Situata me fëmijet e prekur nga Covid- 19 dhe masat e marra në Pediatrinë infektive
Si është situata me fëmijët e prekur nga Covid 19 në vendin tonë?
Përsa i përket situatës së fëmijëve me Covid, mund të themi se që nga fillimi i epidemisë janë diagnostikuar rreth 40 raste fëmijësh të moshës nga 0 deri në 18 vjet të infektuar me virusin Sars Covid 2. Këta fëmijë janë diagnostikuar në bazë të hetimit epidemiologjik që është bërë në vatër dhe në qëndrat apo familjet ku kanë pasur infeksione të tjera, apo pjestarë të tjerë të infektuar. Fëmijët në përgjithësi kanë qënë në gjëndje të mirë shëndetësore. Asnjë prej tyre nuk është hospitalizuar dhe nuk është paraqitur për të kërkuar ndihmë në spital, sepse siç është referuar edhe nga eksperienca e vendeve të tjera, fëmijët e kalojnë në formë më të lehtë përsa i përket simptomatikës, gravitetit të sëmundjes dhe në përgjithësi kanë pak nevojë për hospitalizim.
Çfarë simpoma kanë shfaqur dhe si janë trajtuar pacientët e vegjël?
Simptomat e infeksionit tek fëmijët janë të njëjta me ato që janë përmendur deri tani, pra në bazë të simptomave nuk mund të kuptojmë nësë kemi të bëjmë me një infeksion nga Covid 19 apo kemi të bëjmë me një infeksion tjetër viral që ka prekur rrugët respiratore. Shenja e parë që tërheq vëmendjen është temperature. Ajo mund të jetë në shifra të ndryshme shoqëruar me shtim të sekrecioneve në rrugët e frymëmarrjes, me kollë, me rrufë, me skuqje të syve, ndonjëherë edhe me shenja të traktit gastrointestinal siç janë të vjellat dhe diareja. Por në format më të avancuara të infeksionit, kur duhet të kërkohet patjetër ndihma mjeksore, fëmijët mund të paraqesin vështirësi në frymëmarrje dhe shenja që demostrojnë kalimin e infeksionit në rrugët e poshtme. Në përgjithësi format e rënda tek fëmijët janë më të rralla të përshkruara nga autorët në vendet e tjera, ku epidemia ka pasur përhapje më të madhe dhe përfshirje edhe më të madhe të moshës fëminore. Por gjithnjë teorikisht egziston mundësia që këta fëmijë të manifestojnë edhe shënja të rënda klinike, prandaj tërhiqet vëmendja e prindërve që në ato raste që konstatohen këto shënja patjetër duhet lajmëruar 127 dhe duhet të realizohet komunikimi edhe me mjekun e familjes në mënyrë që të kapet në kohë infeksioni, të vendoset diagnoza dhe ti jepet ndihma e parë.
Një nga shenjat klinike ose më mirë të themi një nga komplikacionet klinike që është folur kohët e fundit sidomos në SHBA, në Angli, në Spanjë apo edhe Itali është sëmundja e “Kawasakit”. Kjo sëmundje është një infeksion ose inflamacion i enëve të gjakut që mund të shkaktohet nga prania e antikorpeve ndaj disa infeksioneve ku akuzohen edhe viruset. Sëmundja e “Kawasakit” nuk ka ndonjë analizë specifike për tu caktuar, por ka temperaturë të pranishme, me skuqje të syve, me pucra në lëkurë, me zmadhim të gjendrave, prishje të mukozës së gojës dhe buzëve e njëkohësisht me enjtje të duarve dhe këmbëve. Sigurisht që kjo nuk është një diagnozë që vendoset vetë, por që duhet patjetër të konsultohet me mjekun pediatër të familjes dhe pastaj të kërkohet ndihma spitalore sipas sistemeve të ndryshme të referimit.
Cilat kanë qënë masat e marra për perballimin e situatës në Pediatrinë infektive?
Pavarësisht se rastet e fëmijëve të konstatuara me infeksionin e Covid 19 nuk janë hospitalizuar, janë marrë të gjitha masat për krijimin e infrastrukturës dhe të ambienteve në QSUNT, pranë shërbimit të pediatrisë infective, në mënyrë që në rastet kur duhet të kërkohet që fëmijët të hospitalizohen, të kenë ambientet e tyre pa rrezikuar mjekimin dhe hospitalizimin e fëmijëve të tjerë me patologji të ndryshme. Pranë shërbimit të pediatrisë infektive është hapur një repart i veçantë i pajisur me hyrje të veçantë, pra që nuk ka kontakt as me urgjencën dhe as me repartet e tjera të spitalit pediatrik. Me dhomat me bokse, me tualete të veçanta, të pajisura të gjitha me burime oksigjeni dhe aparaturat e nevojshme që do duhen për të ndërhyrë në mjekimin e këtyre fëmijëve në qoftë se do të hospitalizohen. Po kështu janë ruajtur të gjitha rregullat e asepsisë, të kontrollit higjenik dhe të infeksioneve, pra me dhoma të veçanta, veshje për mjekët dhe infermierët, dhe me dhoma të veçanta të zhveshjes pra, pa kontakte me pavionet e tjera dhe me ambientet e tjera të spitalit. Gjithashtu me ekipe të veçanta të mjekëve të rojes dhe të personelit që do t’u shërbejnë, në mënyrë që të shmanget në maksimum përhapja e infeksionit dhe mbajtja e tij brenda ambienteve të destinuara për të. Është përgatitur edhe një ambient i veçantë në Repartin e terapisë intensive pediatrike ku eventualisht do të asistohen fëmijët që do të kenë nevojë për frymëmarrje të drejtuar, për respirator dhe për intubim në rastet e paraqitjes së insufiçiencës respiratore. Megjithatë e theksoj që deri tani nuk kemi patur asnjë fëmijë të hospitalizuar dhe aq më tepër me komplikacione të rënda.
Si e vlerësoni rihapjen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve?
Sigurisht që hapja dhe kalimi në fazën e dytë, pra kalimi në një kontakt social më pak të kufizuar, rrit edhe riskun e përhapjes së infeksionit. Pavarësisht se fëmijët mund të jenë bartës dhe mund të kalojnë forma më të lehta, ata janë po aq kontagjiozë, pra gjithashtu dhe ato mund të infektojnë dhe të përhapin infeksionin në familje apo në ambientet që ata frekuentojnë. Hapja e çerdheve dhe kopshteve që do të realizohet në datën 1 Qershor, do të rritë riskun e përhapjes së infeksionit në qoftë se eventualisht në këto institucione do të shkojnë fëmijë që kanë infeksion. Megjithatë janë marrë të gjitha masat e kontrollit të infeksionit, të reduktimit të numrit të fëmijëve në grupet në çerdhe dhe të marrjes së masave higjenike në mënyrë që të shmanget në minimum mundësia e përhapjes së infeksionit. Përsa i përket shkollave, momentalisht dihet që viti shkollor është mbyllur dhe që hapja e vitit shkollor do bëhet pas një rivlerësimi tjetër në fund të sezonit.
Prof. Dr. Gjeorgjina Kuli
Shef Shërbimi i Pediatrisë Infektive