashkëkohore, do të mundësojë që brenda muajit tetor nëse një pacient do të ketë nevojë të bëjë një koronarografi në shërbimin publik, do të mund ta bëjë atë edhe nëse paraqitet gjatë natës, ndonëse deri më tani ky ekzaminim në orët e vona, ofrohej vetëm në spitalet private, u shpreh Ministri Beqaj në takim.
Në fjalën e tij për të pranishmit, kreu i shëndetësisë tha midis të tjerash se “gjithçka kemi këtu me pajisjet, me mjekët, me personelin janë një bazë e mirë që brenda muajit tetor të kemi këtë shërbim 24 orë në shtatë ditë të javës”, duke shpjeguar se përveç investimit për pajisje të reja bio-mjekësore, është shtuar edhe numri i personelit shëndetësor në shërbimin e hemodinamikës, si pjesë e nismës së ministrisë së shëndetësisë për rritjen dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit në institucionet publike të ofrimit të kujdesit shëndetësor.
Ndërsa znj. Ogerta Manastirliu, drejtore e QSUT-së, shtoi se, “nga viti 2013, 6-mujori i parë në vitin 2015, 6-mujorin e parë është rritur me rreth 50% numri i koronarografive të zhvilluara në qendrën tonë spitalore, në kabinetin e Hemodinamikës, ndërkohë që është 24% më shumë se viti 2014”.
Sipas Prof. Dr. Artan Goda, shef i shërbimit të kardiologjisë, “vënia në punë e kësaj pajisjeje, së bashku me një furnizim më të mirë të materialeve të konsumit, ka bërë të mundur që qëndra jonë QSUT të kthehet në një nga qëndrat më të mëdha në gjithë rajonin, përsa i përket numrave, duke e shndërruar tashmë këtë shërbim në qendrën më të madhe të këtij specialiteti në rajon”.
Ky investim vjen menjëherë pas vënies në punë për herë të parë përveç QSUT-së, të qendrës së dytë publike të specializuar të hemodinamikës në vend në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” në fillim të këtij muaji. Gjithashtu, me Aktin Normativ të Këshillit të Ministrave të miratuar më 29 korrik 2015 lidhur me shtesën e buxhetit për investimet e reja në shëndetësi, janë dhënë financime të rëndësishme dhe pajisje diagnostike për sëmundjet e brendshme që do të vihen në funksionim në fillim të vitit të ardhshëm duke i zgjeruar ndjeshëm mundësitë për ofrimin e këtij shërbimi në institucionet tona publike, të financuara me paratë publike.
Në vijim fjala e plotë e Ministrit Beqaj, znj. Manastirliu dhe Prof. Dr. A. Godës në takim.
Z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë:
Unë besoj se falë lidershipit të Profesor Godës, falë administrimit shembullor të drejtorisë së spitalit, ne ia kemi dalë që brenda dy vjetësh të rrisim ndjeshëm kapacitetet për këtë shërbim jashtëzakonisht të rëndësishëm për jetën e qytetarëve.
Praktikisht sot, ne bëmë një vizitë inspektuese për një pajisje të re, e cila është vënë në punë rreth 2 muaj, dhe që zëvendësoi një pajisje që ishte vënë në punë që nga viti 1996 dhe që praktikisht ishte amortizuar, por edhe nuk kryente teknika që janë sot moderne.
Sigurisht, që pajisjet sot po i shtojmë; ia kemi dalë t’i sigurojmë një mirëmbajtje shumë më të mirë; për të garantuar vijimësi në funksionimin e tyre, kemi shtuar furnizimin me materiale mjekësore të domosdoshme për të kryer këto ndërhyrje; dhe nëse marrim në konsideratë volumin e shtuar të punës në QSUT, kemi 2 poste pune që punojnë në QSUT deri rreth orës 20:00 të darkës.
Me ato çka kemi financuar që nga janari në institucionet jopublike për këto ndërhyrje dhe me ato që filluam para disa ditësh në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, ne këtë vit e dyfishojmë volumin e financuar me paratë publike për këto ndërhyrje shumë të rëndësishme, jetëshpëtuese, si edhe shkurtuese të invaliditetit, por ruajtjes së cilësisë së jetës.
Sigurisht që, ajo çfarë kemi sot këtu me pajisjet, me mjekët, me personelin, furnizimin, janë bazë e mirë që ne të synojmë, që brenda muajit tetor, të fillojmë për herë të parë në Shqipëri, të kemi këtë shërbim 24 orë në 7 ditë të javës.
Unë besoj se, ajo çfarë kemi arritur deri më sot, nga para dy vjetësh, nëse rardha e pritjes për këtë shërbim me para publike, ishte 7 muaj, sot e kemi brenda 3 muajve, është një afat i mirë, i pranueshëm edhe në nivele krahasuese me vendet e rajonit, por besoj se kur të jetë 24 orësh, do të jetë një stad i ri shumë më cilësor në ofrimin e këtij shërbimi.
Sigurisht, edhe në QSUT në vite kemi bërë disa investime, por ato më të mëdhatë priten të fillojnë. Është bërë operative fillimi i kredisë së CEB-it, për të rikonstruktuar në mënyrë radikale këtë spital, i cili praktikisht në vite na ka sjellë një godinë të amortizuar.
Znj. Ogerta Manastirliu, Drejtore e QSUT:
Në shërbimin e kardiologjisë, në kabinetin e hemodinamikës, instalohet një pajisje e re angiografike në kuadër të gjithë strategjisë tonë për përmirësimin e shërbimeve mjekësore në QSUT. Kjo pajisje përçon një standart të ri sa i përket përmirësimit të cilësisë të shërbimeve të ofruara për pacientët tanë.
Mund të them këtu disa shifra: Që nga viti 2013 6-mujori i parë, në vitin 2015 6-mujori i parë, është rritur me rreth 50% numri i koronarografive të zhvilluara në qendrën tonë spitalore në kabinetin e hemodinamikës, ndërkohë që janë kryer rreth 24% më shumë se në vitin 2014. Sigurisht, që kjo pajisje e re që është instaluar në këtë kabinet, garanton një shërbim më të mirë për pacientët dhe ne garantojmë një furnizim më të mirë të materialeve mjekësore, që kjo pajisje duhet të përdoret në mënyrë më efiçente dhe sigurisht furnizim të vazhdueshëm edhe me barna e materiale mjekësore në përgjithësi.
I hapim rrugën shërbimit 24-orë të hemodinamikës, sigurisht edhe me mbështetjen me kapacitete njerëzore, me mjekë të rinj, në kuadër të mbledhjes të fundit të bordit, ku në shërbimin e hemodinamikës, shtohen 4 mjekë kardiologë hemodinamistë për këtë shërbim.
Prof. Dr. Artan Goda, Shef i Shërbimit të Kardiologjisë:
Ky është një investim në vazhdën e investimeve të tjera që janë bërë në këtë fushë, të cilat së bashku me furnizimin më të mirë të materialeve të konsumit, kanë bërë të mundur që Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në qendrën intervencionuese, të jetë qendra më e madhe e rajonit për sa i përket numrave, dhe është një mundësi për t’u thelluar në ndërhyrje më të ndërlikuara dhe për ta shtrirë shërbimin përgjatë gjithë 24-orëshit.