Intervistë me Shefen e Shërbimit Infektiv, Prof. Najada Çomo
Shërbimi infektiv ka mbajtur peshën më të madhe në luftën kundër Covid-19, si e keni përjetuar ju si drejtuese e këtij Shërbimi?
Shërbimi infektiv u përballua me infeksionin nga Covid-19 që në fund të muajit Shkurt, fillimi i muajit Mars. Rasti i parë u konfirmua duke u gdhirë 9 Marsi dhe ka qënë sigurisht një moment shumë i vështirë për shërbimin tonë, por jo i panjohur. Them jo i panjohur sepse kur epidemia filloi në Wuhan, natyrisht ne filluam të angazhohemi për masat që duhet merrnim në Shërbimin Infektiv. Më pas kur u afrua epidemia dhe në vendin fqinj Itali, ne ulëm dhe bëmë planet tona për përballimin e kësaj fillimisht epidemie dhe më pas pandemie. Natyrisht që përballimi ka qënë shumë i suksesshëm falë masave të marra nga shërbimi që unë drejtoj, pa diskutim në bashkëpunim me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me Drejtorin e QSUNT-së, dhe me gjithë stafin e administrates që kanë qënë krah nesh për të përballuar këtë lloj epidemie. Ju jeni të qartë që pa ardhur rasti i parë u krijua Komiteti Teknin, u krijua edhe Task Forca, të cilët ishin aktorë të rëndësishëm në këtë betejë kundër këtij infeksioni me përmasa globale dhe me një vdekshmëri shumë të lartë.
Sigurisht që përjetimi i menaxhiumit të këtij infeksioni nuk ka qënë lehtë për arsye se jo vetëm unë dhe stafi që drejtoj u përballëm me një sëmundje të re, por përjetimi im personal ka qënë që unë kisha detyrimin t`i shërbeja sa më mire pacientëve, dhe mos harroni kisha detyrimin shumë të madh që të mbroja jetën e personelit ose të kisha sa më pak personel të infektuar nga ky lloj virusi me vdekshmëri shumë të lartë. Andaj përjetimet e mia kanë qënë edhe pozitive edhe negative, por në pjesën më të madhe të rasteve ne ia dolëm të kemi një menaxhim të suksesshëm të situates, jo vetëm nga ana ime por nga gjithë stafi që unë kam nën drejtim dhe duke ditur që kishim një personel të shtuar infermieror dhe sanitar. Të gjitha këto bënë të mundur që ne të vazhdojmë të menaxhojmë me sukses këtë lloj situate në të cilën Shqipëria u ndodh për herë të parë dhe që besoj se po vazhdon të menaxhohet në një mënyrë shumë të mirë.
Cilat kanë qënë grupmoshat e trajtuara më së shumti?
Rëndom lind pyetja si kanë qënë grupmoshat e trajtuara më së shumti. Natyrisht që grupmosha me e vogël ka qënë 27 vjeç dhe grupmosha më e madhe 90 vjeç. Pra me kaq ju kuptoni që mjekët e Shërbimit Infektiv apo Shërbimi kombëtar infektiv nuk ka bërë seleksionim të rasteve, por ka ofruar ndihmën e vet maksimale nga ana mjeksore tek çdo lloj grupmoshe dhe për çdo qytetar të ardhur nga çdo qytet i Shqipërisë
Cilat kanë qënë problemet që keni hasur?
Natyrisht që kemi hasur probleme gjatë gjithë kësaj situate, por pjesën më të madhe e kemi zgjidhur përpara se të ndodhte kjo pandemi. Problemet e tjera sigurisht që zgjidheshin gjatë rruges. Kanë qënë probleme here të vogla dhe here të mëdha por falë punës së bërë nga të gjithë aktorët që unë përmënda, ne ia dolëm dhe problemet e vogla arritëm pothuajse ti minimizonim.
Si ia keni arritur të menaxhoni fluksin bashkë me koleget tuaj?
Personalisht kam qënë mbi 20 orë në punë në periudhën e parë, pak orë në periudhën tjetër dhe duhet të dini që kolegët, unë, gjithë stafi që kam nën drejtim kanë punuar me përkushtim maksimal duke iu ofruar pacientëve gjithë ndihmën nga ana profesionale, dhe nga ana psikologjike. Pra stafi ka punuar me një përkushtim që unë deri më sot nuk e mendoja që do ishte në një nivel kaq të lartë për t`u shërbyer këtyre pacientëve që ishin rëndë. Ndonëse frika e infeksionit te personeli ishte e lartë, falë veshjeve të ofruara me mbrojtje shumë të madhe, ne arritëm që edhe frikëm ta menaxhonim në mënyrë të shkëlqyer.
Cilat kanë qënë momentet më të vështira gjatë punës suaj në këtë periudhe?
Padyshim që gjithë këto javë ka patur vetëm ditë të vështira për të gjithë ne. Momente të vështira kanë qënë së pari humbja e jetës së njerëzve pavarësisht se t`i ofroje maksimumin tënd. Moment i vështirë ka qënë informimi që i bëje familjarëve që kishin humbur njeriun e tyre. Është e vetmja sëmundje që kemi ndeshur deri më sot, që asnjë familjar nuk i është afruar njeriut të vet, por kanë qënë shumë larg. Shumë prej tyre kanë qënë njerëz të vetëm për shkak se të afërmit e tyre i kanë patur jashtë Shqiperisë. Duke qënë se bota u izolua nga fluturimet , ata që kanë ndërruar jetë janë përcjellë për në banesën e fundit vetëm. Ky ka qënë moment i vështirë per mua, pra duhet të informoja të afërmit që njeriu i tyre kishte ndërruar jetë.
Çfarë mesazhi dëshironi të percillni për situatën në vazhdim?
Mesazhi që duhet t`u përcjell të gjithëve për çka kaluam dhe jemi duke kaluar është i tillë:
Shërbimi Infektiv u përball me një epidemi të frikshme, arriti ta menaxhonte dhe përballonte me sukses. Sukses konsideroj faktin që kemi patur një numër të vogël raste jetësh të humbura në këtë periudhë, në krahasim me vendet e rajonit, kemi patur të sëmurë shumë rëndë që ia kanë dale ti mbijetojnë kësaj sëmundjeje.
Sa më shumë të ruani distancimin nga njëri tjetri, sa më shumë ti referoheni masave të marra, aq më shumë shpëtoni jetën tuaj dhe aq më shumë e bëni të mundur që ne t`i shërbejmë shumë mire atyre që kanë realisht nevojë për ndihmën tonë.