Rëndësia e të ushqyerit shëndetshëm në zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijës

Rëndësia e të ushqyerit shëndetshëm në zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijës

Nga D.SH.M. Laurant Kollcaku – Pediatër Endokrinolog, Shërbimi i Specialiteteve Nr. 2 QSUNT

 

Ushqimi dhe ushqyerja e fëmijëve bazohet në të njëjtat parime si për të rriturit. Fëmijët kanë nevojë për të njëjtat lëndë ushqyese si të rriturit, por në sasi të ndryshme.

Ushqyerja e shëndetshme veçanërisht gjatë 2 viteve të para të jetës është e rëndësishme për zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijës.

Nëse fëmijët nuk marrin sasitë e duhura të makroelementëve si proteina, yndyra dhe karbohidrate dhe mikroelemente si vitamina A, jod, hekur dhe zink, ata mund të sëmuren, të kenë rritje dhe zhvillim jo të mirë që mund të ketë efekte negative permanente përtej fëmijërisë. Ushqimi optimal dhe korrigjimi i deficiteve ushqyese gjatë viteve të para kanë një rëndësi të veçantë pasi pas moshës 2 vjeç, ndryshimi mund të bëhet shumë i vështirë.

Nevojat ushqimore janë unike në faza të ndryshme të rrjedhës së jetës, nga konceptimi deri në foshnjëri dhe gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Foshnjëria ka nevoja të veçanta ushqyese. Ushqimi i mirë, veçanërisht në dy vitet e para të jetës është jetike për rritje dhe zhvillimin e shëndetshëm. Ushqimi i shëndetshëm në fëmijëri dhe adoleshencë është i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e duhur dhe për të parandaluar patologji të ndryshme shëndetësore.

Megjithëse, fëmijët kanë nevoja për sasi të ndryshme të lëndëve ushqyese specifike në mosha të ndryshme në përgjithësi ata kanë nevojë për të njëjtat ushqime, të tilla si karbohidrate, proteina, yndyrna, vitamina dhe kripëra minerale. Foshnjat në 4-6 muajët e parë kanë nevojë vetëm për qumësht. Pas moshës 6 muajsh fëmijët janë gati të fillojnë ushqimet gjysëm solide dhe solide.

Fillimi herët i praktikave të mira ushqimore mund t’i ndihmojë fëmijët të zhvillojnë modele të shëndetshme të ushqyerjes. Shumë fëmijë dhe familje sot kanë orare të zëna dhe kjo e bënë të vështirë të ulen në vakte shtëpiake çdo ditë dhe të ushqehen shëndetshëm duke u prirur të konsumojnë ushqime të pashëndetshme, të cilat pasohen nga efekte negative në shëndetin e fëmijës. Disa nga problemet që shkaktojnë ushqime jo të shëndetshme mund të vazhdojnë edhe në moshën e rritur duke rritur rriskun e  zhvillimit të sëmundjeve kronike.

Duhet ti jepni përparësi kohës së ushqyerjes apo vaktit. Ulja në tryezë si familje është pjesë e rëndësishme e krijimit të sjelljeve të shëndetshme të të ngrënit. Koha e ushqyerjes është më shumë sesa thjesht ngrënie së bashku. Ushqyerja së bashku, rregullisht me familjen është

  • një mundësi për tu dhënë siguri dhe reahati fëmijës, një mundësi për të folur dhe njohur fëmijën për atë që po ndodh në jetën e tij, në mënyrë që të krijohen lidhje më të forta midis anëtarëve të familjes;
  • një mundësi për të monitoruar sjelljen e ngrënies, për të parë se çfarë dhe si hanë për të parë nëse ka ndonjë gjë që mund të bëni për të inkurajuar sjellje më të mira;
  • një mundësi për të dhënë shembull për fëmijën tuaj; nëse ju vetë përgatitni dhe hani ushqime të shëndetshme, edhe fëmija juaj do të ushqehet shëndetshëm, pra fëmija do të adoptojë të njëjtin qëndrim.

