Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po punon për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe treguesve të saj spitalorë. Puna në Qendrën tonë spitalore lidhet me cilësinë e kujdesit, kohën kushtuar pacientit dhe të gjithë elementët e sigurisë ndaj tij.
Shërbimet që ne ofrojmë dhe cilësia e tyre rritet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të ndërsjelltë personel mjekësor, pacientë dhe familjarë.
Ftojmë të gjithë familjarët dhe të afërmit e pacientëve, miqtë dhe vizitorët për t’iu bashkuar stafit tonë në krijimin e një mjedisi pozitiv të ofrimit të kujdesit duke zbatuar rigorozisht oraret e unifikuara të vizitave.
Në përputhje me synimin tonë për një spital të orientuar drejt pacientit, ofrimi i kujdesit cilësor ndaj tij kërkon veç trajtimit mjekësor, qetësi, pushim dhe pastërti.
Duke mirëkuptuar shqetësimin e familjarëve për gjendjen shëndetësore të të afërmve të tyre, është e nevojshme të theksojmë se është në interes të pacientit dhe mirëqënies së tij respektimi i rregullave mbi orarin e vizitave në shërbimet e QSUT dhe disiplinimin e lëvizjeve në ambjentet spitalore.
Respektimi i këtyre rregullave, mundëson për mjekët dhe stafin infermieror kryerjen e vëzhgimeve dhe procedurave mjekësore të nevojshme për trajtimin e pacientit si dhe siguron zbatimin e një regjimi të përshtatshëm për pushim dhe gjumë,marrjen e ushqimit dietetik, shërbimet e hotelerisë spitalore dhe çdo vemprimtari tjetër në varësi dhe të lidhur me gjendjen shëndetësore të të sëmurit.