Edukimi i të sëmurëve me Sëmundje Renale Kronike

Sëmundja renale kronike

Çfarë janë veshkat dhe roli i tyre në organizëm

Veshkat janë organe çift, me madhësinë e një grushti të vendosura në të dy anët e shtyllës kurrizore, menjëherë poshtë brinjëve. Në brendësi të secilës veshkë, ndodhen rreth një milion struktura të vogla të quajtura nefrone, të cilat bëjnë të mundur filtrimin e gjakut dhe eliminimin e toksinave dhe të ujit të tepërt në formë të urinës. Urina nga veshkat nëpërmjet dy tubave që quhen ureter kalon në fshikëzën e urinës ku grumbullohet derisa të shkoni në tualet.

Përveç eliminimit nga trupi të toksinave dhe ujit, veshka ka dhe disa funksione të tjera:

· Veshkat rregullojnë balancën e ujit në trup dhe përbëresve të tjerë kimikë në gjak si: Natriumin, Kaliumin, Fosforin dhe Kalciumin;

· Veshkat eliminojnë medikamentet dhe toksinat e marra

· Veshkat prodhojnë disa hormone për të ndihmuar trupin:

1. Të rregullojë presionin e gjakut;

2. Të prodhojë Eritropoetinë që nxit prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut nga palca;

3. Të prodhojë formën aktive të vitaminës D që ndikon në ruajtjen e strukturës së kockës.

Çfarë është Sëmundja Renale Kronike

Sëmundja Renale Kronike (SRK) nënkupton një dëmtimin kronik dhe progresiv të veshkave. Ky dëmtim zhvillohet në mënyrë të ngadaltë dhe të fshehtë, çka sjell që shpesh të sëmurët diagnostikohen në një stad të përparuar të sëmundjes. Në një numër të konsiderueshëm të rasteve nuk është e mundur të përcaktohet se kush është shkaku i kësaj sëmundje. Një person mund të ketë dëmtim të veshkave shume vite përpara së të jetë i nevojshëm fillimi i trajtimit me dializë apo transplant. Sëmundje të tjera shoqëruese si diabeti, presioni i lartë i gjakut apo infeksionet e përsëritura të rrugëve urinare mund të jenë shkaku i sëmundjes renale.

Një veçori e rëndësishme e kësaj sëmundje është dëmtimi progresiv i veshkave edhe kur është e mundur të përcaktohet shkaku dhe të trajtohet sëmundja baze. Në shumë të sëmurë, edhe pse veshkat janë të dëmtuara, ato mund të vazhdojnë të prodhojnë urinë, por efikasiteti i tyre në eleminimin e toksinave nga gjaku, si p.sh. të uresë, është i dëmtuar. Për këtë arsye, këto substanca, do të vazhdojnë të qarkullojnë dhe të grumbullohen në organizëm. Prandaj ju nuk mund të vlerësoni funksionin e veshkës vetëm nëpërmjet sasisë së urinës së prodhuar. Disa të sëmurë edhe në stade shumë të përparuara të sëmundjes apo edhe në dializë mund të vazhdojnë të prodhojnë një sasi urinë. Në rastet kur dëmtimi i funksionit të veshkës avancon shumë bëhet i nevojshëm fillimi i terapisë renale zëvëndësuese me dializë apo transplant.

TEMA 2: Shkaqet e Sëmundjes Renale Kronike

Kush është në rrezik më të lartë për sëmundje të veshkave

Çdo njeri mund të preket nga SRK dhe pavarësisht nga mosha. Megjithatë, disa individë janë më të predispozuar se të tjerë për të zhvilluar sëmundje të veshkave. Ju mund të keni risk të lartë për SRK në rast se:

  1. vuani nga diabeti;
  2. keni vlera të larta dhe të pakontrolluara të tensionit arterial;
  3. keni persona të tjerë në familje që vuajnë me sëmundje të veshkave.

Cilat janë shkaqet e Sëmundjes Renale Kronike

Shkaktarët më të shpeshtë të SRK janë infeksionet urinare të përsëritura, diabeti dhe presioni i lartë i gjakut. Diabeti shfaqet kur niveli i sheqerit në gjak është shumë i lartë dhe kjo shkakton dëmtime në shumë organe të trupit si p.sh. veshka dhe zemra si edhe në enët e gjakut, sy dhe nerva. Në rastet kur presioni i gjakut nuk mbahet në vlerat e rekomanduara nga mjeku atëherë ai mund të jetë shkaktar i infarktit të miokardit, ishemisë së trurit dhe SRK. Por gjithashtu dhe vetë SRK mund të shkaktojë vlera të larta të presionit arterial apo hipertension.

