Çfarë është radioterapia e gjirit
Radioterapia është trajtim me energji të lartë rrezatimi (siç janë rrezet X) apo grimca që shkatërrojnë qelizat e kancerit. Ky lloj trajtimi është një mënyrë shumë e saktë dhe mjaft efektive për shkatërrimin e qelizave të kancerit të gjirit që mbeten pas kirurgjisë. Radioterapia është lehtësisht e tolerueshme dhe efektet anësore të saj janë të kufizuara tek zona e trajtuar. Shumë femra me kancer të gjirit, përveç trajtimeve të tjera,kanë nevojë për trajtim me radioterapi. Kjo nevojë përcaktohet duke konsideruar llojin e kirurgjisë së kryer më parë, përhapjen e kancerit në pjesët e trupit, si dhe moshën e pacientit.
Ka dy mënyra rrezatimi që përdoren për të trajtuar kancerin e gjirit:
Rrezatim i jashtëm : Ky lloj rrezatimi kryhet nga një aparat jashtë trupit.
Rrezatim i brendshëm : Për këtë lloj trajtimi burimi radioaktiv vendoset brenda trupit apo në kontakt me të për një kohë të shkurtër.
Kur mund të përdoret Radioterapia në kancerin e gjirit
Radioterapia ka një rol të rëndësishëm në trajtimin e të gjitha stadeve të kancerit të gjirit sepse është tepër efektive dhe relativisht e sigurt. Ky trajtim mund të jetë i përshtatshëm për pacientët me kancer gjiri nga stadi 0 deri në stadin III pas kirurgjisë. Por radioterapia mund të jetë shumë e dobishme edhe për pacientëtme stad të IV të sëmundjes, kur kanceri është përhapur në pjesë të tjera të trupit.
Radioterapia përdoret për qëllime dhe funksione të ndryshme, në varësi të situatës së pacientit:
Pas kirurgjisë konservative të gjirit për të reduktuar mundësinë që kanceri të përsëritet në gji apo tek limfonodujt përreth.
Pas kirurgjise radikale, veçanërisht nëse tumori ka qenë më i madh se 5 cm, ose kur kanceri është përhapur deri tek limfonodujt,për të reduktuar mundësinë e përsëritjes së sëmundjes.
Tek pacientët e stadit të IV të sëmundjes për të trajtuar metastazat e përhapura në pjesë të tjera të trupit, siç janë kockat apo truri.
Rrezatimi i jashtëm është lloji më i zakonshëm i rrezatimit që përdoret për të trajtuar kancerin e gjirit. Ky trajtim bëhet i mundur nëpërmjet një aparature që fokuson rrezatimin tek zona e prekur nga kanceri. Që prej vitit 2016 në QSUT është e disponueshme teknologjia e rrezatimit me akselerator linear sipas standardeve bashkëkohore.
Cilat zona kanë nevojë për rrezatim varet nëse pacientja ka kryer kirurgji radikale apo konservative të gjirit, dhe nëse kanceri është përhapur ose jo tek limfonodujt përreth
Nëse pacientja ka kryer kirurgji radikaledhe asnjë nga limfonodujt përret nuk është prekur, rrezatimi fokusohet tek muri i kraharorit, zona e interventit dhe vendi ku është vendosur dreni pas kirurgjisë.
Nëse pacientja ka kryer kirurgji konservative të gjirit, do t’i nënshtrohet rrezatimit të gjithë gjiri, dhe një mbidozimi në zonën e gjirit ku është hequr tumori për të ndihmuar parandalimin e rikthimit të sëmundjes në atë zonë. Mbidozimi jepet zakonisht pas përfundimit të trajtimit të gjithë gjirit. Përdoret e njëjta aparaturë me sasi më të ulëta rrezatimi, por tufa e rrezeve në këtë rast fokusohet tek shtrati i tumorit. Mjaft femra nuk shikojnë efekte të ndryshme anësore nga mbidozimi krahasuar me rrezatimin e gjithë gjirit.
Nëse kanceri është gjetur tek limfonodujt aksilarë (nën sqetull), kjo zonë gjithashu mund të rrezatohet.
Kur duhet të ndodhë trajtimi me Radioterapi
Nëse pacientja pas kirurgjisë ka nevojë për rrezatim të jashtëm, zakonisht kryhet pasi plaga të jetë shëruar (shpesh zgjat rreth një muaj). Gjithashtu nëse pacientja po kryen kimioterapi, trajtimi me Radioterapi shtyhet deri në përfundim të kimioterapisë.
Përgatitja për procesin e rrezatimit të jashtëm
Përpara se të filloni trajtimin, stafi i Radioterapisë do të vendosë me kujdes këndet korrekte, tufat dhe dozën e duhur të rrezatimit. Ata më pas do të bëjnë disa shenja me bojë ose tatuazhe të vogla në formë pikash mbi lëkurë me qëllim fokusimin e rrezatimit në zonën e duhur. Duhen kontrolluar nga stafi i kujdesit shëndetësor nëse shenjat do të jenë permanente. Rrezatimi i jashtëm ngjan me rrezet x, por në këtë rast rrezatimi është më i fuqishëm. E gjithë procedura është pa dhimbje. Çdo trajtim zgjat disa minuta, por koha e përgatitjes zakonisht për trajtim zgjat më tepër.
