Humbja e dëgjimit: simptomat, shkaqet dhe trajtimi 

Prof. Dr. Suela Sallavaci mjeke ORL, Spitali Francez, QSUNT

Cfarë është humbja e dëgjimit?

Ulja e dëgjimit (Hypoacusia) konsiston në zvogëlimin e kapacitetit dëgjimor që mund të jetë e njëanshme ose e dyanshme. Patologjitë e dëgjimit paraqesin interes veçanërisht në lidhje me zhvillimin e të folurit ose dëmtime të mundshme të tij.

Ulja e dëgjimit që ndodh në periudhën prenatale,  neonatale, ose në dy vitet e para të jetës, çon në kompromentimin ose në vonesë të të folurit duke shkaktuar çrregullime si të karakteristikave fizike të zërit (lartësia tonale, intensiteti,  timbri dhe kohëzgjatja) ashtu edhe në artikulimin e fjalës.

Në qoftë se ulja e dëgjimit ndodh në një moshë më të rritur, si psh: 8-10 vjeç, atëherë do kishim kompromentim vetëm  të karakteristikave fizike të zërit.

  Sa lloje humbje dëgjimi kemi?

Humbjet e dëgjimit i ndajmë në:

Uljet e dëgjimit konduktive i detyrohen transmetimit jo korrekt të tingullit që nga llapa e veshit deri tek veshi i brendshëm (Cochlea). E gjejmë në patologjitë e veshit të jashtëm dhe të mesëm.

Uljet e dëgjimit sensorineurale përfshijnë veshin e brendshëm (Cochlean) dhe nervin e dëgjimit dhe mund të prekin qelizat receptore sensitive, neuronet e nervit statoacusticus duke i penguar të funksionojnë normalisht. Në këto raste ulja e dëgjimit quhet humbje e dëgjimit.

Ulja e dëgjimit mikse është ajo formë e uljes së dëgjimit ku kemi elemente sensorineural dhe  transmetues (psh. otoskleroza).

 Kur shfaqet dhe cilët janë shkaktarët e humbjes së dëgjimit?

  1. Humbja e dëgjimit tekfëmijët e vegjëlmund të shfaqet në këto periudha të jetës:

 

  1. prenatale(para lindjes), shkaktohen nga patologji gjenetike ( të cilat transmetohen në mënyrë autozomale recesive ose autozomale dominante, etj); disa patologji infektive që kalon nëna si rubeola, toksoplazma, citomegalovirusi, infeksione virale etj. Uljet e dëgjimit të tipit të rëndë në këto raste nëse nuk diagnostikohen në kohë çojnë në pamundësi të vendosjes së të  folurit dhe gjuhës dhe për pasojë në problematikë të integrimit të fëmijëve në jetën sociale.
  2. Perinatale(gjatë proçesit të lindjes), shkaktohen si pasojë e prematuritetit, fëmijët nën peshë, ikteri neonatal, papajtueshmëritë e faktorit Rh etj.
  3. Post natale(pas lindjes) shkaktohen nga patologji të tilla si: rubeola, Meningoencefalitet, parotitet, përdorimi i medikamenteve ototoksike dhe trauma të kokës me fraktura të kockës temporale etj.

 

  1. Tek femijët pas moshës 2 vjeçare mund të shfaqen secila nga të tre format e uljes së dëgjimit. Kryesisht në moshat e vogla hasim më tepër ulje të dëgjimit transmetues që i detyrohen patologjive  të veshit të mesëm, si pasojë e  infeksioneve të shpeshta të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Bazuar në të dhënat e mësipërme duhet të jemi mjaft të kujdesshëm në diagnostikimin e hershëm. Mënyra më e mirë është depistimi neonatal të paktën i fëmijëve të porsalindur që kanë risk për hypoacusi (anamneze familjare për hypoacusi; infeksione të nënës apo ekspozim i nënës ndaj substancave toksike gjatë shtatëzanisë; fëmijë prematurë; hiperbilirubinemia etj). Depistimi neonatal ka disa vite që realizohet në disa maternitete të Shqipërisë. Puna jonë e vazhdueshme drejtohet drejt realizimit të depistimit të çdo fëmije shqiptar.