Shkaqe të tjera të SRK mund të jenë:

  1. Gurët në veshka dhe bllokimi prej tyre i rrugëve urinare;
  2. Dëmtimet e lindura të rrugëve urinare, p.sh. kthimi i urinës mbrapsht lart në veshka;
  3. Lupusi dhe sëmundje të tjera të sistemit imun;
  4. Sëmundjet e trashëguara si p.sh. veshka polikistike;
  5. Glomerulonefritet; një grup sëmundjes që shkaktojnë inflamacion dhe dëmtim të nefroneve të veshkës.

TEMA 3: Shenjat e sëmundjes

Cilat janë shenjat e sëmundjes

Shenjat e hershme të sëmundjes janë të fshehta dhe shpesh nuk e kuptoni që keni të pranishme shenjat e sëmundjes. Shenja të tilla mund të jenë:

– dobësi;

– mungesë përqëndrimi;

– mungesë oreksi;

– pagjumësi;

– ngërce gjatë natës;

– enjtje të këmbëve dhe përreth syve sidomos në mëngjes;

– tharje të lëkurës dhe kruarje;

– urinim i shpeshtë dhe sidomos gjatë natës;

– etje për ujë.

Diagnostikimi dhe ndjekja e të sëmurëve me SRK

Diagnostikimi dhe vlerësimi i funksionit të veshkës do të ndihmojë për ndjekjen dhe fillimin e mjekimit me qëllim ngadalësimin e dëmtimit të funksionit të saj. Examinimet e nevojshme janë:

  1. Matja e presionit arterial;
  2. Analiza e urinës;

Proteinat janë substanca që normalisht nuk eliminohen me urinë. Në rastet kur veshkat tuaja janë të dëmtuara atëherë proteinat apo albumina kalojnë në urinë. Prania persistente e albuminës në urinë mund të jetë një shenjë e hershme e dëmtimit të veshkave.

  1. Analizë gjaku për matjen e nivelit të kreatinemisë;
  2. Matja e filtracionit glomerular apo GFR që tregon nivelin e funksionit të veshkës;
  3. Ekografi e aparatit urinar;

Ky ekzaminim jep të dhëna mbi madhësinë dhe formën e veshkës, praninë ose jo të bllokimit të rrugëve urinare, të gurëve në veshkë apo tumoreve të aparatit urinar.

  1. Analizë e gjakut komplet;

TEMA 4: Përcaktimi i stadit të SRK

Përcaktimi i stadit të SRK

Filtracioni glomerular apo GFR përdoret për të treguar se cili është niveli i dëmtimit të funksionit të veshkave. Sa më shumë avancon sëmundja aq më shumë ulët GFR.

Stadi Dëmtimi GFR 

(ml/min/1.73 m2)

1 Dëmtim i veshkave me GFR normal ose ­ mbi 90
2 Dëmtim i veshkave me ulje të lehtë të GFR 60-89
3 Ulje e moderuar e GFR 30-59
4 Ulje e theksuar e GFR 15-29
5 Insuficiencë e veshkave nen 15 

(dializë apo transplant)

GFR tregon sesi veshkat po e filtrojnë gjakun. Në figurën e mëposhtme ju mund të shihni:

  1. GFR mbi 60 tregon një funksion normal të veshkave
  2. GFR nën 60 tregon praninë e sëmundjes renale
  3. GFR nën 15 ose dhe më e ulët tregon praninë e insuficiencës renale dhe fillimi i terapisë renale zëvëndësuese me dializë apo transplant është i domosdoshëm.

Trajtimi i sëmundjes do të varet nga stadi në të cilin jeni si dhe nga prania ose jo e sëmundjeve të tjera shoqeruese. Ndjekja dhe trajtimi që në stadet e para mund të parandalojë ose të ngadalësojë progresionin e SRK në stadin e insuficiencës së veshkës, stad në të cilin fillimi i dializës është i nevojshëm.

Qëllimi kryesor i trajtimit të sëmundjes në stadet e hershme është:

ü Parandalimi ose ngadalësimi i progresionit të SRK;

ü Ulja e rrezikut për sëmundje kardio-vaskulare.

Sëmundja Renale Kronike stadi 1-2

Në këtë stad të sëmundjes mundet që pacienti të mos ketë shenja specifike. Në analizën e gjakut mund të vërehet një rritje e lehtë e nivelit të kreatinemisë.

