Kanceri i gjirit: rëndësia e diagnostikimit të hershëm dhe roli i kirurgjisë në trajtimin e sëmundjes
Dr. Edmond Gashi, Mjek Kirurg Onkolog pranë Njësisë së Kirurgjisë Onkologjike dhe Terapise Intensive
Çfarë është kanceri i gjirit?
Kanceri i gjirit është një nozologji e cila ka një rëndësi shumë të madhe sidomos te gratë, por duke përfshirë edhe burrat, pavarësisht se janë një numër më i vogël.
Kanceri i gjirit, si çdo sëmundje, ka një fillim të hershëm dhe më pas zhvillohet shumë ngadalë. Nuk ka simptoma në këtë fazë, më pas fillon një klinikë e lehtë. Për këtë motiv ne insistojmë te këshilla që pacientët duhet të jenë shumë të kujdësshëm që të kapet në këtë fazë të hershme.
Kanceri paraqitet si një masë në gji, një formacion jo i rrumbullakët, mund të jetë i dhimbshëm ose jo, mund të ketë forma të ndryshme, mund të paraqitet në gjithë kuadratet e gjirit dhe në pjesën e sqetullës, e cila mund të vërehet me palpimin me dorë ose dhe me sy. Pastaj ekzaminimet e tjera bëhen si në kuadër të parandalimit, mamografi dhe ekografi, ose në raste kur rekomandohet nga mjeku specialist. Vetkontrolli i gjirit është i nevojshëm por jo i mjaftueshëm, pra ai duhet të shoqërohet dhe me vizitë të mjekut specialist.
Cili është roli i kirurgjisë për kurimin e kancerit të gjirit?
Së pari dëshiroj të përmbledh mënyrën e diagnostikimit të kësaj sëmundje. Mënyrat për diagnostikimin e kancerit të gjirit janë: palpimi me dorë dhe ekzaminimi nga mjeku specialist. Këtu dua të theksoj faktin se tashmë në të gjithë Shqipërinë ka mjek onkolog të cilët janë specialist të zbulimit të hershëm të sëmundjes, dhe janë ata që referojnë pacientët në Shërbimin Onkologjik, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ekzaminimet kryesore për diagnostikim janë mamografia, ekografia, pastaj në momentin që dyshohet diçka, kryhen ekzaminime specifike derisa arrihet te zbulimi i sëmundjes. Në momentin që kapet patologjia, në varësi të stadit të saj, vendoset strategjia e trajtimit. Shtyllat e strategjisë së trajtimit të këtyre sëmundjeve: kirurgjia, kimioterapia, radioterapia dhe trajtimi hormonal.
Kirurgjia ka një rol shumë të rëndësishëm në stadet e hershme të sëmundjes: në stadin e parë, në stadin e parë (A,B) dhe në stadin e dytë. Në stadin e tretë dhe të katërt në përgjithësi nuk ka rol kirurgjia por futet në lojë kimioterapia si element strategjie.
Kirurgjia ka një rëndësi shumë të veçantë pasi bën heqjen e tumorit, në bazë të disa rregullave që lidhen me vendodhjen e sëmundjes. Puna e pare, përpara se të marrim vendimin për një kirurgji, do të kryhet biopsia e formacionit, për të ditur shkallën e agresivitetit, a ka invasion apo jo linfatik dhe për të ditur çfarë mundësie ka që kjo të ketë bërë metastaza apo diçka tjetër në trupin e pacientit. Për të plotësuar diagnostikim kryhet edhe shintigrafi kockore dhe skaner i të gjithë trupit, për të parë stadin e sëmundjes për të vendosur nëse është e nevojshme të veprojmë në mënyrë kirurgjikale.
Në varësi të përmasave të tumorit mund të kryhen disa lloj nderhyrjesh kirurgjikale: mastektomia radikale dhe diseksion aksilar, kuadrantektomia ose landektomia (ruajtja e gjirit) dhe olastik pa vendosje të trupve të huaj si silikoni, së fundmi janë teknikat e reja të cilat kanë hyrë së fundmi dhe në vendin tonë, mastektomi me vendosje proteze silikoni, që mund të ndërhyet me kirurgji dhe me trajtimet e lartpërmendura. Shumë e rëndësishme është që kjo sëmundje të kapet sa më herët që të mund të ndëryhet me kirurgji.
Çfarë mesazhi të dëshironi të përcillni për gratë?
Në vitet e fundit vihet re tendenca në rritje e moshave të reja të diagnostikuara me kancer të gjirit. Të gjitha femrat duhet të jenë sa më të kujdesshme në vetkontrollin e gjirit. Është shumë i lehtë për tu kryer në dush apo në dhomë, në mënyrën më të thjështë. Këshilloj të kontrollohen, pra sipas një protokolli gjashtëmujor t`u drejtohen qendrave të specializuara, që janë të shumta dhe të mjaftueshme për të kapur dhe trajtuar sëmundjen sa më herët. Sa më herët të kapet kjo sëmundje, aq më i lehtë do të jetë shërimi i plotë i saj.