Çrregullimi i pamjaftueshmërisë së vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD)

Intervistë me D.SH.M Sonila Tomori, Mjek Psikiatër për fëmijë e adoleshentë pranë Shërbimit të Pediatrisë së Specialiteteve I, QSUNT.

Thelbi i diagnozës së çrregullimit të pamjaftueshmërisë së vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD) është prania e sjelljeve të papërshtatshme, me nivel të lartë të pavëmendjes, aktivitet i tepruar dhe impulsivitetit.Këto probleme ndodhin në kombinime të ndryshme në individë të ndryshëm, nëshkallëtë ndryshme e lloje të ndryshme të problemeve shoqëruese të këtij çrregullimi.

Le ti shpjegojmë me rradhë:

Pavëmendja i referohet stilit të sjelljes, përfshirë çorganizimin dhe pamundësinë e vazhdimësisë së më tepër sesa një procesi psikologjik, që del në pah prej testeve të vëmendjes. Paraqitja e saj, merr forma të ndryshme në mosha të ndryshme dhe ndikimi i saj ndryshon sipas kërkesës që bën ambienti për vëmendje. Sjelljet mund të shihen me vëzhgim të drejtpërdrejtë (të paktën në fëmijëri), nëse ky vëzhgim ndodh në vendin e duhur. Me hyrjen në moshën e pjekurisë, vëmendja e varfër shpesh bëhet aspekti më i spikatur i gjendjes. Aktiviteti i tepruari referohet thjesht një shtimi të lëvizjeve. Shpesh është problemi më madhor në fëmijërinë e hershme, por më i parëndësishmi në jetën adulte. Tiparet e tij janë statistikisht të lidhura ngushtë me impulsivitetin dhe shpesh futen brenda një termi, atij të “hiperaktivitetit”. Impulsiviteti nënkupton të vepruarit pa u menduar. Ky është shpesh një aspekt që i fut të rinjtë në telashe, ose që irriton njerëzit e tjerë. Sidoqoftë, në fëmijërinë e hershme dhe ndoshta pak më vonë, këto tipare të impulsivitetit mund të jetë e vështirë të ndahen prej tipeve të tjera të sjelljes opozicionale. Mungesa e qartësisë mbi rregullat sociale, ose rezistenca me inat ndaj të rriturve, mund të jenë të tjera shkaqe për thyerjen e rregullave. Sigurisht që edhe tek fëmijët e tjerë mund të vihen re pavëmendja, aktiviteti i shtuar dhe impulsiviteti. Identifikimi diagnostik duhet të bëhet bazuar në shkallën, ashpërsinë dhe qëndrueshmërinë e sjelljeve si dhe në ndikimin që ato kanë në përshtatjen sociale.

Sa e shpeshtë është ADHD-ja?

Studime të ndryshme për ADHD-në në popullatën e moshës së fillores tregojnë se ajo haset 3% – 8% në popullata të ndryshmedhe prek rreth 1% të popullatës shkollore. ADHD-ja është një çrregullim i zakonshëm, veçanërisht tek djemtë. Raporti djem vajza varion prej 3:1 në popullatën joklinike dhe 9:1 në atë klinike (McCracken, 2000). Për të shmangur diagnostikimin e tepërt të ADHD-së, vlerësimi për këtë çrregullim duhet bërë nga specialistët, si psikiatër për fëmijë apo dhe pediatër neurolog.

A mund të themi se çdo fëmijë i lëvizshëm është hiperaktiv?

Sigurisht që jo!

Fëmijët që janë mjaft aktivë dhe të vështirë për t’u përballuar në klasë, mund të diagnostikohen dhe të trajtohen gabimisht për ADHD. Disa prej këtyre fëmijëve aktivë mund të jenë nën ndikimin e stresorëve psikosocialë në shtëpi, të vuajnë prindërimin e papërshtatshëm, apo ndonjë sëmundje tjetër psikiatrike.

Cilat janë shkaqet që cojnë në shfaqjen e ADHD tek fëmija?

Ndonëse ka mjaft studime kërkimore, shkaqet përfundimtare të ADHD-së mbeten të panjohura. Ka shumë mundësi të jetë një kombinim faktorësh, të tillë si: toksinat ambientale, ndikimet prenatale, trashëgimia, si dhe dëmtimi i strukturës trunore dhe funksionit të tij. Ekspozimi prenatal ndaj alkoolit, duhanit dhe plumbit, si dhe kequshqyerja e rëndë në fëmijërinë e hershme, rrit gjasat për shfaqjen e ADHD-së.

A është ADHD gjenetike?

Përgjigja është e ndërlikuar.
Klinicistët dhe kërkuesit shkencorë bien dakort që ADHD është gjenetike, po ashtu është një crregullim me trashëgueshmëri të lartë ose me fjalë të tjera mendohet se rreth 80% e rasteve kanë transmetim familjar.Duhet patur parasysh se nëse njëri prind ka ADHD, ka rreth 20 deri në 25% mundësi që edhe fëmija i tyre të ketë ADHD. Megjithatë mjekët ende nuk e dinë me saktësi se cilat janë gjenet që e shkaktojnë këtë çrregullim.

