Mënyra e Planifikimit në Konsulta

Të nderuar qytetarë,

Ju mund të merrni shërbime mjekësore ambulatore pranë Qendrës së Konsultave Ambulatore (QKA) në QSUNT Çdo ditë nga E Hëna në të Premte në orarin 7.00-16:00

  1. ORARI I KONSULTAVE NË QKA 10:00 – 14:00
  2. ORARI I ANALIZAVE 8:00 – 11.00     

SI TË REZERVONI KONSULTËN TUAJ:

  1. Mënyra e Parë: NËPËRMJET SISTEMIT E-REFERIM Paraqituni fillimisht te Mjeku i Familjes i Qendrës suaj Shëndetësore, i cili nëse duhet ju orienton te Mjeku Specialist i rrethit. Më pas ky Mjek Specialist, nëse e vlerëson të nevojshme, ju pajis me Rekomandimin për të kryer Konsultën e Specializuar pranë Qendrës së Konsultave Ambulatore në QSUNT.

  1. Mënyra e Dytë: PARAQITUNI DIREKT në Zyrën e Informacionit pranë Qendrës së Konsultave Ambulatore. Kjo mënyrë rekomandohet për marrjen e një shërbimi nga pacientët kronikë, ku sapo të mbarojnë konsultën me mjekun specialist në QSUNT, mund të prenotojnë konsultën pasardhëse në Zyrën e Informacionit, që ndodhet në Katin e parë të Qendrës së Konsultave Ambulatore, me hyrje anësore.

PACIENTËT QË PARAQITEN PËR KONSULTËN NË QKA, DUHET TË KENË ME VETE KËTO DOKUMENTA:

  1. Kartën e Identitetit
  2. Rekomandimin e Mjekut Specialist të rrethit, me të gjitha informacionet mjekësore të lidhura me sëmundjen, rezultatet e egzaminimeve të kryera, mjekimet e përdorura, sëmundjet shoqëruese, etj..

Ky Rekomandim duhet të përmbajë gjithashtu:

  1. Vulën e Mjekut Specialist të Poliklinikës apo Spitalit të rrethit.
  2. Vulën e Qendrës Shëndetësore
  3. Vulën e Spitalit Rajonal (për rrethet).

P.S Nëse Qendra Shëndetësore nga vjen pacienti, nuk ka Mjek Specialist për shërbimin e kërkuar, kjo duhet specifikuar në Rekomandim nga Mjeku i Familjes shoqëruar me vulën e Mjekut të Familjes.

  1. Rekomandimi i Brendshëm dhe Fletëdalja (Epikriza e Daljes nga QSUNT) janë dokumenta që i japin të drejtën pacientit që ka qënë së fundmi i shtruar në QSUNT për të kryer rikontrollin e parë në Qendrën e Konsultave Ambulatore, pa qenë nevoja e marrjes së Rekomandimit te Mjeku Specialist i rrethit.
  2. Kodin e E-Referimit të marrë nga Mjeku i Qendrës Shëndetësore apo në Zyrën e Informacionit të Qendrës së Konsultave Ambulatore. Ky kod me 3 gërma dhe 2 numra (shembull E7B4C) ka të përcaktuar datën dhe orarin e Konsultës.
  3. Përgjigjet e të gjitha ekzaminimeve të kryera paraprakisht në rrethin apo Qendrën Shëndetësore përkatëse.
  4. Verifikimi nëse Pacienti është i siguruar me Kartën e Shëndetit bëhet online nëpërmjet Portalit e-Albania.

PACIENTËT QË PARAQITEN NË QKA PËR KONSULTË PËR MARRJEN E ILAÇEVE TË RIMBURSUESHME, DUHET TË KENË ME VETE KËTO DOKUMENTA:

  1. Kodin e E-Referimit për shërbimin përkatës, në të cilin është përcaktuar data dhe orari i konsultës.
  2. Rekomandimin e Mjekut Specialist të Qendrës Shëndetësore apo Spitalit Rajonal të rrethit (Rekomandimi duhet të përmbajë vulën e Mjekut Specialist dhe vulën e Qendrës Shëndetësore )

P.S Kur specialisti mungon të specifikohet në rekomandim që mungon mjeku specialist)

  1. Setin e ekzaminimeve të kryera paraprakisht në rrethin përkatës.
  2. Kujdes! Nëse pacienti e ka të pamundur nga ana shëndetësore për tu paraqitur vetë në konsultë, kjo pamundësi duhet të shprehet në Rekomandim nga mjeku specialist shoqëruar me vulën e mjekut specialist dhe në vend të tij paraqitet familjari i autorizuar.

Pas konsultës me mjekun në QSUNT, pacienti pajiset me recetën për ilaçet e rimbursueshme me vulën e mjekut të QSUNT-s dhe vulën e Qendrës të Konsultave Ambulatore si hapi përmbyllës i konsultës.

Kur pacientit i rekomandohet një Bar i Listës së Barnave që Rimbursohen nga FSDKSH drejtohet tek Mjeku i Familjes në QENDRËN SHËNDETËSORE të rrethit e më pas në Farmacitë që kanë kontratë me FSDKSH për tërheqjen e ilaçeve të rimbursueshme.

PACIENTËT QË MARRIN ILAÇE NGA LISTA E BARNAVE TË RIMBURSUESHME SPITALORE PRANË FARMACISË SË RIMBURSIMIT NË QKA,  DUHET TË:

  1. Kenë bërë më parë konsultën me mjekun specialist të QSUNT dhe ai ju jep recetën elektronike të gjeneruar nga sistemi e-barna.
  2. Me këtë recetë pacienti paraqitet pranë zyrës së DAPSHET (Drejtoria e Administrimit të Paketave Shëndetësore dhe Egzaminimeve Terciare) pranë QKA, të cilët bëjnë verifikimet e duhura dhe e vulosin atë.
  3. Më pas pacienti paraqitet në Farmacinë e Barnave të Rimbursueshme së bashku me kartën e identitetit për të marrë barin e përshkruar në recetën e rimbursimit.

PACIENTËT QË REFEROHEN PËR SHTRIM NË QSUNT:

Kur pacientëve që bëjnë konsultë pranë QKA, mjeku konsulent ju rekomandon shtrim në QSUNT, ata duhet të pajisen me RECETËN AMBULATORE (RECETA E KUQE), në të cilën infermierja  ka shënuar edhe datën e shtrimit të planifikuar. Nëse pacientit i rekomandohet një ndërhyrje operatore, ai duhet të kryejë edhe konsultën me mjekun anestezist. Data e shtrimit do tju komunikohet nga sekretaria e Shërbimit ku pacienti do të shtrohet pasi të vendoset në mbledhjen me Shefin e Shërbimit.

Në ditën kur është caktuar shtrimi, prej orës 8.00-9.30, pacientët duhet të paraqiten për kryerjen e procedurave të hapjes së Kartelës së Shtrimit, në spitalin e caktuar, me dokumentacionin përkatës:

  1. Kartën e Identitetit.
  2. Rekomandimin e brendshëm të marrë në QKA,
  3. Recetën Ambulatore (Recetën e Kuqe të lëshuar nga QKA) ,
  4. Ekzaminimet që ka kryer,
  5. Të jetë përgatitur për shtrim sipas rekomandimeve të mjekut (këshillat rreth ushqyrjes, përgatitjes psikologjike, higjiena personale, përgatitja e traktit tretës kur rekomandohet, etj)