Kur shkoni tek mjeku:
Pjesa më e rëndesishme e kartelës është Anamneza, e cila përfaqëson hapin e parë që hap takimin mes mjekut dhe pacientit. Pacienti flet rreth shqetësimeve që e kanë sjellë tek mjeku, dhe/apo rreth stilit të jetesës që mund të ketë sjellë problemin shëndetësor.
Rëndësi të madhe kanë zakonet e jetesës si:
Pirja e duhanit | është mirë nëse shënohen vitet dhe numri mesatar i cigareve/ditë |
Konsumimi i alkoolit | është mirë nëse specifikohet tipi i pijes alkolike (verë, birrë, likerna) dhe sasia |
Aktiviteti fizik | jetë sedentare, aktivitet fizik modest |
Pacienti flet edhe rreth sëmundjeve që ka kaluar në fëmijëri dhe i rritur, sëmundje të të afërmve të tij. Kështu hetohen, në veçanti, patologjitë e trashëgueshme (me përbërës të qartë trashëgimor), si patologjitë tumorale, hipertensioni arterial, diabeti mellit, kardio-vaskulopatitë.
Mjekët e vjetër klinikë tregojnë se “diagnoza e saktë vjen nga një anamnezë e imët” apo se “diagnoza bazohet para së gjithash mbi anamnezë”.
Një pjesë e mirë e kulturës mjekësore që zotërojmë sot bazohet mbi trashëgiminë e vyer të përfaqësuar nga kartelat klinike.
Pasi merret anamneza, bëhen ekzaminimet e duhura, mjeku krijon opinionin rreth diagnozës dhe merr masat e duhura për trajtimin e pacientit. Në kartelë shënohet me saktësi terapia që pacienti do të ketë dhe gjendja e tij mbahet në monitorim deri në shërimin e pacientit dhe daljen e tij nga spitali.