Faktorët e riskut për ADHD-në përfshijnë:

  • histori familjare për ADHD pra praninë e ADHD-së në familje, të tjerë anëtarë të familjes janë diagnostikuar me ADHD;
  • të afërm meshkuj me çrregullim të personalitetit antisocial;
  • të afërm femra me çrregullim somatizimi;
  • status social ekonomik të ulët;
  • të qenit mashkull,
  • prani e konflikteve martesore apo familjare si divorci, neglizhimi, abuzimi apo mungesa e prindërve;
  • pesha e ulëte fëmijës në lindje
  • prani e lloje të ndryshme të insulteve trunore.

Vlerësimi për një fëmijë me ADHD

Gjatë vlerësimit mjeku mbledh informacion nga prindërit e fëmijës, nga edukatoret e kopshtit (nëse ka mundësi), nga mësuesit dhe nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë. Vlerësimi i fëmijës kur është mes moshatarëve jep të dhëna mjaft të dobishme, për arsye se sjellja e fëmijës mund të jetë e ndrydhur, ose e ndryshme në ndërveprimin vetëm me mjekun. Kur bisedon me prindërit është e dobishme të përdoret një listë me simptomat ose sjelljet target, që shfaq fëmija. Prindërit mund të raportojnë se fëmija i tyre ka qenë gërnjar dhe ka patur probleme, që kur ishte bebe. Ose ata mund të mos kenë vënë re ndonjë sjellje hiperaktive, derisa fëmija arriti moshën e kopshtit ose të shkollës. Fëmija probabilisht ka vështirësi në të gjithë fushat madhore të jetës, si shkolla apo loja dhe shfaq sjellje tepër aktive deri të rrezikshme në shtëpi. Shpesh prindërit thonë se fëmija është “jashtë kontrollit” dhe ndihen të paaftë ta përballojnë këtë sjellje. Prindërit mund të tregojnë për përpjekjet e tyre të pasuksesshme për të disiplinuar fëmijën ose për t’i ndryshuar sjelljen atij.

ADHD-ja është kronike. Qëllimet e trajtimit përfshijnë menaxhimin e simptomave, uljen ehiperaktivitetit dhe impulsivitetit dhe rritjen e vëmendjes së fëmijës, në mënyrë që ai të rritet e të zhvillohet normalisht. Trajtimi më i efektshëm është skema që kombinon farmakoterapinë me indërhyrjet bihejviorale, psikosociale dhe edukative (Pary et al., 2002).

Psikofarmakologjia

Medikamentet shpesh janë të efektshme në uljen e hiperaktivitetit dhe impulsivitetit. Ato gjithashtu përmirësojnë vëmendjen, gjë që bën të mundur që fëmija të marrë pjesë në jetën shkollore e familjare. Medikamentet më të përdorshme janë metilfenidati (Ritalin) dhe një përbërës i amfetaminës (Adderall) (Lehne, 2001; McCracken, 2000a). Metilfenidati është i efektshëm në 70-80% të fëmijëve me ADHD; ai zvogëlon hiperaktivitetin, impulsivitetin dhe luhatjet e humorit, si dhe ndihmon fëmijën të ketë vëmendje më të mirë. Dextroamfetamina (Dexedrina) dhe Pemoline (Cylert) janë stimulantë të tjerë që përdoren për trajtimin e ADHD-së. Efektet më të zakonshme të këtyre barnave janë pagjumësia, humbja e oreksit dhe rënia në peshë ose pamundësia për të shtuar në peshë. Metilfenidati, dextroamfetamina dhe përbërësit e amfetaminës janë prodhuar në formën e ilaçeve me lëshim të ngadaltë që merret një herë në ditë; gjë që eleminon nevojën për marrje të shumë dozave, ndërsa ndodhet në shkollë.

Kur stimulantët nuk janë të efektshëm, ose efektet e tyre anësore nuk tolerohen, antidepresivët janë zgjedhja e dytë. Atomoxetina (Strattera) është një bar jo stimulant i aprovuar prej FDA (Food and Drug Administration) për trajtimin e ADHD-së. Është antidepresiv, që vepron duke frenuar rikapjen selektive të norepinefrinës. Efektet e padëshiruara më të zakonshme tek fëmijët janë: pakësimi i oreksit, të përzierat, të vjellat, lodhja dhe trazimi i stomakut. Tek të rriturit efektet anësore ishin të ngjashme me ato të antidepresivëve të tjerë, si pagjumësia, goja e thatë, mbajtja e urinës, pakësimi i oreksit, të përzierat, të vjellat, marramendja dhe efekte anësore seksuale.

Strategji të tjera të trajtimit

Medikamentet nuk e përmirësojnë automatikisht përparimin e fëmijës në shkollë, ose krijimin e miqësive të reja. Strategjitë bihejviorale janë të nevojshme për të ndihmuar fëmijën të mësojë sjelljet e përshtatshme. Strategjitë ambientale në shkollë dhe në shtëpi mund ta ndihmojnë fëmijën të jetë i sukseshëm në këto ambiente. Për ta bërë sa më të efektshëm trajtimin e ADHD-së është thelbësor edukimi i prindërve dhe ofrimi i ndihmës ndaj tyre, për të mësuar strategji prindërimi.