Tipet dhe skemat e rrezatimit të jashtëm të gjirit:
Skemat tradicionale për kryerjen e rrezatimit të gjithë gjirit kanë qenë 5 ditë në javë (e hënë – e premte) për rreth 5-6 jave. Por aktualisht, mjaft doktorë përdorin rrezatimin e përshpejtuar të gjirit (accelerated breast irradiation), pra në pacientë të zgjedhur japin dozë më të madhe ditore për një kohë më të shkurtër.
Efektet anësore të mundshme të rrezatimit të jashtëm
Efektet anësore afatshkurtra të rrezatimit të gjirit janë:
- Edema e gjirit
- Ndryshime të lëkurës në zonën e trajtuar të ngjashme me djegien e diellit (skuqje, rrjepje dhe errësim i ngjyrës së lëkurës)
- Lodhje
Mjeku juaj mund t’ju këshillojë që të mos ekspozoni pjesën e trajtuar në diell pasi mund të përkeqësojë gjendjen e lëkurës tuaj. Pjesa më e madhe e ndryshimeve të lëkurës mund të përmirësohen brenda disa muajve por mund të zgjasin deri në një vit ose më gjatë.
Rrezatimi i jashtëm mund të shkaktojë gjithashtu efekte anësore të vonshme:
- Radioterapia mund të ndikojë në opsionet për të kryer rikonstruksion të gjirit në fazat e mëvonshme. Mund të rrisë rrezikun e problemeve pas rikonstruksionit, veçanërisht procedurës me flap.
- Femrat që janë trajtuar me Radioterapi të gjirit mund të kenë probleme të mëvonshme me ushqyerjen me gji.
- Rrezatimi i gjirit ndonjëherë mund të dëmtojë nervat e krahut mund të çojë në mpirje, dhimbje dhe dobësi të shpatullës, krahut dhe dorës.
- Rrezatimi i limfonodujve në zonën e nën krahut (sqetull) mund të shkaktojë limfedemë, dhimbje dhe edemë të krahut dhe kraharorit.
- Në raste mjaft të rralla, Radioterapia mund të zbusë brinjët, e cila mund të çojë deri në frakturë të tyre.
- Në të kaluarën, pjesë të mushkërive dhe zemrës ishin më të ekspozuara ndaj rrezatimit, gjë që mund të çonte në dëmtime afatgjata të këtyre organeve tek gratë. Pajisjet e Radioterapisë moderne lejojnë mjekët radioterapeut të fokusojnë më mirë tufat e rrezatimit, pra këto probleme janë të rralla në ditët e sotme.
Kujdesi për lëkurën
Është e rëndësishme që pacientja të kujdeset për lekurën gjatë trajtimit. Kjo do të ndihmojë parandalimin e infeksioneve, reduktimin e dhimbjeve dhe do të rrisë komfortin e pacientes në zonën e trajtuar. Zakonisht jepen këshilla specifike për kujdesin e lëkurës nga mjeku radioterapeut dhe stafi i tij. Pjesa më e madhe e qendrave të Radioterapisë japin këshilla në vijim:
- Larja e kujdesshme e zonës së trajtuar me ujë të vakët duke përdorur një sapun delikat dhe të butë.
- Tharja e lëkurës me një peshqir të butë.
- Rekomandohet dushi në vend të vaskës.
- Përdorimi i deodoranteve pa parfum
- Përdorimi i një ushqyesi delikat për ta mbajtur lëkurën të butë.
- Nëse pacienti do të përdorë ndonjë trajtim tjetër duhet të diskutojë me mjekun paraprakisht.
- Evitimi i ekspozimit të zonës së trajtuar ndaj temperaturave ekstreme si shishe me ujë të nxehtë, jastëk me korent, sauna ose qese me akull.
- Evitimi i ekspozimit të zonës së trajtuar ndaj rrezeve të diellit gjatë dhe pas trajtimit me Radioterapi deri në momentin që reaksionet e lëkurës së pacientes janë zhdukur. Përdorni mbrojtës solarë me faktor të lartë. Aplikojeni atë edhe poshtë rrobave pasi është e mundur që të digjeni nga dielli nëpërmjet disa veshjeve.
- Pacientët mund të duan të evitojnë notin gjatë trajtimit dhe për një periudhë pas tij (deri në shërimin e reaksioneve të lëkurës) pasi rrobat e banjës mund të irritojnë lëkurën dhe të shkaktojnë diskomfort. Gjithashtu kimikatet në një pishinë mund ta thajnë dhe ta irritojnë lëkurën tuaj.
- Për shkak se irritimi ose kruarja mund të shkaktojnë ose përkeqësojnë reaksionin e lëkurës rekomandohet veshja e të brendshmeve të buta dhe të pambukta. Pacientet gjithashtu këshillohen të mos veshin të brendshme me fortesa derisa lëkura të shërohet.
Nëse zhvillohet një reaksion i lëkurës atëherë ai duhet të shërohet brenda tre-katër javesh nga trajtimi i fundit. Nëse nuk shërohet gjatë kësaj kohe ose ju keni një reaksion më të ashpër si rrjepja e lëkures apo flluskëzimi, atëherë kontaktoni me mjekun tuaj për këshilla të mëtejshme.
Dr.Orges Spahiu, mjek Onko-Radioterapeut në QSU “Nënë Tereza”