Sistemi i referimit dhe dokumentacioni i kërkuar
Mbështetur në urdhërin e Ministrit të Shëndetësisë Nr. 28, datë 26.01.2016 “Për zbatimin e sistemit të referimit dhe tarifat e shërbimit shëndetësor publik” çdo person që ka nevojë të marrë shërbim në institucionet shëndetësore publike duhet të paraqitet fillimisht tek mjeku i familjes/mjeku i përgjithshëm. Në momentin e paraqitjes tek mjeku i familjes/mjeku i përgjithshëm Personi i Pasiguruar duhet të jetë i pajisur kartën e identitetit dhe Personi i Siguruar me kartën e shëndetit dhe kartën e identitetit.
Nëse mjeku i familjes/mjeku i përgjithshëm gjykon që diagnostikimi apo trajtimi i rastit kërkon konsultë më të specializuar, atëherë e rekomandon për tek specialisti përkatës.
Sistem Referimi
Personat e siguruar që paraqiten tek mjeku specialist për konsulta mjekësore ose ekzaminime laboratorike apo imazherike, e marrin këtë shërbim PA PAGESË, kur janë të pajisur me:
- Kartë shëndeti
- Kartë identiteti
- Letër rekomandimi nga mjeku i familjes/mjeku i përgjithshëm për konsultë mjekësore ose ekzaminime laboratorike apo imazherike
Personat e pasiguruar, që paraqiten tek mjeku specialist për konsulta mjekësore ose ekzaminime laboratorike apo imazherike me sistem referimi, e marrin këtë shërbim me pagesë sipas tarifave të miratuara për “Pacientë të pasiguruar me sistem referimi” (shih tarifat), kur janë të pajisur me:
- Kartë identiteti
- Letër rekomandimi nga mjeku i familjes/mjeku i përgjithshëm për konsultë mjekësore ose ekzaminime laboratorike apo imazherike
Pa Sistem Referimi
Personat që paraqiten tek mjeku specialist për konsulta mjekësore ose ekzaminime laboratorike apo imazherike dhe nuk janë të pajisur me letër rekomandimi nga mjeku specialist për konsulta mjekësore ose ekzaminime laboratorike apo imazherike e marrin këtë shërbim ME PAGESË sipas tarifave të miratuara për “Pacientë pa sistem referimi” (shih tarifat).
Referimi për konsultë apo trajtim më të specializuar në Spitalet Universitare
Mjeku specialist pranë poliklinikës së specialiteteve në rajon, e trajton ambulatorisht ose e shtron pacientin në spitalin e rajonit, ose e referon atë për konsultë apo trajtim më të specializuar në shërbimin e konsultave të Spitaleve Universitare të pajisur me rekomandimin përkatës.
Urgjenca Mjekësore
Të gjitha rastet e përcaktuara si urgjenca mjekësore që referohen për trajtim spitalor nga shërbimi ambulator duhet të kenë rekomandimin nga mjeku i familjes/mjeku i përgjithshëm, ndërsa ata të dërguar nga spitali bashkiak për në spsitalin rajonal ose spitalet universitare duhet të kenë epikrizën përcjellëse të firmosur dhe vulosur nga mjeku i rojes dhe shefi i shërbimit përkatës.
Nga ky rregull përjashtohen rastet e përcaktuara si urgjenca mjekësore ekstreme ose sipas rekomandimit të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, kur pacienti shkon ose transpotohet direkt në spital.
Të gjitha shërbimet e urgjencës mjekësore ofrohen PA PAGESË.