Çfarë është Skleroza Multiple?
Skleroza multiple (Multiple Sclerosis, MS) është një crregullim neurologjik kronik me natyrë autoimune, relativisht i shpeshtë. Bën pjesë në grupin e patologjivë demielinizante. Mosha më e shpeshte e vënies së kësaj diagnoze është 20 deri 30 vjeç. Në raste të rralla semundja fillon në femije ose në adultë mbi 40 vjec. Femrat preken më shpesh se meshkujt. Eshtë më e shpeshtë ne njerezit me origjine nga Europa dhe Amerika Veriore. Numri më i larte i personave me Skleroze Multiple (MS) është tek ata që jetojne sa më larg ekuatorit.
MS shkaktohet nga një inflamacion i sistemit nervor qendror (truri dhe palca kurrizore) të pasuar nga humbja e shtresës mbrojtëse të mielines që rrethon fibrat nervore. Kur mielina dëmtohet impulset nervore nuk transmetohen shpejt dhe me eficiencë. Si rezultat i procesit inflamator, lezionet (te quajtura pllaka) zhvillohen ne tru dhe në palcën kurrizore. Simptoma si mpirja, mizërimi, dobësia ose paqëndrueshmëria në ecje mund te largohet ose mund te mbetet pas nje ataku të sëmundje. Ato mund të keqësohen në mënyre progressive me kalimin e kohës. Në individet me forme progresive te MS keto simptoma mund te keqesohen gradualisht me kalimin e kohës pa ndryshime të shpejta apo të menjëherëshme.
Në përgjithësi MS nuk është kërcënuese për jetën. Jetëgjatësia e pritshme e pacientëve me MS eshte lehtesisht më vogël se në popullatën e pergjithëshme. Semundja nuk eshte ngjitese dhe ecuria e saj është e paparashikueshme ne fillim te diagnostikimit. Ekzistojne diferenca te mëdha midis pacienteve të ndryshëm dhe stadeve të ndryshëm të sëmundjes.
Cili është shkaku i Sklerozës Multiple?
Shkaku i MS është i panjohur. Një kombinim i faktoreve të trasheguar dhe kryesisht atyre ambientale mund te ndikojne ne semundje. Ekspozimi ndaj nje agjenti shkaktar ndoshta nje virusi mund te nxisë shfaqjen fillimin e sëmundjes. Ka evidenca të qarta që në MS sistemi autoimun sulmon sistemin nervor qendror. Infeksionet virale te zakonshme mund të shkaktojne keqesime ose relapse.
Ndërsa ka një predispozite gjenetike të Sklerozës Multiple qe rrit mundësinë e sëmundjes, MS nuk është realisht e trashëguar në popullsine e përgjithëshme. Kërkimet dëshmojne se shansi për të qene me MS ne SHBA eshte 1-2 per 1000, ndërsa ne familjet ku MS ekziston tashme, risku që një person tjetër I familjes të sëmuret është 3 per 1000. Kjo tregon për nje risk më të larte por nuk konsiderohet nje faktor madhor në sëmundje.
Si diagnostikohet Skleroza Multiple?
Diagnoza bazohet në historinë klinike dhe ekzaminimi objektiv neurologjik tregon pranine e lezioneve neurologjike. Zakonisht rezonanca magnetike (MRI) e trurit dhe mundësisht edhe e palces se kurrizit përdoret për gjetjen zonave anormale. Punksioni lumbar është gjithashtu I vlefshëm në gjetjen e problemeve specifike të lëngut cerebrospinal. Testet e kompjuterizuara të quajtura “potenciale të evokuara” mund të përdoren në diagnostikim në raste të vecantë.
Kriteret bashkëkohore të diagnostikimit janë ato të McDonald, të përdorura nga viti 2001 dhe të rinovuara disa herë deri më sot. Në Shërbimin e Neurologjisë këto kritere janë aplikuar që në momentin e parë të publikimit.
Cilat jane Format Klinike dhe shenjat e sëmundjes?
Ka tipe te ndryshëm klinikë të MS. Pjesa më e madhe fillojnë me formën relapsing –remitting RRMS (përkeqësim/përmiresim). Kjo nenkupton që simptomat shkojnë e vijnë , zakonisht, në fillimet e sëmundjes, duke e lene individin krejt normal deri ne nje tjeter keqësim ose relaps tjetër të MS. Simptomat gjatë relapsit, zakonisht zhvillohen per nje periudhë ditësh. Problemet mund të zgjasin disa ditë ose jave dhe me pas largohen disa herë edhe pa trajtime. Relapset e reja ndodhin ne intervale jo te rregullta dhe duke u përsëritur, mund të lenë gjithnjë e më shumë shenja të qendrueshme të sëmundjes.
