Ekipi që kujdeset për ju

Kush bën pjesë në ekipin e kujdesit shëndetësor?

Gjatë qëndrimit tuaj në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të takoheni me individë të ndryshëm, dhe do të pyesni veten se çfarë roli luan gjithsecili prej tyre në shërimin tuaj.

Shërbimi mjekësor ka personelin e vet me kohë të plotë e atë me kohë të pjesëshme:

  • Shefi i shërbimit – Prof, Prof.Ass. me funksione spitalore dhe universitare;
  • Profesor, Prof.Ass. me funksione spitalore, universitare, me shtretër, konsulent;
  • Dr. shkencash me funksione spitalore universitare, me shtretër e konsulent;
  • Mjekë praktik me shtretër;
  • Specializantë;
  • Kryeinfermierë;
  • Infermiere;
  • Ndihmës infermier-kujdestarë;
  • Sanitarë;
  • Personel tjetër sipas specifikave të shërbimit (operatorët, teknikët imazheristë, teknikët e laboratorëve, terapistët, farmacistët dhe punonjësit socialë janë të gjithë shembuj të stafit të profesionistëve teknicienë të shëndetit).

Detyrat e personelit mjekësor pranë shërbimeve mjekësore

Shefi i Shërbimit

Siguron dhe përgjigjet për organizimin, drejtimin dhe funksionimin me cilësi dhe standarte të larta të të gjithë aktivitetit diagnostik, terapeutik, mësimor dhe shkencor në shërbimin e tij.

Kryen vizitën e përgjithshme të të sëmurëve të shtruar së bashku me personelin e lartë dhe kryeinfermiren e shërbimit.

Kontrollon dhe vlerëson cilësinë dhe saktësinë e plotësimit të të gjithë dokumentave të shërbimit, si kartelat klinike, epikrizat përcjellëse, rekomandimet, fletëdrejtimet për në komisionet e ndryshme mjekësore.

Mjeku i Shërbimit Mjekësor Universitar

Mjeku i Shërbimit Mjekësor Universitar, si ai ordinator, pedagog (sipas kontratës në QSUT) dhe specializantë (sipas kontratës në QSUT) ushtron aktivitet me kohë të plotë në fushën diagnostike, terapeutike, mësimore dhe shkencore në shërbimin ku bën pjesë.

Viziton çdo ditë të sëmurët që ka në ngarkim dhe përgjigjet për kryerjen në kohë e me cilësinë që kërkohet të të gjitha aspekteve mjekësore në të sëmurët që ka mbingarkim.

Njofton Shefin e Shërbimit për çdo situatë të pazakontë në kontigjentin e të sëmurëve që ka në ngarkim dhe mund të kërkojë konsultë me Shefin e Sherbimit apo specialistë të tjerë për të sëmuret e tij, në çdo orë sa herë e gjykon të domosdoshëm.

Mjeku roje

Mjeku Roje i Shërbimit Universitar është në gadishmëri të plotë për kryerjen e shërbimit të rojes që nga momenti i fillimit të saj, ora 08:00 e ditës së rojes, deri ne orën 08:00 te ditës tjetër pasardhëse.

Raporton hollësisht me shkrim situatën shëndetësore të të sëmurëve të shërbimit dhe ngjarjeve të tjera të mundshme në përfundim të shërbimit të rojes, ai gjithashtu njihet hollësisht me informacionet e lëna me shkrim nga mjekët e shërbimit para largimit të tyre nga puna për situatat e veçanta të sëmurëve të tyre.

Kryeinfermieri

Kryeinfermiri i Shërbimit Universitar organizon, udhëheq, kontrollon duke siguruar shërbim cilësor të kujdesin infermieror për të gjithë të sëmurët e shtruar në shërbimin e tij.

Infermieri

Kryen pritjen e të sëmurëve dhe sistemimin e tyre në dhomat përkatëse të shërbimit. Ai siguron qetësinë fizike dhe psiqike të të sëmurëve të shtruar, njihet me nevojat dhe kërkesat që mund të kenë dhe merr pjesë  në realizimin e tyre.

Kryelaboranti

Organizon në bashkëpunim me kryelaboranten e njësive diagnostie laboratorike punën në laborator sipas njësive diagnostike laboratorike dhe mbikqyr cilësinë e analizave apo ekzaminimeve të tjera laboratorike.

Laboranti

Personel i lartë teknik që bën punën kryesore rutinë në laborator duke u shpërndarë sipas reparteve të njësive diagnostike laboratorike.

Psikologu dhe punonjësi social

Roli i psikologut është në mbështetje të stafit mjekësor dhe ka si qëllim primar shëndetin mendor të pacientit si pjesë e pandashme e mirëqenies së tij fizike.

Sanitari

Pastron me cilësi të gjitha ambinetet e shërbimit duke përdorur materialet e nevojshme, kryen gjithashtu  pastrimin dhe dezinfektimin e mjeteve që përdorin të sëmurët.

Kujdestari

Qëndron afër të sëmurit në pavijon, në oborr, në rehabilitim, në takim me të afërmit e të semurit. Ai zgjon të sëmurët, ndihmon në larjen e tyre në mëngjes dhe kujdeset për veshmbathjen e tyre.

Recepsionisti

Organizon dhe mban shënim konsultat që kërkohen nga mjekët e shërbimit dhe bën njoftimet në specialitetet përkatëse.

Farmacisti

Miraton planifikimin e shpërndarjes së barnave dhe materialeve mjekësore drejt shërbimeve dhe ndjek procesin nga farmacia qendrore deri tek pacienti.

Profesionistët teknicienë të shëndetit

Teknicienët janë të arsimuar për të kryer teste, trajtime dhe shërbime të veçanta. Operatorët dhe terapistët janë shembuj të stafit të profesionistëve teknicienë të shëndetit. Ata janë pjesë e rëndësishme e kujdesit shëndetësor të pacientit.

Nëse keni një pyetje rreth një anëtari të ekipit të kujdesit tuaj shëndetësor, mos ngurroni të pyesni.