Çfarë është pityriasis versicolor?

Prof.Ass Loreta Kuneshka, mjeke dermatologe pranë Shërbimit të Pediatrisë së Specialiteteve 1

Me ardhjen e stinës së verës një nga patologjitë që shtohet në moshën pediatrike është dhe Pitiriazis versikolor (Pityriasis versicolor).

Çfarë është Pityriasis versicolor?
Pityriasis versicolor është një infeksion i zakonshëm i lëkurës, në të cilën shfaqen njolla të zbardhura në gjoks dhe në shpinë.
Ngjyrat e shumta të pityriasis versicolor krijojnë pjesën e dytë të emrit, versicolor. Pityriasis versicolor nganjëherë quhet tinea versicolor, edhe pse termi tinea duhet të përdoret në mënyrë rigoroze për infeksionet e kërpudhave (mykut) dermatofite.
Pityriasis versicolor është më e zakonshme në klimat e nxehta dhe të lagështa sesa në klimat e freskëta dhe të thata. Shpesh prek njerëz që djersiten shumë. Mund të pastrohet në muajt e dimrit dhe të përsëritet çdo verë.
Megjithëse nuk konsiderohet infektive në kuptimin konvencional, pityriasis versicolor ndonjëherë prek më shumë se një fëmijë të një familjeje.

 

Cilat janë tiparet klinike të Pityriasis versicolor?
Pityriasis versicolor prek trungun, qafën dhe / ose krahët, dhe është e pazakontë në pjesët e tjera të trupit. Njollat që krijon mund të jenë ngjyrë kafe bakri, më të zbehtë se lëkura përreth ose rozë. Njollat e zbehta mund të jenë më të zakonshme në lëkurën me më shumë pigment, kjo pamje njihet si pityriasis versicolor alba. Ndonjëherë njollat fillojnë të ashpra si me luspa dhe kafe, dhe pastaj shkojnë në një faze më të lëmuar dhe të bardhë.
Pityriasis versicolor është zakonisht asimptomatike, por në disa fëmijë jep kruarje të lehtë. Në përgjithësi, pjesët e zbehta ose të errëta për shkak të pityriasis versicolor nuk janë më të prirura për djegie nga dielli sesa lëkura përreth.

Si diagnostikohet Pityriasis versicolor?Pityriasis versicolor zakonisht diagnostikohet klinikisht. Sidoqoftë, testet e mëposhtme mund të jenë të dobishme (gjithmonë të vlerësuara nga dermatologu).

 Ekzaminimi me anë të llambës së Wood-it.
 Dermoskopia e pityriasis versicolor
 Mikroskopi duke përdorur hidroksid kaliumi (KOH)
 Biopsia e lëkurës

Përsëritjet e Pityriasis versicolor
Pityriasis versicolor në përgjithësi pastrohet në mënyrë të kënaqshme me trajtimin, por shpesh përsëritet kur kushtet janë të përshtatshme për rishumimin e shkaktarit (malassezisë). Në ata që kanë përsëritje të shpeshta, mund të përshkruhet mjekim për një deri në tre ditë çdo muaj.
Ndonjëherë shenjat e bardha vazhdojnë shumë kohë dhe pasi pacienti është i shëruar. Kjo nuk do të thotë që mjekimi duhet të vazhdoj.