Aksidentet Cerebrovaskulare
DSHM Drini Dobi, Shef i Shërbimit Neurovaskular (Stroke dhe Post Stroke), QSUNT
Data 29 Tetor njihet në gjithë botën si Dita Botërore e Stroke. Aksidentet cerebrovaskulare (Stroke) kanë një rëndesi të veçantë si për mirëqenien fizike edhe për ekonominë, pasi përbëjnë shkakun e dytë më të zakonshëm të vdekshmërisë dhe shkakun kryesor të invaliditetit në rang botëror. Ato mund të prekin këdo, rreth ¼ e njerëzve do të pësojë një aksident cerebrovaskular gjatë jetës së tyre, rreth 14.5 milion këtë vit sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetesisë.
Në aksidentet cerebrovaskulare përfshihen Ishemitë dhe Hemoragjitë cerebrale. Ishemia i referohet demtimit të qelizave të trurit nga bllokimi i enëve të gjakut, gjë që çon në mungesën e furnizimit me gjak e oksigjen të trurit. Hemoragjitë cerebrale i referohen çarjes së një ene gjaku me pasojë rrjedhjen e gjakut në tru. Këto sëmundje shkaktojnë invaliditet të lartë jo vetëm për shkak të kufizimit të levizshmërisë nga paraliza, po edhe duke qënë shkaku i dytë me i zakonshem i demencës.
Duke parë shpeshtësinë e gravitetin e këtyre sëmundjeve dhe nevojën për monitorim e kujdes të specializuar, në Qendren Spitalore “Nënë Tereza” është krijuar Shërbimi Neurovaskular në të cilin trajtohen çdo vit mbi 1000 pacientë me sëmundje cerebrovaskulare. Në këtë Shërbim për herë të parë në Shqipëri që nga viti 2016, është mundesuar realizimi i procedurës së trombolizës intravenoze që është i vetmi trajtim medikamentoz për ishemitë cerebrale që tenton të zhbllokoje enët e bllokuara në orët e para të sëmundjes, para se të jetë instaluar dëmi. Në sajë të identifikimit e diagnostikimit të hershëm që në Urgjencë të kandidatëve për këtë trajtim, kjo procedure është aplikuar në qindra pacientë me rezultate të krahasueshme me ato të qendrave bashkëkohore perëndimore duke reduktuar vdekshmerinë e invaliditetin në këta pacientë. Për sa i përket aksidenteve cerebrovaskulare hemoragjike, një kujdes i veçantë i kushtohet ndalimit të rrjedhjes së mëtejshme duke eliminuar faktorët shkaktarë si hipertensioni apo probleme të koagulimit, si dhe duke identifikuar keqformimet vaskulare të cilat mund të trajtohen në bashkëpunim me Shërbimin e Neurokirurgjisë.
Përveç trajtimit në fazën akute, një rëndësi të veçantë i kushtohet për pacientët e trajtuar në Shërbimin Neurovaskular, kërkimi i faktorëve, shkaktarët e aksidenteve cerebrovaskulare e parandalimi i përsëritjeve të tyre apo komplikacioneve të tjera. Gjithashtu në këtë shërbim ofrohen hapat e para për rehabilitimin e hershëm të pacientëve në mënyrë që të reduktohet invaliditeti e të mundesohet integrimi i mëvonshëm i tyre në familje e shoqëri.
Pavarësisht punës së palodhur të personelit të këtij Shërbimi dhe përparimeve të bëra në trajtimin e këtyre sëmundjeve, Stroke mbetet një semundje e rëndë e invalidizuese, arsye për të cilën stafi ynë dëshiron t’ju kujtoj të gjithëve që trajtimi më i mirë është parandalimi. Kjo arrihet duke identifikuar e trajtuar faktorët e rrezikut si hipertensioni, diabeti, kolesteroli i lartë si edhe duke i kushtuar rëndësinë e duhur stilit të jetësës duke ndërprerë duhanin, jetësës aktive, rënies në peshë e ngrënies në mënyrë të shëndetshme. Statistikat tregojnë që vetëm duke respektuar këto parime rreth 80% e aksidenteve cerebrovaskulare janë të parandalueshëm. Për këtë arsye ka rëndesi që kjo ditë të shërbejë për t’u ndërgjegjësuar mbi atë që mund të bëjmë të gjithë për të shmangur pasojat e këtyre sëmundjeve.