Përfundon rikonstruksioni i godinës së Shërbimit të Neurologjisë

27/01/2015

Autonomi spitalore dhe kalim i administrimit të spitaleve nga ministria tek trupa e mjekëve do të jetë modeli i ardhshëm i organizimit spitalor. Ky objektiv i reformës strukturore në shëndetësi u bë sot publik nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa ndodhej në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku u përurua rikonstruksioni dhe pajisja e repartit të neurologjisë.

Kryeministri që shoqërohej në këtë inspektim nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, theksoi se autonomia spitalore do të jetë reforma më e rëndësishme strukturore që synon miradministrimin e spitaleve nga vetë ata që qëndrojnë më pranë pacientëve.

“Këtu mund të shohim edhe bazën solide të asaj që do të jetë reforma më e rëndësishme strukturore dhe që do të garantojë autonominë spitalore. Pra, kalimi i fateve të administrimit të spitaleve nga duart e ministrisë dhe të qeverisë në duart e trupës që është në frontin e betejës me sëmundjen dhe që jo vetëm duhet të zbatojë, por duhet të projektojë dhe të ketë në dorën e vet, mundësinë që projektet e veta t’i financojë me vendimmarrjen e vet autonome.” – u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministri vizitoi disa nga shërbimet e Spitalit Neurologjik që pas rikonstruksionit plotësojnë standardet bashkëkohore për trajtimin e kësaj tipologjie sëmundjeje. Në shërbimin e konsultave ambulatore, Kryeministri u bë dëshmitar i trajtimit të një rasti urgjence nga spitali rajonal i Vlorës rast, i cili u zgjidh nga mjekët e specializuar të këtij spitali falë teknologjisë së shkëmbimit të imazheve ose telestrokës. Kryeministri u ndal edhe në shërbimin e rehabilitimit fizik, ku struktura e fizioterapisë për të parën herë shfaqet me një palestër moderne, të mirëpajisur që së bashku me elementë të tjerë do të sjellë përmirësimin dhe riaftësimin në një kohë më të shkurtër të pacientëve me probleme si pasojë e sëmundjeve neurologjike. Në këtë shërbim është vendosur për të parën herë “acces control” për personelin, duke mundësuar kështu dhe monitorimin e kohës së punës në shërbim.

Shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë Mentor Petrela i vlerësoi kushtet e reja që ofron ky shërbim vetëm me një fjali “Një normë europiane”.  Ndërsa neurologia Jera Kruja, me një përvojë të gjatë, mbi tre dekada, në këtë shërbim u shpreh e entuziazmuar për atë çka përfaqëson e ofron spitali sot.

“Vitet e fundi kishte ardhur një moment që spitali kishte arritur në një nivel shumë të ulët shërbimi përsa i përket strukturës. Ne do të mundohemi ta mirëmbajmë me të gjithë stafin tonë,” – u shpreh mjekja neurologe.

Drejtoresha e QSUT-së Ogerta Manastirliu e cilësoi Shërbimin e Neurologjisë një shembull i modelit dhe i vizionit të qeverisë për administrimin spitalor.

“Është një spital që ofron kushte dhe standarde bashkëkohore jo vetëm nga infrastruktura, por edhe nga modeli i administrimit dhe vizionit që ne kemi implementuar në këtë spital, për mënyrën sesi ne duam të menaxhojmë pacientët, që ata të kenë dhe t’u ofrohen të gjitha shërbimet me cilësi. Ky është modeli që ne duam të zhvillojmë për gjithë shërbimin tonë spitalor,” – tha Manastirliu.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama nënvizoi se ndryshimi që sjell ky Shërbim është i prekshëm, ndërsa e quajti si nga pikëpamja e infrastrukturës dhe e organizimit, modeli i të nesërmes për të gjithë shërbimin spitalor shqiptar.

“Ky është një model i prekshëm për atë që ne mund dhe do të bëjmë për shërbimin tonë spitalor, duke e nisur nga kjo qendër spitalore universitare ku pa as më të voglin ndryshim, çdo strukturë do të jetë si kjo strukturë. Praktikisht, norma europiane, e konsoliduar për nga pikëpamja e infrastrukturës dhe e organizimit në këtë strukturë, do të jetë një normë europiane e konsideruar në të gjitha strukturat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ndërkohë që, pa as më të voglin dyshim, duke qenë se këtu është bërë më në fund, një punë pa hile, një investim pa hile, një përfshirje pa hile e të gjithë aktorëve të përfshirë në projekt, që nga ata që kanë zbatuar projektin e ndërtimit deri tek ata që kanë ndërtuar dhe po implementojnë këtë organizim të ri, sot është dita për të thënë ja ku jemi dhe ja ku e kemi të prekshme atë që do të jetë nesër, për gjithë njerëzit në nevojë, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në të gjitha strukturat e veta. Por si çdo gjë që kërkon kohë, kjo do të kërkojë kohën e vetë. Por, koha që do të kërkojë do të jetë shumë më e shkurtër se koha e humbur në gjithë këto vite degradimi, rrënimi dhe bastardimi të shërbimit spitalor dhe braktisjeje të mjekëve, të infermierëve e të gjithë trupës që ka punuar me heroizëm në gjithë këto vite, në mungesë të plotë të një organizimi dhe të një administrimi, ashtu siç duhet,” – u shpreh Kryeministri, pasi vizitoi ambientet e rikonstruktuara.

Spitali Neurologjik është ndërtuar në vitin 1978. Tashmë, Shërbimi i Neurologjisë është jo vetëm i rikonstruktuar, por dhe i pajisur me hotelerinë e nevojshme për funksionim. Dhomat e pacientëve plotësojnë një tjetër standard bashkëkohor, sikundër organizimi i recepsioneve  është një tjetër standard i vendosur që lehtëson marrjen e shërbimit në kohë dhe me cilësi nga pacientët.

 

Posted in Lajme by admin qsut