Në analizën e urinës mund të vërehet prania e albuminës apo e rruazave të kuqe që mund të sugjerojë për praninë e një sëmundje në veshka.

Trajtimi në këtë stad të sëmundjes mund të konsistojë në pakësimin e proteinave në dietë, dhe në disa raste në përdorimin e medikamenteve që ulin presionin e gjakut.

Anemia shfaqet rrallë në këtë stad të sëmundjes.

Sëmundja Renale Kronike stadi 3-4

Në këtë stad mundet që të ndjeheni mirë ose të keni ndonjë nga shqetësimet e mëposhtme:

  1. Rritje të nivelit të kreatinemisë;
  2. Lodhje;
  3. Enjtje në duar, këmbë, apo përreth syve;
  4. Pakësim të oreksit;
  5. Ngadalësim të tretjes së ushqimit;
  6. Ndryshim në sasinë, ngjyrën dhe shpeshtësinë e urinimit ;
  7. Vlera të larta të presionit të gjakut.

Në këtë stad është shumë e rëndësishme të respektohet dieta e rekomanduar (pakësim i proteinave, përdorimi i ushqimeve që përmbajnë pak kalium, fosfor, dhe kripë). Për trajtimin e presionit arterial në këtë stad të sëmundjes shpesh është i nevojshëm përdorimi i më shumë se një medikamenti antihipertensiv.bMedikamente të tjera si Rocaltrol, Ketosteril apo medikamente që lidhin fosforin si kalciumi mund të rekomandohen nga mjeku juaj. Në këtë stad duhet të informoheni rreth mundësive për terapi renale zëvëdësuese: hemodializë, dializë peritoneale apo transplant të veshkës në mënyrë që të bëni zgjedhjen e duhur kur të jetë e nevojshme. Nëse ju rekomandohet fillimi i hemodializës nga mjeku juaj atëherë duhet të përgatiteni për kryerjen e fistules artero-venoze. Rekomandohet që fistula të bëhet disa muaj përpara se të fillojë trajtimi me hemodializë në mënyrë që ajo të ketë kohë të zhvillohet përpara se të fillojë hemodializa. Në këtë mënyrë nëse është e nevojshme të fillohet hemodializa më përpara se çfarë ishte planifikuar, mund ta filloni atë me fistul dhe jo me kateter të vendosur në venat e këmbës apo në kraharor. Nëse iu rekomandohet trajtimi me dializë peritoneale, një kirurg do të duhet të vendosë një tub plastik në bark nëpërmjet të cilit do të bëhet shkëmbimi i dializatit. Kjo procedurë s’është e nevojshme të kryhet shumë kohë përpara si fistula. Transplanti është trajtimi i zgjedhur sidomos tek të sëmurët në moshë të re. Një ekip i specializuar mjekësh pranë shërbimit të nefrologjisë në QSUT realizojnë ndjekjen e pacientëve të transplantuar. Përgatitja dhe përzgjedhja e dhuruesit dhe marrësit të organit të transplantuar kërkon kohë, prandaj vlerësimi i të sëmurit dhe kanditatit të mundshëm për dhurim të organit duhet të bëhet më parë se pacienti të arrijë në stadin e fundit.

Sëmundja Renale Kronike stadi 5

Funksioni i veshkës në këtë stad të sëmundjes është afërsisht 10-15%. Shenjat klinike që mund të keni në këtë stad:

  1. Anemi;
  2. Dhimbje koke;
  3. Lodhje;
  4. Të përziera, të vjella, pakësim të oreksit;
  5. Etje për uje;
  6. Ngërce të muskujve;
  7. Urinim të shpeshtë gjatë natës;
  8. Kruarje;
  9. Vlera të larta të presionit arterial;
  10. Edema;
  11. Ndryshime të ciklit menstrual;
  12. Pakësim të sasisë së urinimit.

Në këtë stad të sëmundjes është e nevojshme fillimi terapisë renale zëvëndësuese, hemodializë, dializë peritoneale apo transplant të veshkës. Kjo procedurë nuk është e nevojshme të kryhet muaj përpara se të fillojë trajtimi si në rastin e hemodializës.

