Nga D.SH.M Erjola Bollëku, mjeke pranë Shërbimit të Nefrologjisë, QSUNT
Kujtimi sot ka ditëlindjen. Ai njëkohësisht mbush edhe 22 vite në hemodializë. Vjen drejt nesh me një kuti me ëmbëlsira. I kujtohet si sot hera e parë e dializës. Ai është energjik, i buzëqeshur, mirënjohës. Djemtë e tij tashmë janë rritur dhe i madhi dëshiron të bëhet infermier. Çdo seancë na përshëndet e bisedon me ne edhe pse ka shumë halle në shtëpi. Kur shoh Kujtimin, Vilsonin, Prengen, Asprien, Sanien, mendoj se vërtet jemi familjarizuar me pacientët tanë, tre herë në javë ata hyjnë e dalin nga kjo derë, në dimër, e verë në të mirë e në të keq. Ata këtu janë si në familje, flasin, diskutojnë, shohin televizor dhe debatojnë pse jo dhe eksperiencat e tyre të jetës tregojnë.
Sot, si Kujtimi dializohen rreth 1327 pacientë në gjithë vendin tonë. Ata marrin një shërbim dinjitoz si në publik dhe privat dhe vazhdojnë të jetojnë edhe pse te varur nga kjo aparaturë e mrekullueshme që zëvendëson funksionin e veshkave të tyre. Ne nuk jemi vetëm mjekët kurues të tyre, ne për ta jemi psikologe, një vesh që i degjon dhe një zemër që i ndjen.
Prena, nënë e katër fëmijëve, jeton në Durrës. Është diagnostikuar para 10 vitesh me SRK gjatë shtatzanisë dhe tani erdhi koha për fillimin e dializës. Bashkëshorti punon fort dhe mban ekonominë familjare i vetëm, fëmijët shkojnë në shkollë. Pas një diskutimi të gjatë dhe dilemave të shumta të saj, i propozuam të fillonte dializën peritoneale, në mënyrë që të ishte më prezente në familjen e saj. Filloi dializën peritoneale tashmë është shumë e lumtur sepse përkujdeset për familjen e saj. Materialet e konsumit sot i shkojnë pranë shtëpisë, një lehtësim për familjen e saj. Sot, si Prena, ka nëna e gra nga Bulqiza e Shkodra, Berati e Erseka që vazhdojnë të luftojnë për jetën e tyre dhe lumturinë e familjeve të tyre. Rreth 40 pacientë trajtohen ambulatorisht me DP në çdo skaj të Shqipërisë.
Altini, një djalë i ri, 29 vjeç, sportiv nga natyra, paksa i shkujdesur për shëndetin e tij, i cili prej 2 vitesh përdorte barna analgjezike për një cefale, rezultoi me hipertension dhe insufiencë renale për herë të parë, e cila ishte zhvilluar në mënyrë krejt të heshtur. Tashmë në stade të avancuar të SRK, pas një bisede të gjatë, vendosi menjëherë të bënte një transplant renal preemptiv me dhuruese nënën e tij. Ai me këmbënguljen e tij e realizoi transplantin dhe tani jeton i lirë pavarësisht se në mënyre të rregullt dhe strikte duhet të marrë barnat imunosupresorë, të domosdoshëm për të mbajtur të sigurt organin e dhuruar nga nëna e tij.
Sot, si Altini në Shqipëri ndjekim së bashku me koleget e palodhur rreth 400 pacientë të transplantuar me barnat të rimbursura nga shteti me deshirën e madhe për të jetuar dhe për vazhduar ritmin si më parë.
Ne sot, ndryshe nga shumë vite me parë ofrojmë të treja format e terapisë renale zëvendësuese. Ne ofrojmë hemodializën, që e kanë zgjedhur pjesa me e madhe e pacientëve, një pjesë sepse aty janë përshtatur dhe ndihen mirë, një pjesë thjesht për inerci dhe për një pjesë tjetër kemi qënë të detyruar ta marrim ne vendimin nisur nga kushtet shëndetësore dhe social ekonomike. Ajo terapi, e cila në fillim dukej sikur do t’u prishte gjithë planet e tyre, të punës apo edhe jetës familjare, është ajo pa të cilën nuk rrinë dot një seancë të vetme.
Ne sot sërish ofrojmë dializën peritoneale, ose dializën e shtepisë, vërtet realizohet 4 herë në ditë por nuk ka nevojë që pacienti të vijë në institucion për orë të tëra dhe të ketë kanjulimet e dhimbshme të aksesit vaskular.
Ne vazhdojmë të ofrojmë në vendin tonë transplantin renal me gjithë mrekullinë e tij në vetvete. Ne vazhdojmë të jemi fatmirësisht popull i dhembshur dhe dhurimin e një organi si veshka për të afërmit tanë e bëjmë me zemër dhe pa ndonjë pikëpyetje. Nëna, motra e baballarë, bashkëshortë që vendosen në radhë për t’i dhënë të shtrenjtëve të tyre një shans për një jetë më të mirë, më të lirë, më të shëndetshme.
Ne vazhdojmë të ofrojmë alternativa, të gjitha që mund të ofrohen, ofrojmë alternativën e jetës, atë të dinjitetit, atë të dhembshurisë, ne vazhdojmë të luftojmë së bashku me pacientët tanë.
Jeta e tyre mund të jetë më e bukur, më e shëndetshme, me e qetë dhe kjo varet edhe nga ne.