Pastrimi dhe Gjelbërimi i QSUT

03/11/2013

Kryeministri Edi Rama inspektoi të dielën punimet në mjediset e jashtme të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, në Tiranë, ku pas shembjes së objekteve pa leje ka nisur mbjellja e pemëve, ripërtëritja dhe mirëmbajtja e hapësirave publike.

 

Sipas Kryeministrit, mjediset e jashtme të kësaj qendre spitalore, më e madhja dhe më e rëndësishmja në Shqipëri ku trajtohen me mijëra vetë në ditë, do të shndërrohen në një hapësirë publike të standardeve europiane. “Do të jetë një hapësirë publike spitalore, ku gjithkush që duhet të kalojë këtu duhet të ndihet në territorin e një spitali në Europë dhe jo siç ishte para 40 ditëve”, tha Rama.

 

Në prononcimin e tij për mediat, kreu i qeverisë vlerësoi punën e bërë nga drejtoresha dhe stafi i QSUT, ndërsa nënvizoi se “është një punë e jashtëzakonshme për t`u bërë, por ne nuk na tremb as puna, as volumi i madh dhe as sfidat e panumërta që janë brenda spitalit, për të garantuar një shërbim të standardeve europiane”.

 

Kryeministri falenderoi edhe ministrin e Mjedisit për angazhimin e tij lidhur me krijimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra. “Ky është një angazhim që do të shtrihet dalngadalë, por jo ngadalë në të gjithë territorin e Shqipërisë”, u shpreh kreu i qeverisë.

Posted in Lajme by admin qsut