TEMA 5: Trajtimi i SRK

Cili është trajtimi i SRK

Trajtimi i sëmundjes do të varet nga stadi juaj i sëmundjes si dhe nga sëmundje të tjera shoqëruese që mund të keni. Për të ngadalësuar progresionin e SRK duhet:

– Kontrolli i tensionit të lartë të gjakut

Përveç mjekimit me medikamente që ulin presionin e gjakut duhet domosdoshmërisht të ndryshoni mënyrën e jetesës. Duhet të respektoni dietën e rekomanduar nga mjeku dhe të pakësoni sasinë e kripës në ushqim. Duhet të masni rregullisht tensionin disa herë në javë, t’i shënoni këto të dhëna dhe t’ia tregoni mjekut tuaj në vizitën e rradhës.

– Mbani nivelet e sheqerit në gjak në nivelet e rekomanduara

Kjo është e domosdoshme sidomos për ata të sëmurë që vuajnë dhe nga diabeti. Matja e nivelit të hemoglobinës së glukozuar (HbA1C) tregon nëse niveli i sheqerit në gjak ka qënë brenda vlerave të normës gjatë tre muajve të fundit. Nëse ky nivel është mbi vlerën e rekomaduar atëherë duhet të konsultoheni me mjekun për të bërë ndryshimet e duhura në dietë dhe në terapi. HbA1C duhet të jetë më pak se 7 në të sëmurët që janë në stad të avancuar të sëmundjes.

– Pakësoni sasinë e proteinave në dietë

Sasia e proteinave në dietë duhet të pakësohet dhe për këtë shihni edhe në pikën më poshtë.

– Ruani nivelin e yndyrnave në gjak

Niveli i yndyrnave në gjak shikohet në një analizë gjaku të bërë esëll në mëngjes. Në rast se e keni nivelin e kolesterolit mbi 240 mg/dl keni risk më të lartë për sëmundje të zemrës. Trigliceridet duhet gjithashtu të maten. Ushqimet që përmbajnë shumë trigliceride janë: gjalpi, margarina, vaji, alkoli.

– Mos pini duhan

– Trajtimi i komplikacioneve

Medikamentet të cilat duhet t’i evitoni

Duhet të evitoni përdorimin e:

– Antiacidet që përmbajnë magnesium

– Përdorni aspirin vetëm nëse iu rekomandohet nga mjeku

– Anti inflamatore jo steroide si psh. Ibuprofen

– Laxativet

– Vitaminat apo suplementet ushqimore që përmbajnë kalilum dhe magnesium

– Preparatet me origjinë bimore

TEMA 6: Komplikacionet e SRK

Komplikacionet e SRK dhe Trajtimi

Anemia

Me anemi kuptojmë: sasinë e pamjaftueshme të rruazave të kuqe, të cilat shërbejnë për të transportuar oksigjenin në të gjithë trupin. Oksigjeni furnizon me energji muskujt dhe organet e tjera të trupit. Mungesa e oksigjenit shkakton dhe lodhjen apo dobësinë trupore që ndjeni.

Siç është thënë dhe më lart, veshkat prodhojnë një hormon që quhet Eritropoetinë dhe që ndihmon në prodhimin e rruazave të kuqe. Kur veshka është e dëmtuar dhe me funksion të ulur, atëherë veshka prodhon eritropoetinë në sasi të pakët dhe shfaqet anemia.

Simptomat e anemisë

  1. Lodhje fizike
  2. Dhimbje koke
  3. Mungesë përqëndrimi
  4. Vështirësi në frymëmarrje
  5. Marrje mendsh

Si trajtohet anemia

Trajtimi bëhet nëpërmjet dhënies së eritropoetinës në formë injeksionesh nën lëkurë. Gjatë periudhës që trajtoheni me eritropoetinë është e domosdoshme që të merrni njëkohësisht dhe hekur nga goja për të ndihmuar trupin të prodhojë më shumë rruaza të kuqe. Niveli i hekurit në organizëm matet nëpërmjet përcaktimit të Ferritinemisë që është një proteinë që depoziton hekurin për tu përdorur atëherë kur duhet. Niveli i ferritinemisë duhet të jetë mbi 200 ng/ml. Matja e ferritinemisë duhet të bëhet në mënyrë periodike sipas këshillës së mjekut për të evituar dëmtimet në mëlçi. Niveli i hemoglobinës në gjak në rast se trajtoheni me eritropoetinë duhet të jetë 10-12 g/dL.

Ndryshimet kockore

Matja e nivelit të Kalciumit, fosforit, si dhe ekzaminimet radiologjike janë të nevojshme të bëhen në mënyrë periodike të përcaktuar nga mjeku juaj për të vlerësuar ndryshimet që kanë ndodhur në sistemin tuaj kockor dhe të merrni mjekimin e duhur në funksion të tyre.