Mjaft e rëndësishme është edhe përfshirja e fëmijës në blerjen dhe zgjedhjen e ushqimeve, gjatë procesit të gatimit dhe në rregullimin e vakteve dhe marrjen e ndonjë vendimi në atë që po hanë. Një mënyrë tjetër argëtuese, e kënaqshme, përmbushëse për fëmijën të ketë sjellje të shëndetshme ndaj ushqimit  është përfshirja e tij në mbjelljen, mirëmbajtjen, rrritjen dhe mbledhjen  e disa prej frutave, perimeve dhe bimëve tuaja të preferuara në një kopsht.

Së fundmi,  duke qënë se ushqimi dhe ushqyerja kanë një  rëndësi të jashtëzakonshme pasi plotëson një nga nevojat themelore të njeriut çdo vit 16 Tetori kujtohet si Dita Botërore e Ushqimit, e cila prej 16 tetor 1981 festohet në të gjithë botën çdo vit.  Dita Botërore e Ushqimit nuk ka të bëjë me përgatitjen e kuzhinave të ndryshme dhe shijimin e larmisë së aromave por është një kauzë e zakonshme e bashkimit të duarve për t’u bashkuar, për të kontribuar në heqjen e urisë nga çdo cep i kësaj bote  duke dhuruar ushqim

Pse është e rëndësishme ushqyerja e shëndetshme e  fëmijëve?

Ushqimi është i rëndësishëm në çdo moshë. Fëmijët kanë nevojë për ushqyerje të duhur për tu rritur të shëndetshëm dhe të fortë, për të patur një performancë akademike mirë, një funksion konjitiv vecanërsiht kujtesën, për të parandaluar shfaqjen e sëmundjeve kronike si malnutricioni, mbipesha dhe obeziteti, hipertensioni arterial, sëmundje të zemrës, diabeti tip 2, kancerin, osteoporoze, anemi hekurit, kriesi dentar (kavitetet),  sëmundjeve të shëndetit mendor (depresioni, ankth dhe ADHD).

Cila është dieta më e shëndetshme për fëmijët? Si të ushqehemi shëndetshëm ?

Ka shumë mënyra se si të ndihmojmë dhe të mbështesim fëmijët   të ushqehen shëndetshëm. Fëmijët duhet të konsumojnë të gjitha vaktet kryesore dhe të ndërmjetme. Dita duhet të fillojë me mëngjesin me ushqim të ekulibruar me proteina e cila i bën ata të ndjehen të ngopur për një kohë më të gjatë. Në praktikën e përditshme përdoret termi dietë.por në fakt përdorimi i termit dietë në fëmijët nuk është i duhur sepse ne flasim për terapi nutricionale e cila nënkupton ushqyerje të ekuilibruar, të shumëllojshme dhe përdorimin e kombinuar e të gjithë lëndëve ushqyese. Termi dietë në praktinën klinike ka më shumë konceptin e sasisë së ushqimit në mënyrë që të përcaktojmë sasinë e kalorive që duhet të marri fëmija.  Ushqyerja e shëndetshme për fëmijët e të gjitha moshave bazohet dhe duhet të përfshijë të gjitha grupet ushqimore: frutat, perimet dhe zarzavatet, drithërat, mishi, produktet e tij, peshku dh frutat e detit, yndyrnat me origjinë bimore dhe shtazore, qumeshti dhe produktet e tij.

Ajo që ne këshillojmë prindërve është që të inkurajojnë fëmijën të të konsumojnë të gjitha produktet dhe të përshtasin zgjedhjen e ushqimeve më të shëndetshme.

Si ndikon ushqyerja jo e mirë në zhvillimin e fëmijëve?

Qëllimi i ushqyerjes së mirë është të parandalojmë crregullimet nutricionale si malnutricioni dhe mbiushqyerja. Nën-ushqyerja bën që fëmijët të manifestojnë vonesë rritje ( mos shtim në peshë dhe mos rritjë në gjatësi), të kenë më pak energji dhe zhvillim jo të mirë të trurit gjë që ndikon negativisht në zhvillimin njohës dhe performancën akademike. Ndërsa mbiushqyerja  shkaktojnë një sërë problemesh të ndrsyhme në funksionin e të gjithë organizmit duke e vendosur fëmijën në rrisk të lartë për sëmundje të ndryshme vecanërsisht metabolike (mbipesha dhe obeziteti, diabeti melitus tip 2) dhe kardiovaskulare.