D.SH.M Andi Kaçani, mjek kardiokirurg pranë Shërbimit të Kardiokirurgjisë, QSUNT
Të kesh një problem kardiak tashmë nuk është më diçka jo e zakontë pasi sipas të dhënave të OBSH
17.9 milion njerëz vdesin çdo vit, pra 31% e vdekjeve në botë ndodh nga CVD, një sëmundje kardiake.
Cilat probleme kardiake hasim më shpesh tek pacientët e ndryshëm në vendin tonë?
Shqipëria bën pjesë në popullsinë europiane dhe sëmundshëria i përgjigjet të njëjtave statistika si
atyre europiane.
Sëmundjet më të shpeshta aktualisht janë ato të sëmundjeve të enëve tëgjakut, koronareve në
rastin e zemrës. Koronaret janë arteriet e zemrës të cilat bëjnë furnizimin me gjak të muskulit të
zemrës. Si pasojë e ndryshimit të stilit tonë të jetës, tashmë më sedentare, mbipesha, stresi,
duhanpirja, alkoli, gjithmonë e më shumë pacientë hipertensive dhe diabetike. Të gjithë këto faktorë rreziku ndikojnë në shfaqjen e arterosklerozë në enët e gjakut, që shkakton ngushtim dhe ose bllokim të enëve të gjakut, me pasojë infarktin e miokardit.
Sëmundja e dytë për nga shpeshtësia aktualisht janë sëmundjet valvulare, të cilat si pasojë e përmirësimit të kushteve social ekonomike kanë ulje të numrit në dy dhjetë vjeçarët e fundit. Më të ralla jane dëmtimet e enëve të mëdha të gjakut.
Një zë të rëndësishëm në sëmundjet e zemrës zënë gjithashtu edhe sëmundjet e lindura të zemrës.
Cila është gupmosha më e prekur?
Grupmosha më e prekur është grupmosha 50-60 vjeç, moshë e cila mbart edhe riskun më të lartë për vdekje të papritur dhe komplikacione, më pas grup mosha 60-70 vjeç. Vihet re një tendencë për ulje të ndjeshme të moshës së shfaqjes së sëmundjeve të zemrës. Tendencë kjo e lidhur me faktorët e rrezikut të përmendur më lart.
Ndërhyrja më e veçantë dhe me e komplikuar që ju keni kryer?
Aktualisht në Shërbimin e Kardiokirurgjisë kryhet një gamë e plotë e interventeve kardiake duke
filluar nga të sapo lindurit dhe deri në pacientë mbi 80 vjeç.
Operacionet kardiake kërkojnë një bashkëpunim dhe punë në ekip sidomos midis kirurgëve,
anestezisteve dhe kardiologeve, pa nënvlerësuar përkundrazi punën e stafit infermieror.
Falë punës në ekip rezultatet e klinikës sonë prej vitesh janë të krahasueshme me klinikat më në zë
europiane. Ketu është për tu nënvizuar dhe vlerësuar sidomos roli dhe mbështetja pa kufi e
Drejtorisë së Spitalit dhe MSHMS të cilët nëpërmjet investimeve kanë bërë të mundur të punohet në ambientje dhe me pajisje bashkëkohore.
Vlen të përmendet fakti që prej disa vitesh puna në shërbimin tonë nuk është ndërprerë asnjë dite. Tregues ky shumë i rëndësishëm i mbështëtjes dhe seriozitetit të strukturave.
Personalisht jam pjesë e shërbimit të kardiokirurgjisë që nga Janar 1999 dhe prej kthimit nga
specializimi në 2005, punoj si kirurg primar në këtë shërbim. Operacioni më i vështirë që kam kryer që është njëkohësisht edhe me rrezik më të lartë, është defekti ventikular (çarje e muskulit të zemrës) si pasojë e infarktit të miokardit. Intervent shumë i vështirë dhe i rrallë. Të gjithë këta pacientë të operuar falë zotit dhe punës sonë gëzojnë shëndet të plotë.
Sa ka ndikuar Covid tek pacientët kardike?
Siç u thashë edhe më lart aktiviteti kirurgjikal në shërbimin tonë nuk është ndërprerë për asnjë
moment edhe gjatë pandemisë.
Sigurisht Covid 19 ndikoi në të gjitha fushat dhe sidomos në mjekësi. Kemi patur një përshtatje të
numrit të operacioneve sipas rekomandimeve të komitetit teknik të eksperteve dhe OBSH për
indikacionet kirurgjikale gjatë pandemisë. Aktiviteti kirurgjikal ka vazhduar rregullisht dhe numri i
pacientëve të infektuar ka qënë minimal. Aktualisht funksionojmë me aktivitet të plotë duke zbatuar
me mënyrë rigoroze protokollin anti- covid.
Çfarë duhet të kenë më shumë kujdes këta pacientë?
Pacientët kardiak duhet të kene parasysh se Covid 19 mbart nje risk te lartë, por sëmundja e tyre
kardiake është fakt dhe një faktor rreziku evident. Ndaj në çdo rast ata duhet të paraqiten tek mjeku
specialist dhe mos të nënvlersojnë sëmundjen e tyre. Kemi më shumë pacentë të cilët paraqiten në
spital me vonesë dhe në kushte më të rënda.
Me afrimin e temperaturave të nxehta si duhet të komportohen pacientët dhe nga çfarë duhet të
kenë më shumë kujdes, sidomos këtë periudhë kur ende Covid 19 është prezent.
Pacientët duhet të kenë parasysh këshillat dhe rekomandimet e mjekëve për temperaturat e larta
duke mos harruar e nënvlerësuar për asnjë moment se Covid 19 është prezent midis nesh, ndaj masat e
distancimit dhe protokollit anti covid duhen respektuar në maksimum, nenvlerësimi dhe ulja e
vëmendjes mund të çojë në shtimin e rasteve dhe për më tepër në rastin e pacientëve kardiakë e
shton shumë riskun nëse këta pacientë infektohen. Duhet të paraqiten tek mjeku ose spital në rast të
shqetësimeve dhe simptomave kardiake si shtrëngim apo dhimbja në gjoks, marrje fryme etj për të
shmangur komplikacionet kardiake.
Çfarë e shton riskun për tu sëmurë nga një sëmundje kardiake?
Siç e përmenda edhe më lart janë disa faktorë të cilët e shtojnë në mënyrë të ndjeshme riskun për
sëmundje kardiake.
Faktorët kryesorë janë diabeti, duhanpirja, yndyrnat e larta, hipertensioni dhe seksi mashkull. Ka dhe
faktorë të tjerë si jeta sedentare, dieta, stresi.
Një këshillë e juaja për të gjithë, për të evituar problemet kardiake?
Kultura e shëndetit: një jetë sa më të shëndetshme, ku futen regjimi ushqimor, alkoli, duhani,
aktiviteiti fizik. Në çdo rast është më mirë të parandalosh sesa të trajtosh një sëmundje!
Një këshillë për pacientët tuaj dhe familjarët e tyre?
Sëmundjet kardiake janë një nga sëmundjet më të shpeshta aktualisht por protokolli i trajtimit është i
plotë dhe me rezultate të shkëlqyera afatgjatë, ndaj paraqituni tek mjeku për trajtim sa më të shpejtë
dhe ndjekje të vazhdueshme. Mos nënvlerësoni sëmundjen dhe parandaloheni.