  1. Tek të rriturit mund të hasen të gjitha format e uljes së dëgjimit por më të rëndësishmet janë format sensorineurale. Këto patologji mund të kenë shkaqe të ndryshme. Tre janë patologjitë më të shpeshta që hasim:
  2. Patologjitë që vijnë si pasojë e rritjes dhe ndryshimit të moshës (Presbiacusia). Shkaqet e humbjes së dëgjimit mund të jenë me natyrë gjenetike që shfaqet në disa breza; si pasojë e ekspozimit të vazhdueshëm ndaj zhurmave;  vaskulare si pasojë e ishemisë kronike nga arteroskleroza etj.
  3. Patologjitë ku ulja progresive e dëgjimit i detyrohet  ekspozimit për kohë të gjatë ndaj tingujve me intesitet të lartë. Ndeshet më shpesh në popullsinë që jeton në zona të industrializuara dhe shpesh është semundje profesionale. (Gjithashtu duhet theksuar që përherë e më tepër gjejmë mosha të reja me këtë patologji si pasojë e përdorimit të kufjeve për të dëgjuar muzikë apo për motive pune). Ekspozimi ndaj zhurmës rrit çlirimin e glutamatit i cili është neurotransmetues ndërmjet qelizave nervore dhe sinapseve të fibrave nervore aferentë, dhe niveli i lartë i këtij neurotransmetuesi ka efekt neurotoksik duke shkaktuar dëmtimin e Cochlesë që shoqërohet pastaj me ulje progresive të dëgjimit.
  4. Shurdhësia e menjëhershmemund të shfaqet papritur në një person i cili nuk ka pasur më parë humbje dëgjimi. Humbja e dëgjimit është përgjithësisht e rëndë. Pas një periudhe ditësh apo javësh, kjo humbje e thellë mund të zvogëlohet dhe në disa raste, zhduket komplet. Zhurma në vesh (Tinitus) mund të jetë present. Ky përfundim klinik i menjëhershëm që shoqërohet me humbje të thellë sensorineurale të dëgjimit është konsideruar që të ketë
  5. Baza vaskulare (Vazospazma vaskulare- emboli vaskulare), por më shpesh.
  6. Sëmundjet virale janë menduar që janë shkak kryesor për të. Është e njohur prej kohësh, psh, që parotiti ( shytat) shkakton humbje dëgjimi unilaterale të thelIa në fëmijë. Ky virus është ndër të vetmit që ndërhyjnë edhe në Cochlea.
  7. Ndryshimi i gjendjes fizike, psh: operacioni, stresi, udhëtimi. 4. Fistula, përgjithsisht të lidhura me aktivitete fizike me rrezikshmëri (zhytje nën uje).
  8. Tumoret – një përqindje e vogël e neuromave mund të shkaktojnë humbje të menjëhershme, ndoshta sipas ototoxicitetit medikamentoz vaskular.
  9. Çrregullime imunologjike.

  Si trajtohet humbja e dëgjimit?

Dëgjimi është një nga shqisat tona më të rëndësishme. Gjëja më e rëndësishme në trajtimin e çdo forme të uljes së dëgjimit është diagnoza sa më e hershme dhe ndjekja nga specialistët.

Trajtimi ka për qëllim  rehabilitimin e dëgjimit.  Vlerësimi i çrregullimeve të dëgjimit në raport me rehabilitimin psiko-social duhet të bazohet jo vetëm në shkallën dhe vendin e humbjes së dëgjimit por edhe në moshën e të sëmurit, zhvillimin fizik, mendor dhe të folurin. Qëllimi i rehabilitimit të dëgjimit është rikuperimi ose përmirësimi i komunikimit i cili është shumë i rëndësishëm për integrimin e pacientit në jetën  sociale. Ka disa  metoda të ndryshme për rehabilitmin e dëgjimit. Cila prej tyre do të aplikohet varet nga natyra dhe shkalla e humbjes së dëgjimit.

  1. Kështu ulja e dëgjimit e tipit transmetues korrigjohet pas trajtimit të duhur të patologjive të veshit të mesëm dhe të jashtëm ( me medikamente dhe ndërhyrje kirurgjikale).
  2. Trajtimi i uljeve të dëgjimit  të menjëhershme përfshijnë vazodilatatoret, steroidet, dhe antihistaminikët, por nuk është përcaktuar përfundimisht se cilat medikamente janë më efikase. Një nga trajtimet më efektive ngelet pushimi dhe largimi i stresit. Në rast se pacienti paraqitet brenda 48 -72 orëve pas humbjes së dëgjimit duhet këshilluar regjimi shtrirë madje edhe hospitalizim dhe sedacion.
  3. Në trajtimin e uljeve të dëgjimit sensorineurale na vijnë në ndihmë
  4. protezimi akustik (aparatet e dëgjimit që bëjnë amplifikimin e tingujve dhe transmetimin e tyre drejt veshit të brendshëm);
  5. Implantimi koklear(është pajisje e cila transformon valët e tingullit në impuls elektrik duke stimuluar drejtpërdrejtë nervin statoakustikus nëpërmjet elektrodave të vendosura në kokle)  dhe 3. Edukimi logopedik. Me kënaqësi them që në Shqipëri tashmë është funksional gjithë zinxhiri i trajtimit të humbjes së dëgjimit. Jemi duke punuar në mënyrë të vazhdueshme për të bërë të mundur që ti ofrojmë ndihmë çdo pacienti në nevojë.

Cilat janë disa këshilla si të ruajmë dëgjimin?

Siç theksova dhe më lart gjëja më e rëndësishme është diagnostikimi sa më i hershëm veçanërisht në moshat fëminore.

Mos ekspozimi ndaj zhurmave dhe ngacmimeve akustike të vazhdueshme dhe veçanërisht me intensitete të larta.

Kujdes në përdorimin e antibiotikëve dhe të preparateve ototoksike.

Trajtimi adekuat i patologjive që mund të çojnë në uljen  e dëgjimit.