Për të evituar dëmtimin e kockave nga sëmundja ju mund të keni nevojë të kufizoni marrjen e ushqimeve që permbajnë shumë fosfor, të merrni disa medikamente gjatë ushqimit që quhen lidhës të fosforit apo Vitaminës D.

Sëmundjet e zemrës dhe parandalimi i tyre

Ju keni një risk më të lartë se të tjerët për tu prekur nga sëmundje të zemrës. Mbajtja nën kontroll e diabetit, anemisë dhe tensionit të gjakut ju ndihmon gjithashtu të ruheni nga sëmundje të zemrës. Në rast se keni nivele të larta të yndyrnave në gjak ju duhet të ndyshoni dietën, të shtoni aktivitetin fizik apo të merrni mjekim e rekomanduar nga mjeku.

Ndryshimet emocionale

  1. Depresion dhe ankth

Depresioni dhe ankthi janë dy format më të shpeshta të ndryshimeve emocionale që mund të keni. Këto mund të shfaqen si: gjëndje e trishtuar, zemëruar, mungesë oreksi, pagjumësi, mungesë interesi në jetën e përditshme. Ankthi mund t’iu shkaktojë një gjëndje frike apo parehatie, rritje të të rrahurave të zemrës, djersitje të shprehur, gjëndje nervoziteti.

  1. Zemërim

Kur mësoni se jeni me sëmundje kronike të veshkave, zemërimi dhe humbja e kontrollit është një çrregullim i shpeshtë që mund të shfaqet. Për këtë arsye pranë shërbimit të nefrologjisë punon dhe një punonjës social që do t’iu ndihmojë të rifitoni përsëri kontrollin tuaj.Tema 7: Ndjekja e ecurisë së sëmundjes Sëmudja kronike e veshkave është një sëmundje që avancon me kalimin e kohës dhe qëllimi i mjekimit është të ngadalësojë apo të parandalojë rënien e mëtejshme të funksionit të veshkave. Nëse kjo është e mundur të arrihet varet dhe nga stadi i sëmundjes në momentin e diagnostikimit. Nëse jeni diagnostikuar në stadet e hershme të sëmundjes dhe ndiqni rregullisht këshillat mjekësore atëherë do të keni dhe më shumë shanse për t’iu përgjigjur trajtimit. Megjithatë, shkaku i SRK ndikon në ecurinë e sëmundjes dhe në disa raste kontrolli i sëmundjes është dhe më i vështirë.

Në tabelën më poshtë paraqitet dhe shpeshtësia e vizitave tuaja tek mjeku nefrolog për të ndjekur ecurinë e sëmundjes.

  Diagnostikuar për herë të parë Stabël
Stadi 3 6/12 1/12
Stadi 4 3/12 6/12
Stadi 5 3/12 3/12

Tema 8 : Mënyra e të ushqyerit

Ushqimi është një faktor tjetër i rëndësishëm që ndikon në ngadalësimin e avancimit të sëmundjes së veshkave. Përdorimi i një dietë që përmban pak proteina me origjinë shtazore dhe përdorimi i kufizuar i kripës janë shumë të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit tuaj.

Më poshtë paraqiten hapat që duhet të ndiqni për një ushqyerje sa më të shëndetshme.

Hapi I: Zgjidh dhe përgatit ushqimet me pak kripë

Kripa është një element i nevojshëm për organizmin dhe ka një rol kryesor në kontrollin e presionit të gjakut apo ekuilibrin e likideve në trup. Kur veshkat nuk janë të dëmtuara ato eleminojnë sasinë e tepërt të kripës nëpërmjet urinës. Ndërsa, nëse funksioni i veshkës ulet moseliminimi i saj mund të shoqërohet me mbajtje të ujit në organizëm që shfaqet si enjtje përreth syve apo në këmbë.

Prandaj duhet:

– Të përdoren ushqime të freskëta ;

– Të mos përdoren ushqime të gatshme dhe të konservuaëra.

– Në vend të kripës përdorni më shumë erëza

Hapi II: kufizo sasinë e proteinave me origjinë shtazore

Proteinat gjënden në ushqimet me origjinë shtazore dhe bimore:

– Proteinat me origjinë nga kafshët gjenden në: mish, pule, peshk, vezë dhe produktet e qumështit;

– Proteinat me origjinë nga bimet gjenden në: arra, fasule, dhe bishtaja të tjera.

