Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunimin me shoqatën humanitare “ALSAR” dhe Organizatën Ndërkombëtare të Ndihmave Humanitare (IHRO) me qendër në Hollandë kanë finalizuar ditën e sotme projektin “Dhurimi i pajisjeve spitalore”. Në sajë të këtij projekti, spitalit të Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i janë dhuruar shtretër elektrikë të kompletuar me dyshekë e komodina. Këta shtretër janë specifikë për pacientët që kurohen në Neurologji dhe Neurokirurgji, pasi mund të komandohen në mënyrë elektromekanike për të ndryshuar pozicionin e qëndrimit të pacientit. Secili shtrat është i pajisur me dyshekun përkatës, i veshur me një shtresë mbrojtëse ndaj lagështisë dhe papastërtive që mund të lahet, duke siguruar higjienë maksimale të dyshekëve.
Zv. Ministrja e Shëndetësisë, znj. Milva Ikonomi, e cila ishte e pranishme gjatë dhurimit të këtyre pajisjeve spitalore në QSUT, shprehu falenderimin e saj për këto donacione dhe theksoi se “struktura e re spitalore e Neurologjisë ka nevojë të fuqizohet dhe për këtë ka kontribuar më së miri humanizmi i këtyre organizatave bamirëse.”
Drejtori i IHRO, z. Murat Kurt theksoi se në qendër të punës së organizatës që ai drejton është mobilimi i spitaleve me pajisje mjekësore dhe ky nuk është projekti i vetëm që po zbatohet në vendin tonë. Nga këto donacione nuk ka përfituar vetëm QSUT, por edhe spitalet rajonale. Z. Kurt u shpreh se “donacionet dhe bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe QSUT do të vazhdojnë dhe këto pajisje janë vetëm fillimi i një pune të mbarë.”
Pas dhurimit të shtretërve, punonjësit e organizatës “ALSAR” udhëzuan personelin mjekësor për përdorimin e tyre si dhe u shpërndanë manualet e montimit dhe të mirëmbajtjes.