Shenjat klinike përfshijne :
Humbje të shikimit, paraliza të shkallëve të ndryshme, mpirje apo mizërime, dobësi apo lodhje, paqendrueshmëri në ecje, shikim dyfish, intolerance ndaj nxehtësisë, crregullime të urinimit, prekje të funksioneve të larta, konjitive, ndjenja e shokut elektrik kur perkul qafen etj.
Rreth 60% e njerezve me MS forma RRMS, zhvillojne një formë kronike sekondare progresive te semundjes SPMS. Kjo do te thote që në fund të një relapsi simptomat neurologjike nuk largohen plotësisht. Me kalimin e kohës, personi mbetet me simptoma të ndonje deficiti neurologjik, që kanë aftësi kumulative dhe relapset mund te ndodhin me shpesh se më pare. Ekziston edhe forma primare progresive, PPMS që zakonisht karakterizon fillimin ne sëmundjes në moshë mbi 40 vjec.
TRAJTIMI
Aktualisht nuk ka parandalim (apo mjekim) për MS. Megjithatë ka të dhena premtuese per njerëzit me MS sepse medikamente te ndryshme qe mund te frenojne procesin e evoluimit te semundjes jane aprovuar nga FDA dhe EMA, përkatësisht në SHBA dhe Europë.
Trajtimet e tanishme ndahen në tre kategori:
- Modifikim i relapseve. Mjeket sot pershkruajne shpesh doza të mëdha steroidesh që jepen intravenoze për disa dite.
- Modifikimi i progresionit te sëmundjes me përdorimin e barnave imunomodulatorë.
- Trajtimi i simptomave. Këto mjekime ulin ngurtesine muskulore, reduktojne lodhjen kontrollojne simptomat e vezikes urinare, reduktojne dhimbjen, disfunksionet seksuale, etj.
Shumë përpjekje të rëndësishme klinike janë në progres dhe shpresë dhënëse, në shumicën prej te cilave priten rezultate pozitive. Mund të mësohet me shume rreth ketyre perpjekjeve duke kontaktuar me Shërbimin e Neurologjisë, Punkti I sëmundjeve Demielinizante, QSUT
Të jetosh me Sklerozën Multiple?
Të jetosh me MS eshte nje barrë e rëndë fizike dhe emocionale jo vetem për ata te prekur nga sëmundja por edhe të afërmit e tyre. Mosparashikimi i kushteve, ecurise dhe ndodhja e saj ne moshe te re, rrit stresin psikologjik. Përpjekjet e vazhdueshme ne fushen e trajtimeve experimentale, tani ofrojne shpresa të reja në përmirësimin e cilësisë së jetës.
Shtatzania dhe MS
Kerkimet kane treguar se relapset e MS ndodhin me rralle gjate trimestrit te dyte dhe te trete te shtatzanise dhe lehtesisht me shpesh ne periudhen qe pason lindjen. Vendimet rreth shtatzanise jane individuale. Individet me MS rekomandohen te konsultohen me një mjek specialist neurolog, që merret në vecanti me diagnostikimin dhe ndjekjen e pacientëve me MS.
SITUATA NE SHQIPERI
Semundja njihet e diagnostikohet klinikisht prej disa dekadash.
Disa momente te veçanta te zhvillimit jane:
- Perdorimi i Rezonances Magnetike nga viti 2000.
- Perdorimi i barnave imunomodulatore nga viti 2001, të rembursueshëm nga shteti.
- Ekzistenca e një regjistri nacional të sëmundjes ne Sherbimin Universitar te Neurologjise, QSU Nene Tereza, Tirane, nga viti 1988.
- Të dhënat epidemiologjike nga studime të kryera (të referuara e të botuara) duke filluar nga viti 1988, qe e rendisin Shqiperine ne vendet me risk te mesem ndaj sëmundjes. Përcaktimi prevalencës së sëmundjes në Shqipëri në vitin 1988, (Doktoraturë, J. Kruja)
- Ekzistenca e një punkti te sëmundjeve demielinizante që vepron rregullisht prej rreth 30 vitesh prane Sherbimit Universitar te Neurologjise, QSU Nënë Tereza, Tirane.
- Përpjekje të vazhdueshme për komunikim me struktura analoge internacionale si edhe referime në konferenca të përbashketa.
A është një pacient me MS më i rrezikuar nga COVID 19?
Jo në mënyrë të domosdoshme, por duke ditur se MS është një patologji autoimune, mundohemi t’i instruktojmë pacientët tanë për të respektuar masat e rekomanduara të distancimit fizik e social etj. Disa mjekime imunosupresore të përdorura për trajtimin e MS duhet të mbahen në monitorim më të vëmendshëm gjatë kësaj periudhe.
Prof. Dr. Jera KRUJA
Shefe e Shërbimit Universitar të Neurologjisë, QSU Nënë Tereza, Tiranë
Anëtare e panelit të Sëmundjeve Demielinizante, Akademia Europiane e Neurologjisë