Hapi III: Zgjidh ushqimet që janë të shëndetshme për zemrën

– Evitoni përdorimin e ushqimeve të skuqura dhe përdorni më shumë ushqime të ziera apo të pjekura;

– Përdorni vajin e ullirit në gatim në vend të gjalpit dhe në sasi të kufizuar;

– Hiqni lëkurën e pulës së pjekur apo dhjamin e mishit para se t’i konsumoni;

– Ushqimet që duhet të përdorni janë: mish pa dhjamë apo fileto, mish pule pasi i keni hequr lëkurën, peshk, zarzavate, fruta, produkte të qumështit me sasi të pakët yndyrë.

Hapi IV: përdor ushqimet që përmbajnë pak fosfor

Fosfori se bashku me kalciumin janë dy elemente shumë të rëndësishëm në organizëm për të ruajtur strukturën e kockës. Kur funksioni i veshkës ulet ruajtja e ekuilibrit midis kalciumit dhe fosforit është i vështirë dhe në këto kushte veshka nuk mund të eliminojë sasinë e tepërt të fosforit nga organizmi. Në këto raste vërehet një rritje e nivelit të fosforit në gjak shoqëruar me nivel të ulët në kalcium dhe për të korrigjuar këtë çrregullim, trupi do të ‘’vjedhë’’ kalcium nga kockat gjë që sjell dhe dobësimin e tyre. Niveli i lartë i fosforit në gjak mund të shkaktojë krurje në trup, dhimbje të kockave dhe të artikulacioneve. Për të evituar këto efekte anësore të fosforit më poshtë janë ushqimet që përmbajnë sasi të pakët të fosforit si edhe ato të pasura në fosfor që duhet të evitohen të përdoren.

  1. Ushqime që përmbajnë shumë fosfor:

– Mishi, pula, peshku;

– Produktet e qumështit;

– Thierzat, bathe, arra;

– Coca-cola.

  1. Ushqime të varfëra në fosfor:

– Fruta dhe perime të freskëta;

– Buka, makarona, orizi;

– Cereale me bazë orizi apo gruri.

Hapi V: përdor ushqimet që përmbajnë pak kalium

Veshkat janë organi kryesor që ndikon në ruajtjen e nivelit të kaliumit. Në stadet e avancuara të sëmundjes, veshkat nuk munden të eliminojnë dhe të ruajnë ekuilibrin e kaliumit në organizëm. Niveli i lartë i kaliumit në trup mund të jetë shumë i rrezikshëm për zemrën dhe mund të shkaktojë deri në çrregullime të ritmit të saj apo dhe vdekje. Prandaj një kujdes i veçantë duhet treguar në marrjen e ushqimeve që përmbajnë shumë kalium me qëllim evitimin e përdorimit të tyre.

  1. Ushqime që përmbajnë shumë kalium:

– Portokallet, bananet

– Patatet, domatet

– Produktet e qumështit

– Buka e bardhë

– Fasulet dhe arrat

Sasia e proteinave që duhet të merrni në ditë varet nga niveli i dëmtimit të veshkave dhe pesha juaj. Për këtë duhet të konsultoheni me një mjek dietolog me qëllim përcaktimin e saktë të nevojave tuaja ditore.

Si përfundim:

Për të ngadalësuar progresionin e SRK duhet:

– Trajtim i kujdesshëm i tensionit arterial;

– Evitim i medikamenteve që mund të dëmtojnë funksionin e veshkës;

– Ruajtjen e nivelit të sheqerit në gjak në rast se vuani nga diabeti;

– Ndryshim i mënyrës së ushqyerjes.

Më poshtë jepet një model diete që mund të përdoret në pacientë me sëmundje kronike të veshkave:

Mëngjesi

Çaj me limon + 20gr sheqer ose kafe

Bukë 30gr ose biskota

Marmelate 30gr ose mjaltë

Dreka

Makarona 80gr ose oriz

– salce domatesh

– vaj ulliri 15gr

– djathë 5gr

Mish pule (të bardhë) 100gr ose peshk 130 gr

ose mish i grirë 100gr

sallatë mikse 100gr

– vaj ulliri 15gr

Bukë aproteinike 20gr

Fruta të freskëta 200 gr

Darka

Makarona 60 gr ose oriz 60 gr

– salcë zarzavatesh ose me domate

– vaj ulliri 15 gr

Proshutë pa dhjamë e pjekur 30gr ose djathë 50 gr

ose 1 vezë

Supë (zarzavate) 150gr ose sallatë mikse 100 gr

– vaj ulliri 25gr

Bukë 30 gr, Fruta të freskëta 200 gr